Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas/ PD Elbasan: Korrupsioni po na izolon! Më 28 shkurt të gjithë në Tiranë!

Partia Demokratike, dega Elbasan, ka reaguar ndaj situatës së rënduar të infrastrukturës rrugore në qark, duke vënë në qendër të akuzave shembjen e aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas.

Përmes një deklarate për mediat, PD e cilëson këtë ngjarje si një provë të qartë të pasojave të korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike, duke theksuar se miliona euro të taksapaguesve janë shpërdoruar në projekte pa standarde.

Në deklaratë theksohet se impakti negativ po ndihet drejtpërdrejt nga bizneset lokale. Bllokimi i rrugës ka sjellë rritje të kostove të transportit, vonesa në furnizime dhe humbje kontratash për dhjetëra sipërmarrje të vogla e të mesme.

PD dega Elbasan u bën thirrje të gjithë banorëve të qarkut t’i bashkohen protestës paqësore që do të organizohet nga selia qendrore më datë 28 shkurt, ora 18:00, në Tiranë.

Deklarata për media

Të nderuar banorë të Elbasanit. Partia Demokratike dega Elbasan, konstaton me keqardhje situatën rrugore të krijuar gjatë ditëve të fundit në qarkun Elbasan.

Rrëshqitja dhe shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas, duke e bërë të pakalueshëm këtë aks kombëtar dhe duke shkëputur lidhjet infrastrukturore të gjithë zonës juglindjes me kryeqytetin, si dhe dëmtimi dhe prishja e një sërë rrugësh të ndërtuara gjatë këtyre viteve të fundit në të gjithë vendin, janë një tjetër provë e qartë e pasojave që sjell korrupsioni dhe abuzimi me fondet publike.

Miliona euro të taksapaguesve shqiptarë janë shpërdoruar në projekte të realizuara pa standard, ndërsa sot qytetarët përballen me pasiguri, rrezik për jetën dhe izolim ekonomik.

Kjo situatë është një dështim teknik dhe gjithashtu një tregues i një qeverisjeje që vendos interesat klienteliste mbi interesin publik.

Pasojat po i ndjejnë rëndë bizneset e zonës. Prishja dhe bllokimi i rrugëve ka sjellë rritje të kostove të transportit, vonesa në furnizim, humbje kontratash dhe ulje të ndjeshme të xhiros për dhjetëra sipërmarrje të vogla dhe të mesme të zonës.

Fermerët kanë vështirësi në nxjerrjen e produkteve në treg. Tregtarët po përballen me rënie të klientelës, ndërsa kompanitë e transportit po punojnë me humbje.

Në vend që infrastruktura të jetë mbështetje për zhvillimin ekonomik, ajo është kthyer në pengesë serioze për mbijetesën e biznesit lokal. Mbrojtja politike që i bëhet aferave dhe përgjegjësve, është dëshmi e qartë e mungesës së vullnetit për transparencë dhe llogaridhënie.

Në vend që të mbajnë përgjegjësi, ata zgjedhin të justifikojnë dështimet, duke thelluar krizën ekonomike dhe duke rënduar barrën mbi qytetarët dhe bizneset.

Gjithashtu, këto afera dhe pandëshkueshmëria po penalizojnë rëndë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Një vend që nuk garanton sundimin e ligjit dhe nuk lufton korrupsionin në nivelet më të larta, humbet besueshmërinë përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe dëmton perspektivën evropiane të vendit dhe të qytetarëve të vet.

Partia Demokratike dega Elbasan, i bën thirrje të gjithë banorëve të qarkut Elbasan, të marrin pjesë në protestën paqësore të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, nesër, në datë 28 shkurt, në orën 18:00 në Tiranë.

Për një ekonomi të sigurtë, për mbrojtjen e biznesit vendas dhe për një Shqipëri që investon me standarde dhe përgjegjësi. I ftojmë qytetarët, sipërmarrësit, fermerët, të rinjtë dhe çdo banor të Elbasanit, të bashkohen në Tiranë për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur të ardhmen ekonomike dhe evropiane të vendit.

Bashkë për ndryshimin, bashkë për Shqipërinë.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha ironizon Ramën: Dështoi Lubia, polli 3 ministra!

Kryetari i PD, Sali Berisha ironizon Ramën me një postim për ndryshimet në qeveri. Berisha …