Nga Alba KEPI
Në 2023 u pagëzua “Vilë Arti”.
Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha, simbol i grabitjes, persekutimit dhe gjakut në vitin 2023 u riciklua me një emër të ri: “Vilë Arti”.
Art?
Në një pronë të zaptuar.
Në një histori të përgjakur.
Në një qytet që vuajti burgjet, internimet dhe pushkatimet.
Në vend që të kërkohej falje.
Në vend që të nderoheshin viktimat.
Në vend që prona t’u kthehej trashëgimtarëve legjitimë.
U bë “projekt kulturor”.
Me VKM.
Me heshtje.
Me propagandë.
Në të njëjtin qytet ku sot vizitorët çohen në Bunk’Art dhe Shtëpia me Gjethe për të parë reliket e terrorit,
regjimi i djeshëm po riemërohet estetikisht.
Nga diktaturë në instalacion.
Nga krim në kuriozitet turistik.
Nga vilë turpi në vilë arti.
Sot u dogj.
U dogj simbolikisht fasada e rreme.
Sepse historia nuk lyhet me bojë moderne.
As nuk pastrohet me evente, fonde e etiketa “kulturore”.
Një vilë e ngritur mbi padrejtësi nuk bëhet art me vendim qeverie.
Bëhet vetëm dëshmi.
Dhe dëshmia është kjo:
Në Tiranë mund të ndryshosh tabelën.
Por nuk ndryshon dot të vërtetën.
Gazeta RD