Vojerizmi politik: Të shikosh apo të veprosh, cila është turma?

Nga Pranvera SHEHAJ

“Ata janë turmë pa kokë, turmë pa drejtim, turmë mjerane, turmë plaçkitëse”…e gjithëfarësoj shfrehjesh elitaro-letrare që janë përdorur për të nisur a përmbyllur editoriale të folura e të shkruarasi emërtime për protestuesit demokratë dhe opozitarë tash e disa javë, këtu e disa vite. Nisem nga nevoja për të kthjelluar një publik më të gjerë me leksikun e orkestruar mediatik dhe jo vetëm, modestisht, duke marrë përsipër të sjell së pari një shpjegim të përshtatur të “turmës” nëpërmjet psikologjisë së tyre të të (mos)vepruarit sipas psikologut, sociologut dhe antropologut francez Gustave Le Bon. Druaj se pa dashur, në argumentat më poshtë,lexuesi do të njohë se si Shqipëria është ndër të rrallat vende ku turma nuk thyen, nuk çartet, nuk bërtet me histerizëm. Krejt ndryshe, ajo ngroh divanët e rëndë të shtëpive shulluar në rehati ndërsa bluan një qasje gjykuese dhe hipokrizisht moraliste përveshur nga mllefi i kompleksit pse nuk kanë dëshirën, fuqinë apo guximin të veprojnë. E veçanta s’është vetëm kjo dhe perdja fsheh pak më shumë. Pasi njohim turmën, dua të guxoj të diagnostikoj sindromën që fsheh hipokrizia e saj përmes pyetjes: Çfarë i shtyn mbikëqyrësit e protestës nga shtëpia, të kuriozohen dhe ta ndjekin me vëmendje ecurinë e saj, aq sa të futen në spiralen e kritikave, por pa vepruar? Përgjigjja do të ishte një diagnozë klinike: vojerizëm politik.

Mbikëqyrësit nga ekrani, e vetmja turmë

“Psikologjia e turmës” e Le Bon është një teori e cila thotë se kur individët bëhen pjesë e turmës ata pësojnë një trasformim psikologjik, ku identiteti personal, përgjegjësia morale dhe racionaliteti humbasin dhe shkrihen në identitetin kolektiv. Vetë turma bëhet “mendja kolektive” (collective mind), dhe udhëhiqet nga instiktet primitive të pavetëdijes. Pra, turma si entitet psikologjik. “Turma e shtëpive”reflekton fragmentin e shoqërisë që ka humbur aftësinë e reagimit, dhe kjo është karakteristika e parë që e kthen atë në një turmë ku njeriu e ka braktisur vetëdijen individuale duke iu bashkuar si pjesë e së gjithës, zgjedhjes së plogështtë turmës. Ky është në fakt instikt në vetvete i turmës së shtëpive,- jo ai i agresivitetit të cilit Le Bon i referohet kur shpjegon mjedise dhe ngjarje revolucionare, – por ai i mbrojtjes dhe mbijetesës, një formë klasike mimetizmi. Sjellja e një shoqërie si një entitet psikologjik mbrujtet në një tokë të keqe, e cila në ciklin e jetës nuk është kujdesur të ushqejë tek individët e asaj shoqërie forcën e autonomisë, pavarësisë së mendimit, shkompleksimit nga të qenurit dhe të menduarit ndryshe, lirinë.

Së dyti, “Psikologjia e turmës” thotë se kur individi bëhet pjesë e turmës, ai e humbet aftësinë për të menduar në mënyrë të kthjellët, duke u shtyrë të mendojë dhe veprojë në mënyrë irracionale dhe impulsive. Po njësoj, përpos vetëpritshmërive për të qenë më individualistë pas një eksperimenti historik politik dhe social të diktaturës, shoqëria jonë e post-trokitjes së demokracisë, pjesërisht, e refuzonmundësinë e të menduarit individualisht dhe këtë e vërteton përbashkimi në plogështi shoqërore dhe mos-veprim. Pikërisht këtë kampion përfaqëson turma e shtëpive. Turma e shtëpive është çmendurisht irracionale kur përpos gjithçkaje që ndodh përreth, kuriozohet, por nuk provokohet.

Së treti, në një turmë njerëzit ndiejnë një sens anonimiteti, çka e ul ndjeshmërinë ndaj përgjegjësisë për veprimet e tyre, duke i shtyrë ata të bëjnë veprime të cilat nëse do të gjendeshin vetëm, për shkak të frikës ndaj pasojave nuk do t‘i bënin. Thënë me fjalët e Le Bon: “Një individ në një turmë është një kokërr rëre mes kokrrizave të tjera të rërës, të cilat era i përzien sipas dëshirës”. Ndonëse ky tipar i turmës i bën jehonë sjelljeve irracionale agresive të saj në ngjarje revolucionare, mungesa e sensit të anonimitetit mbizotëron edhe në mjedise të tjera, artificialisht të paqta si ky i yni. Turma e shtëpive manifeston sot një mentalitet që perifrazuar në një slogan masiv do të ishte:“nuk merrem me politikë”,çka e vendos mbikëqyrësin nga ekrani në një pozicion të rehatshëm anonimiteti, ku mosreagimi i tij ka pasoja që i mbesin kolektives, por, sipas tij, jo atij individualisht. Paradoksi i parë është që mosmarrja me politikë do të duhej ta largonte vëzhguesin nga ekrani dhe jo ta bënte atë vëzhgues pasiv. Por me këtë do të merremi më pas. Ndaj përtej kësaj, a do të kuronte nënvetëdijen vallë fraza “nuk merrem me politikë” nëse korrupsioni dhe skandalet famëkeqe nuk do të ishin vjedhje nga “e përbashkëta”, por një vjedhje natën në shtëpinë e tij, në sirtarin ku ruan kursimet? Në turmë individi është anonim, dhe po anonime janë pasojat e veprimeve të tij, edhe ato të të mos vepruarit.

Së katërti, në turmë, individët janë lehtësisht të ndikuar nga opinionet dhe sugjerimet e të tjerëve, duke u shtyrë të ndryshojnë sjellje sipas asaj që është duke bërë turma. Në këtë pikë, duhet shkuar në mjedisin folklorik dhe shoqëror, aty ku si shoqëri, ne priremi të ndërtojmë mendimet, zgjedhjet dhe rrugëtimin tonë me një ndjenjë turpi dhe ndrojtjeje ndaj asaj si do të perceptohet në familje, mes miqsh, në farefis, në shoqëri, mes kolegësh e të tjerë. Kjo nuk është veçse dizenjimi i një portreti me mungesë të theksuar autonomie, pavarësie, lirie. Kjo na bën performues, jo veprues, imitatorë, jo origjinalë. Duke u kujdesur të mos dalim nga rreshti i opinionit shoqëror, po ashtu kemi vepruar ne me politikën dhe sfidat që na ka hapur ajo. E para dobësi e turmave që shfrytëzojnë regjimet totalitare, si ai dje, dhe ato më të buta autokrate, si ky sot, është mungesa e guximit të një shumice të konsiderueshme për të dalë nga rreshti i turmës. Logjika e lyp të pranohet se protestuesit në kohë plogështie janë në fakt përjashtim nga turma, po aq sa manifestues të emancipimit ndaj paragjykimit kolektiv.

Së pesti, po tek Le Bon gjendet përgjigjja e pyetjes: “Kush ia imponon turmës së shtëpive mënyrën e (mos)reagimit?”. Autori do të përgjigjej: “Kushdo që u jep atyre (njerëzve të turmës) vegime (illusions), bëhet lehtësisht master i tyre. Kushdo që ua shkatërron atyre vegimin, kthehet në viktimën e tyre.” Me një shkëputje gati hendek mes realitetit të përditshëm dhe imazhit, në më shumë se një dekadë, pushteti i Rilindjes, përmes propagandës përqaset të krijojë vegimin e një Shqipërie që përparon. Kushdo që me kokëfortësinë e fakteve apo me luajalitetin e argumenteve përpiqet t‘u kujtojë shqiptarëve se fasada dhe vegimi ruan nën vete një realitet të errët politik, ekonomik dhe social do të portretizohet si plangprishës i vegimit (përfytyrimit) të Shqipërisë së zhvillimit. Andaj, pushteti aktual është ofruesi i vegimit, për rrjedhojë drejtues i turmës së shtëpive, ndërsa opozitës shpatullat i shtypen fort nga gjykimi publik i së njëjtës turmë, dhe kjo e bën këtë të fundit, viktimë të saj.

Sipas Le Bon, njerëzit në turmë ndërtojnë një sens unanimiteti duke bërë që çdo njeri, i cili nuk mendon si turma, pra mendon dhe vepron jashtë kufijve të diktuar, të përballet me mungesë të theksuar tolerance dhe armiqësi prej saj. Andaj, nuk është frut i rastësisë e as casus përjashtimor fakti që opozitarët shqiptarë përballen jo më drejtpërdrejt me pushtetin, por me një gjyqësi dhe armiqësi të koordinuar publike e të dirigjuar mediatikisht, ku nga pozicioni legjitim politik për një opozitë – ai i sulmit, – ata i dorëzohen nevojës për të mbrojtur deriedhe mënyrën si protestojnë.

Së fundmi, “një turmë e dehur në iluzion, nuk do të ndikohet nga thirrjet për racionalitet, për arsye” – thotë Le Bon. Për aq sa thirrjeve për racionalitet ndaj dramës që po përjeton vendi i përgjigjet ajo pjesë e shoqërisë që gatitet të protestojë, me kalkulim bazik, pjesa refuzuese – mbikëqyrësit nga ekrani- mbeten e vetmja turmë.

Vojerizmi politik, shijojnë pa vepruar

Tanimë që ekskluziviteti në terminologji dhe sjellje i “turmës” e gjeti shtratin e vet, ia vlen të shkojmë edhe më tej pas perdes. Çfarë i shtyn mbikëqyrësit e protestës nga shtëpia të kuriozohen dhe ta ndjekin me vëmendje ecurinë e saj, aq sa të përjetojnë kënaqësinë e të vëzhguarit nga larg apo të futen në spiralen e kritikave, por pa vepruar? Një mendje sado pak e pafriguar për të mos i mohuar deduksionet logjike, do të thoshte se mbikëqyrësit e protestës nga shtëpia, ata që për këndvështrimet e shpërfaqura deri më tani kanë ekskluzivitetin e turmës, manifestojnë në fakt një çrregullim.

Mbikëqyrësit e ekraneve ose turma e shtëpive merret me politikë dhe këtë e dëfton ndjekshmëria e një zhvillimi politik si protesta. Ajo kadijeni, njohuri dhe është vigjilente për atë çfarë e rrethon. Shkurtpranuar, protesta tek mbikëqyrësit e ekraneve provokon kuriozitet. Përsa kuriozohen dhe e ndjekin, kjo po ashtu dëfton se ata nuk bezdisen. Krejt kundrazi, ata e shijojnë deri në pikën e ngacmimit të ideve dhe kritikave se si duhet bërë protesta. Turma e shtëpive nuk e refuzon aktin e protestës, madje në një pjesë të saj, ajo e përkrah verbalisht atë. Këto sinjale manifestojnë një çrregullim në sjelljen dhe prirjen e mbikëqyrësve të ekraneve, atë të shijimit pa vepruar. Interesi dhe kurioziteti janë të parët të pranishëm: mbikëqyrësit dëgjojnë dhe e ndjekin qëllimin, zhvillimin dhe rezultatin e protestës. Ata krijojnë pritshmëri, çka sinjalizon se janë të përfshirë emocionalisht dhe intelektualisht në zhvillimin e saj. Në varësi të të qenurit pro apo kundër protestës (dhe kjo nuk e ndryshon unanimitetin në kuriozitet ndaj saj), gjatë dhe pas përfundimit të protestës ata marrin dy pozicione: ose përmbushen emocionalisht (kur janë pro), ose provokohen negativisht dhe shfrehen në kritikë (kur janë kundër). Në të dyja rastet, ata e shijojnë protestën, ndonëse në mënyra të ndryshme.

Të gjitha impulset do të provokonin një reagim, ndërkaq reagimi mohohet me vigjilencë të plotë. Me sytë nga ekrani, shterpë në veprim, ajo që turma bën quhet vojerizëm politik. Ajo vëzhgonpa u shfaqur në sheshe dhe rrugë, shijon pa vepruar, përmbushet me emocione pozitive ose negativepa ndërmarrë në asnjërin rast angazhimin apo përgjegjësinë e të vepruarit.Mbikëqyrësit e ekraneve janë jo vetëm e vetmja turmë, por fragmenti shterpë i shoqërisë që skutet në prirjet patologjike tëshijimit dhe përmbushjes pa mundur, pa dashur, pa vepruar.

/Shpjegime
*Vojerizmi (voyerism): përkufizohet si prirja deri në çrregullim psikologjik i një personi për të vëzhguar të tjerët pa dijeninë e tyre, zakonisht në situata private ose intime, me qëllim përfitimi emocional ose kënaqësie personale.
* Vojerizmi politik (political voyerism):është një term i përshtatur për të pëshkruar prirjen për të vëzhguar, komentuar ose konsumuar politikën si spektakël, pa angazhim, përgjegjësi ose pjesëmarrje aktive.Këto i zëvendëson thjesht kurioziteti, komentimi dhe gjykimi pasiv, të gjitha si konsum shijimi.

About Redaksia

Check Also

Editoriali i përbashkët Rama-Vuçiç, një thikë pas shpine ndaj Kosovës dhe turp kombëtar!

Nga Bujar Leskaj Botimi i një editoriali të përbashkët nga dy autokratët e Ballkanit, Rama …