Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për kriminalitet dhe korrupsion, duke paralajmëruar se ai do të përballet me drejtësinë.
Berisha theksoi se, Shqipëria nuk mund të lejojë që Rama apo udhëheqës të tjerë të mbyllin rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se qytetarët do të jenë ata që do ta nxjerrin nga pushteti.
Ai kritikoi gjithashtu politikën ndërkombëtare të kryeministrit, duke e krahasuar me praktikat diktatoriale të regjimeve të kaluara dhe duke vënë theksin te përgjegjësia për mbrojtjen e ligjit dhe Kushtetutës.
Berisha: Ky konsideron qytetarin, më falni për shprehjen, por atë e përdor ndonjëherë ‘hunj të kuq’, njerëz që nuk kanë mendjen, njerëz që nuk arsyetojnë.
Të gjithë fushatën e bëri me integrimin europian. U tha që në, 2027-2028 jemi në BE. Tani thotë, jo. Tani thotë, nuk ka më nevojë që të shkojmë aty. Merr dhe Vuçiçin si dëshmitar, dhe i bëjnë letër. Por a do lejojmë ne të përcaktojnë fatin tonë kriminelë si Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç?
A do lejojmë ne që të mbyllin ata dyert e Europës për ne. Kurrën e kurrës! Ky, po të dojë të shkojë në Beograd. Dhe atje do e kapin, dhe atje do e gjejnë. Po ne, rrugën e Europës nuk na e mbyll dot njeri. Imagjinoni, për çfarë është Durrësi?
Durrësi në shekuj ishte kryeura e kombit me Perëndimin dhe tani që po ecnim, tani del ky, thotë jo, do bëj vjedhjet e mia unë, nuk kam punë me standardet e Europës unë. Kurrë ndonjëherë fati i Shqipërisë nuk ka qenë kaq në rrezik. Pse? Ua them unë.
Enver Hoxha në 1946 e ndau nga bota Perëndimore, një armik i vërtetë. Por ishin dy kampe, e vendosi në kampin e gabuar. Kurse ky, ku po e nxjerr Shqipërinë që do ta largojë nga BE? Ku do ta çojë? Me Serbinë? Ku do ta çojë?
Ky Shqipërinë do ta shndërrojë në çiflikun e tij për ta vjedhur çdo ditë. Ndaj dhe ne, do t’i përgjigjemi këtij me guximin më të fuqishëm, me zemërimin më të fuqishëm, dhe ne do ta rrëzojmë këtë.
Miq, stina është e demokracisë, e demokratëve, nuk është e diktatorëve.
3 mijë djem dhe vajza vrau Ajetollah Kameini në Teheran para 1-2 muajsh. Nuk tha një fjalë të vetme për ekzekutimin e tij. Pse nuk foli? Kompleksi i diktatorit. E ndjen në shpirt se është si ai, diktator. E ndjen në shpirt se koha për të nuk po punon. Por edhe ne tani, ne nuk presim të vijë as Amerika, askush tjetër. Ne jemi mirënjohës dhe duhet të jemi shumë mirënjohës. Dhe ju e dini që unë e bëj me gjithë zemër mirënjohjen ndaj miqve që erdhën dhe thanë: që në qoftë se mbron Belindën, ti me ne nuk ke punë më. Se nuk mundet që ne të pranojmë një qeveri e cila del mbi ligjin, mbi Kushtetutën për të vjedhur. Ia thanë gjermanët. Në mbledhjen e grupit i shpalli armiq. Leji tha, ata na kanë bërë të këqija shumë ne.
Na kanë dhënë nja 1.5 miliardë euro ndihma në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtu, ndihmat e tyre janë ndjerë, i kujtoj si sot. Po kështu vendet e tjera. Ato jo. Sado të na mbyllësh ne dyert e Europës, do të të mbyllim ty në qeli Edi Rama. Dhe ta them haptas: ti do shkosh në burg, po. Dhe as mos negocio, as mos u lodh të negociosh se forcë në botë që pengon popullin shqiptar pa të çuar ty aty ku e meriton nuk ka. Por tregove se je i aftë të bësh ndaj tyre ato që ka bërë Enver Hoxha, ta izolosh, ta grabisësh, ta shtypësh, ta plaçkisësh.
Gazeta RD