Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi: Financimi i partive të garantojë pluralizmin, jo kontrollin politik!

Financimi i partive politike është kthyer në çështjen qendrore të diskutimeve në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke vënë përballë dy parime themelore: nevojën për transparencë të plotë dhe domosdoshmërinë për të mbrojtur pluralizmin politik.

Në një mbledhje dëgjimore me format të gjerë, me praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë, ekspertëve dhe shoqërisë civile, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, theksoi rëndësinë e procesit gjithëpërfshirës dhe marrjes së inputeve nga të gjitha palët.

Bylykbashi theksoi nevojën për një balancë të kujdesshme mes transparencës dhe garantimit të pluralizmit, duke kërkuar një sistem që të shërbejë si “sistem limfatik” për politikën shqiptare – që mundëson funksionimin normal dhe demokratik të partive, duke siguruar njëkohësisht transparencë.

Ai shtoi se ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës, jo vetëm për partitë kryesore dhe parlamentare, por edhe për partitë e vogla, të reja dhe ato jashtë parlamentit.

Bylykbashi: Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar shkëlqesi ambasador, zoti Taran, zoti Gonzato, drejtues të misioneve përkatëse të OSBE-së dhe Bashkimit Europian, të nderuar kolegë deputetë, përfaqësues të misionesh diplomatike, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Kjo, siç e tha dhe zoti Gjiknuri, është mbledhja e parë e këtij formati, pra kjo është një mbledhje dëgjese e Komisionit të Reformës në një format të tillë që na lejon që të jemi në maksimumin e inkluzivitetit dhe thithjes së qëndrimeve të ndryshme të cilat do i shërbejnë Komisionit të Reformës Zgjedhore më tutje kur në sesion pune të komisionit të jetë më konkret më pas në vendimmarrje që do marrë. I lejon gjithashtu dhe ekspertët e komisionit që të marrin inputin e nevojshëm, shtesë, apo edhe nëse është e mundur dhe atë që do të vijë nga përfaqësues dhe ekspertizë ndërkombëtare për të ecur përpara. Çështja që kemi sot në diskutim është një çështje me një rëndësi të jashtëzakonshme.

Është një çështje që dikur, rreth 25 viteve më përpara, Komisioni i Reformës Zgjedhore i asaj kohe e kishte si temë dhe në atë kohë ishte OSBE-ja që e kishte çështjen si çështje rekomandimesh, por sot nuk është vetëm OSBE-së, është gjithashtu një çështje qendrore e procesit që Shqipëria ka në integrimin në Bashkimin Europian. Dhe jo më kot është tashmë dhe pjesë e interim benchmarks. Ajo që është e rëndësishme është që këto janë rregulla të cilët në të shkuarën kanë qenë gjithmonë të bashkëndara, ndryshimet janë bërë në mënyrë të përbashkët dhe e rëndësishme është që të qëndrojmë në të njëjtin shtrat. Ajo që unë dua të theksoj, pa hyrë në detaje, është thënë në shumë tryeza, që funksionimi i partive politike është po aq një çështje thelbësore kushtetuese sa dhe transparenca e financimit të tyre. Në kushtetutë në mënyrë të shprehur, kërkohet nga partitë politike që të publikojnë financat e tyre. Por po kaq partitë politike janë organizma në nivel kushtetues të cilët janë, kanë rol themelor në formimin e pluralizmit dhe demokracisë parlamentare në Shqipëri. Kështu që është e vërtetë, është e rëndësishme.

Gjatë gjithë këtyre viteve është vënë theks shumë i madh, shumë i fortë tek transparenca. Dhe kjo është absolutisht jo vetëm një kërkesë kushtetuese, është kërkesë e Bashkimit Europian. Unë besoj dhe besoj ndajmë të gjithë një mendim, transparenca është një elementet e rëndësishëm që partitë politike të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur korrupsionin. Duke shmangur jo vetëm korrupsionin por dhe influencat kriminale apo influencat e faktorëve të tretë të huaj, të cilët kanë synim të ndërhyjnë në sistemin demokratik shqiptar. Pra duhet të jemi të kujdesshëm që të krijojmë një barrierë dhe t’i mbajmë të shëndetshëm pluralizmin politik dhe partitë politike. Por transparenca nuk mund të funksionojë pa patur ujë në burim. Pra duhet patjetër që financimi i partive politike të jetë i shëndetshëm, jo vetëm në aspektin e e pastërtisë, por dhe në aspektin e sasisë së financimit që partitë politike marrin për të qenë imune nga nevojat për të tu ekspozuar përtej asaj që kërkon ligji dhe interesi publik.

Pra së pari ne duhet të kujdesemi që financimi të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë që partitë politike të kenë mundësinë që të funksionojnë në mënyrë demokratike brenda tyre dhe në sistemin parlamentar. Pra duhet të bëjmë një balancë shumë të kujdesshme midis transparencës dhe pluralizmit dhe demokracisë në parlament. Në parlament dhe jashtë tij. Duhet që ky ligj të parashikojë, pra duhet të parashikojë një sistem limfatik për sistemin politik shqiptar, i cili është i tillë që i bën ato të funksionojnë në mënyrë normale, demokratike, po më pas të jenë dhe transparente. Pra ajo që ne do përpiqemi, duke filluar nga sot në punën me ekspertët dhe në konkluzionet që do vijnë më tutje, është që ky ligj të jetë sa më gjithëpërfshirës për interesat e partive, por dhe të publikut.

Po jo vetëm për partitë kryesore, po dhe për partitë e vogla apo partitë e reja, jo vetëm për partitë parlamentare dhe po dhe ato që janë jashtë parlamentit. Sigurisht që kjo është një arkitekturë e vetëm një pjese, ne duhet që i gjithë sistemi i partive politike të mund të jetë i tillë që garanton sa më lart. Vitet e fundit kanë treguar, kanë dhënë prova që ligji është abuzuar për të cenuar pluralizmin politik, por kjo nuk është tema e sotme. Tema e sotme është pikërisht se si ne të ndërtojmë një sistem financimi dhe transparence të financimit, i cili prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar, i cili do të ekspozonte partitë politike, kryesisht ato të opozitës, karshi instrumentave kontrollues.

About Redaksia

Check Also

Përplasje në Asamblenë e PS në Fier, socialistët sulmojnë Ballukun, Rama e merr në mbrojtje!

Asambleja e Partia Socialiste e Shqipërisë për qarkun Fier, e zhvilluar në ambientet e Teatri …