Media italiane L’Espresso, një ndër revistat më të njohura investigative në Itali e themeluar në vitin 1955 dhe e njohur për analizat kritike politike dhe investigimet mbi korrupsionin e krimin e organizuar, ka raportuar mbi tensionet e forta politike në Shqipëri, duke vënë në fokus përplasjen e drejtpërdrejtë mes kreut të opozitës Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas artikullit, për dy ditë me radhë qendra e Tiranës u kthye në arenë përplasjesh mes mbështetësve të opozitës dhe forcave të rendit. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe veçanërisht të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet në qendër të hetimeve serioze gjyqësore. Ajo është marrë e pandehur nga drejtësia dhe prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar, ndërsa vendimi i Kuvendit ende nuk është futur në kalendar.
Protesta u shoqërua me tensione të forta: godina e qeverisë u godit me molotovë dhe fishekzjarre, ndërsa nga përplasjet u raportuan dhjetëra të lënduar, mes tyre edhe efektivë policie, si dhe disa të arrestuar. Qeveria angazhoi mbi 1.300 forca policore për të kontrolluar situatën.
Artikulli i plotë
Shqipëria, korrupsioni trondit Ramën
Sali Berisha sulmon drejtpërdrejt kryeministrin, duke e akuzuar se e ka shndërruar vendin në një narko-shtet. Lideri socialist ia përmbys rivalit dyshime për terrorizëm.
Qendra e Tiranës për dy ditë u shndërrua në arenë përplasjeje mes qeverisë së Edi Ramës dhe opozitës së drejtuar nga Sali Berisha. Rruga që të çon drejt selisë së qeverisë shqiptare u kthye në një lumë njerëzish që dolën në shesh për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe, mbi të gjitha, të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e përfshirë në skandale të rënda gjyqësore.
Krahu i djathtë i kryeministrit socialist në dhjetor u mor i pandehur nga drejtësia dhe më pas u pezullua, pasi akuzohet se ka përdorur fonde publike për të favorizuar kompani private në tenderë me vlerë qindra milionë euro. Prokuroria e kryeqytetit shqiptar i ka kërkuar gjithashtu Kuvendit heqjen e imunitetit për Ballukun, por votimi ende nuk është futur në kalendar.
Që nga fundi i vitit 2025, Partia Demokratike ka dalë tri herë në protestë, por kësaj radhe pjesëmarrja ishte masive dhe qeveria e Ramës reagoi duke angazhuar mbi 1.300 efektivë policie me pajisje kundër trazirave. Objektivi i turmës që përshkoi rrugët e kryeqytetit të vogël ishte godina e ekzekutivit, e cila u qëllua me bomba molotov dhe fishekzjarre. Të plagosurit në përplasje ishin disa dhjetëra, mes tyre 16 policë, ndërsa të arrestuarit 25.
Protesta u dominua nga lideri i vjetër i qendrës së djathtë, Sali Berisha, i cili para mbështetësve të tij sulmoi drejtpërdrejt ekzekutivin me akuza shumë të rënda. «Regjimi i Ramës është madje më i keq se diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Ne shqiptarët kemi vuajtur për dekada dhunën dhe izolimin ndërkombëtar për shkak të armiqve të kombit tonë. Sot mund të rifillojmë dhe duhet ta bëjmë këtë duke u çliruar nga gjithçka që e pengon popullin shqiptar të jetë i lirë. Regjimi i krijuar nga Edi Rama është një makth për kombin tonë dhe ai është armik i Shqipërisë. Mund të konfirmoj se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 majit të kaluar, të cilat ishin një farsë e vërtetë elektorale. Rama përfaqëson sot kërcënimin më të rrezikshëm për vendin, madje më të madh se regjimi komunist».
Prej tashmë 13 vitesh është Partia Socialiste që dominon skenën politike të Vendit të Shqiponjave dhe Berisha e di mirë se, duke parë rezultatet e fundit zgjedhore, formacioni i tij ka nevojë të rifitojë besueshmërinë.
Në rrugët e Tiranës, megjithatë, mbizotëron sidomos zhgënjimi dhe ata që protestojnë e bëjnë këtë për kushtet e vështira ekonomike dhe korrupsionin e përhapur, më shumë sesa për të mbështetur Partinë Demokratike. Sali Berisha ka përfituar nga hetimet e drejtësisë për të sulmuar qeverinë, duke u paraqitur si kampion i transparencës, pasi ka vuajtur një vit arrest shtëpie dhe është rikthyer në liri në nëntor 2024, për favorizimin e dhëndrit të tij në privatizimin e një ish-kompleksi sportiv. Liderit të qendrës së djathtë shqiptare i është ndaluar gjithashtu hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe, sepse, sipas drejtësisë britanike, do të kishte lidhje me krimin e organizuar. Ai kundërpërgjigjet dhe i përmbys dyshimet ndaj rivalit: «Edi Rama kërkon të përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e tij dhe është rrethuar me njerëz si Belinda Balluku, armiq të popullit shqiptar. Kam frikë se kryeministri aktual do të përpiqet të përfitojë edhe nga marrëveshjet me Italinë. I kujtojmë premtimet e tij të rreme se Shqipëria nuk do të priste kurrë migrantë nga vendet e pasura perëndimore. Që kur është në qeveri, trafikantët e qenieve njerëzore janë rikthyer në detet tona dhe nuk do të doja që migrantët që vijnë nga Italia të përbëjnë një biznes të ri». Akuza personale dhe jashtëzakonisht të rënda ndaj Ramës, i cili sipas Berishës nuk respekton as pakicat.
Në vitin 2018, në një nga teprimet e tij të zakonshme, ish-presidenti dhe ish-kryeministri kishte arritur madje të thërriste për një revoltë të armatosur kundër qeverisë socialiste, duke e cilësuar atë si një diktaturë kriminale. «Jam këtu mes jush për të kërkuar dorëheqjen e këtij ekzekutivi të papërshtatshëm – përfundoi Sali Berisha duke iu drejtuar turmës – Dua t’ju falënderoj që keni ardhur të protestoni në mënyrë paqësore. Por Edi Rama kërkon gjakun tuaj dhe për këtë arsye nuk janë angazhuar efektivë të zakonshëm policie, që janë pranë popullit, por snajperë të ardhur për t’ju goditur. Kam denoncuar tashmë në Parlamentin Evropian se situata në Shqipëri përbën një kërcënim për sigurinë e Evropës, sepse është shndërruar në një narko-shtet të drejtuar nga Edi Rama, i mbiquajtur Noriega i Evropës. Kartelët e drogës, të lidhura me kryeministrin, e kanë shndërruar Tiranën në një qendër të pastrimit të parave përmes ndërtimit dhe resorteve turistike. I kam kërkuar Këshillit të Evropës të ngrejë zërin kundër këtij regjimi që e ka zhytur Shqipërinë në drogë, vetëm për qëllime elektorale».
Edi Rama është përgjigjur duke akuzuar Partinë Demokratike se ka zgjedhur dhunën dhe ka kërkuar drejtësi për policët e plagosur në përplasje, si dhe dënime të rënda për ata që rrethuan godinën e qeverisë. Banori i Pallatit të Brigadave ka akuzuar gjithashtu formacionin e qendrës së djathtë se është i vetmi parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë, duke e krahasuar me partinë e ish-liderit të Zimbabvesë, Robert Mugabe. Kreu i socialistëve i ka këshilluar opozitës të ndalojë së ndjekuri një lider mbi tetëdhjetëvjeçar, i interesuar vetëm për interesat e tij personale dhe plotësisht i diskredituar.
Një përplasje që nuk duket se ka arritur në epilog, me Sali Berishën që synon mbështetjen e sheshit për t’u rikthyer në pushtet në një vend që dëshiron të mbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2027, me një hyrje të parashikuar brenda vitit 2030.
Gazeta RD