Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, nga Foltorja e Kuvendit tha se, figurat ministrore janë pa individualitet politik dhe shërbejnë si një fasadë për një pushtet të centralizuar.
Ai tha se, Partia Socialiste po shndërrohet nga aset kombëtar në rrezik kombëtar, duke akuzuar mazhorancën për pengim të drejtësisë dhe minin të integrimit evropian.
Gjekmarkaj kundërshtoi ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të cilat reduktojnë kohën e fjalës për deputetët nga 10 në 5 minuta dhe zhvendosin raportimet e institucioneve në komisione me dyer të mbyllura.
Fjala e deputetit Gjekmarkaj
Tragjike sepse kryeministri nuk është i lirë, tragjike frika e tij, tragjik guximi që lind prej frikës. Tragjike kotsia profesionale dhe politike e këtyre individëve.
Gjithçka është e tillë, por spërpjekjes tuaj për t’i mbrojtur, ajo është edhe komike. Shtatë lëvizje brenda saj janë një përzierje për mbijetesë personale.
Ministrat që vijnë, apo ata që ndërrohen dhe rrinë me fytyra herë të qeshura e herë të zymta e të ngurosura, nuk e di pse më duken të gjithë njësoj, madje më duket sikur kanë vetëm një emër dhe një mbiemër.
Figura pa individualitet dhe pa personalitet politik dominojnë thotë qeverinë e Partisë Socialiste.
Nga 200 petritat e vitit 2013, ka mbetur vetëm një zonjë e trishtë, që duket sikur me zemër të ngrirë, pret katil habere dhe sheh filxhanin nga friga e sikter kafesë. Partia Socialiste duhej të sillej si aset kombëtar, ndërkohë që po shndërrohet në rrezik kombëtar, duke penguar drejtësinë me puç kartoni, duke promovuar vazhdimësinë korruptive si pengesë për SPAK-un, duke minuar ëndrrën shekullore, integrimin evropian.
Në këtë revansh, në këtë regres, në këtë turravrap, mazhoranca socialiste propozon njëanshëm një tjetër ndryshim rregulloreje. Pasi kohë më parë po njëanshëm, e shndërroi atë në një kasaphanë politike ku pezullohen me tre muaj deputetët e opozitës. Tani ju e keni problemin me fjalën dhe të vërtetën.
U keni shpallur luftë atyre. Gjkuar nga dialektika është metafizikë, gjykuar nga kultura popullore është luftë me mullinjtë e erës. Ju kërkoni që fjala e deputetëve të reduktohet nga 10 minuta në pesë.
Ju synoni shndërrimin e kuvendit në një teatër formal, ku debatet, kritikat dhe lufta politike degradohen. Raportimi i institucioneve zhvendoset nga seanca plenare në një komision të mbyllur duke futur gjithçka në errësirë dhe në fshehtësi. Ky është një sulm frontal ndaj transparencës, sulm ndaj qytetarëve që përfaqësojnë, që përfaqësojmë këtu, sepse rrugët tuaja po shemben, portet po sekuestrohen nga SPAK-u, aeroportet dhe akshi gjithashtu.
Çfarë ju mbetet ju për historinë 13 vjeçare? Edi Rama prej kohësh e ka skopuar, relativizuar, fyer parlamentin dhe nuk e di, a është ai, arkitekti i rregullores së re, apo ndonjë çehaja që do t’i gjendet dhe do të bëjë si i domosdoshëm në këto orë të vështira për të.
Atëherë përfitoj nga rasti t’ju bëj disa propozime publike për rregulloren e re se mbasi ju bëjnë punë. Kur qeveria hyn në sallë, deputetët ngrihen në këmbë dhe përkulen lehtë në shenjë nderimi. Kur në sallë hyn kryeministri, bien daullet, një deputet i opozitës mbas te Klvis Balliu, i dhuron një buqetë me lule, i çon edhe një kafe pa sheqer.
Kur flet ai, një duartrokitje e gjatë dhe e ngrohtë pesë minuta, e shoqëruar me mbyllje nga rënia e gongut dhe e monitoruar nga kryetari i kuvendit. Kur flasin ministrat, duartrokitja zgjat dy minuta e monitoruar nga zëvendës kryetarja. Kur qeveria është e gëzuar, deputetët duhet të buzëqeshin. Kur është e ngrysur, duhet të heshtin. Në çdo rast shamia e lotëve duhet të jetë në xhepin e djathtë dhe domixhani i lotëve në krahun e majtë. Kur fshihen qyrrat duhet të dënoheni me 30 ditë. Kur të shtini me 60 ditë. Të ngrihet një komision i virtytit kundër vesit i kryesuar nga mazhoranca.
Kuvendi mblidhet një herë në gjashtë muaj, në fillim në vjeshtë kur vilet bereqeti e pastaj në pranverë para se të bëhet gati plazhi. Kush s’e pohon sa mirë jetojmë, kopaniset. Kryetarët e grupeve parlamentare bëjnë një temena, një përshëndetje, pyesin kryeministrin dhe ministrat si janë me shëndet, a janë lodhur, a janë mërzitur dhe pas përgjigjeve të tyre seanca mbyllet, më të besuarit shpërndajnë llokume me tabaka. Historia e Shqipërisë ka treguar shpesh se individë të dobët mund ta ndajnë vendin nga Evropa, por qytetarët janë forca që mund të mbajnë gjallë pluralizmin dhe lidhjen me kontinentin.
Nëse shqiptarët zgjidhin të qëndrojnë dhe të përballen, demokracia do të mbijetojë. Nëse ikin të dëshpëruar, ajo vdes dhe vendin e saj e zë farca, politika e cila shndërrohet në xhungël. Për një moment supozojmë se ju e shuni opozitën dhe opozitarizmin. Pa e kuptuar që opozita është garancia më e madhe e lirive tuaja, e sigurisë suaj edhe personale, e dinjitetit tuaj si individ, i familjeve tuaja. Dobësimi dhe asgjësimi i saj ju kthen ju në numra.
Ju jep ju vetëm një mundësi, të tregoni zell, të vraponi për t’u servilosur, të shtireni, të bëni hosana. Por çdo ditë do jeni në fijet e perit, sepse nuk do jetë më rregullorja, as kushtetuta, as institucionet që do ju japin garanci, por humoret dhe emocionet që do të jenë të një individi, kulti i të cilit i vë themelet tek strukja dhe frika juaj. Pastaj do përfundoni të thoni: Allahile, ç’ka ka beu që nuk po e merr ras sot, mos i ka ngel hatri? Ju ktheheni aty ku ishit para se Partia Demokratike të shfaqej në skenën e historisë. Ky është paralajmërim për të gjithë ne. Pjesëmarrja qytetare dhe guximi për të folur janë shpresa e vetme për një Shqipëri normale.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila e shpalli të paligjshëm arrestimin e Sali Berishës, tregon përdorimin e drejtësisë kundër opozitës gjatë vitit elektoral, por edhe shtetin me dy standarde në të cilin ne jetojmë.
Rregulloret e njëpasnjëshme, heshtja e imponuar dhe depersonalizimi nuk janë thjesht aksidente, por shenja të katastrofës që po na qaset. Mbipushteti nuk është problem vetëm i opozitës, mbipushteti shtyp çdo qytetar dhe shkatërron shpresën për një të ardhme siç kjo shoqëri e meriton dhe ka luftuar 35 vite. Mbipushteti duhet të ndalet para se të shkatërrohet gjithçka, para se t’ju shkatërrojë edhe ju vetë një ditë.
Gazeta RD