Skandali me Ambasadën në Gjermani/ Foto e spiunit rus të punësuar nga Ambasadorja e Ramës në Gjermani

Ambasada e Shqipërisë në Berlin është përfshirë në një hetim penal që lidhet me dyshime për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të rregullave të sigurisë në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Gjermani.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, më 8 gusht 2025 është regjistruar procedimi penal me numër protokolli 6025 ndaj ambasadores shqiptare në Gjermani, Aida Sakiqi, dhe shtetasit rus Walter Borisoviç.

Në kuadër të hetimit, prokurorët kanë sekuestruar serverin që përmban regjistrimet e kamerave të sigurisë në ambasadën shqiptare në Berlin. Aktualisht serveri ndodhet në administrim të oficerit të policisë gjyqësore Ismen Muçmata, ndërsa hetuesit po analizojnë rreth dy muaj regjistrime për të verifikuar aktivitetin dhe lëvizjet në ambientet e ambasadës.

Hetimet fokusohen veçanërisht në kontaktet dhe lëvizjet e ambasadores me shtetasin rus Walter Borisoviç, i cili rezulton të ketë qenë këshilltar i saj. Për çështjen është informuar edhe policia federale gjermane, e cila po kryen verifikimet përkatëse për veprimet e dyshuara të kryera në territorin gjerman.

Sipas dokumenteve të hetimit, çështja po hetohet për tre vepra penale:
• “Shpërdorimi i detyrës” (Neni 248 i Kodit Penal)
• “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” (Neni 186)
• “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” (Neni 245)

Procedimi penal ka nisur pas një kallëzimi të paraqitur nga dy diplomatë të ambasadës shqiptare në Berlin, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e identitetit, si dhe nga informacione të ardhura nga zyrtarë të institucioneve gjermane.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se dosja po trajtohet nga prokurori Bledar Valnikaj, ndërsa më herët prokurori i SPAK Adnand Xholi e kishte përcjellë çështjen për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës duke kërkuar hetim të menjëhershëm.

Gjatë verifikimeve paraprake janë marrë në pyetje disa pjesëtarë të stafit diplomatik dhe dëshmitarë të tjerë, ndërsa hetuesit po analizojnë dokumentacionin administrativ dhe financiar të ambasadës.

Sipas burimeve nga përfaqësia diplomatike, ndaj ambasadores janë ngritur akuza për abuzime në menaxhimin e fondeve, manipulim të dokumenteve zyrtare dhe ndërhyrje në proceset e emërimit të stafit.

Hetimi ka evidentuar gjithashtu shkelje të rregullave të sigurisë në lidhje me punësimin e personave me shtetësi të huaj në ambasadë, mes tyre shtetasi rus Walter Borisoviç dhe shtetasja bullgare Biljana Naumov.

Sipas burimeve diplomatike, për largimin urgjent të Borisoviç nga struktura e ambasadës është dashur ndërhyrja e SHISH-it dhe e shërbimeve të sigurisë gjermane, pasi prezenca e tij u konsiderua problematike nga autoritetet partnere. Ai është vërejtur nga shërbimet e huaja edhe gjatë pritjes së kryeministrit Edi Rama në aeroportin e Berlinit, ku ndodhej së bashku me stafin e ambasadës.

Ndërkohë, gjatë hetimit është raportuar se dy diplomatë që kishin dhënë dëshmi kundër ambasadores janë larguar nga detyra, çka sipas burimeve po verifikohet nëse lidhet me presion ndaj dëshmitarëve.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ndërsa autoritetet shqiptare dhe ato gjermane po bashkëpunojnë për verifikimin e plotë të rrethanave të këtij rasti./ Publik-Media

About Krye Redaktor

Check Also

Arben Malaj i përvishet Taulant Ballës/ “Mashtrues odiner, numri 0900…”

Arben MALAJ Mashtrues ordinere!.Ska numër “900” në BE. Ja sqarimi i “Dielles” se BE-se. Si …