Krimi i diktaturës/ 6 Marsi, dita që të kujtojmë dëshmorin Spartak!

Edi DELIU
Një trishtim shumë i madh ma mbërthen zemrën gjithnjë këto kohë, veçanërisht në ditët para dhe pas 6 marsit. Po, sepse ka data që nuk janë thjesht numra në kalendar. Ndër të tjera janë plagë të hapura në kujtesë, janë gurë të rëndë në zemrën e një familjeje, janë faqe historie që nuk duhet të zbehen kurrë. Kështu është edhe 6 marsi. Një datë që për botën mund të jetë thjesht një ditë e zakonshme, një ditë tmerrësisht normale por që për mua është një plagë që nuk është mbyllur kurrë dhe s’besoj se mund të mbyllet kurrë, përveçse kur të mbyllen sytë në pushimin e amëshueshëm. Sepse në këtë ditë të mallkuar, shumë vite më parë, jeta mori një kthesë që nuk do të mund të kthehej më pas.
6 mars 1991! Sa shumë vite që kanë kaluar. Sa shumë vite pa ty, vëllai im i dashur, Spartak. Vite që në këto momente më ngjajnë si minuta të shkurtra, por herë të tjera si një pafundësi e rëndë që nuk kalon kurrë. Sepse koha rrjedh, po, por ajo nuk e shuan dot mallin e as nuk e fshin dot kujtimin e një vëllai, dashurinë time të pafund.
6 mars! Në ditë si kjo, kujtimi yt më shfaqet i gjallë dhe i ndritshëm, sikur koha të mos ketë shkuar asfare. Më del para syve të mendjes ashtu siç ishe: një djalosh i ri në moshë, por me një mendje të pjekur dhe me një shpirt të madh. Me një fytyrë të bukur, plot hijeshi dhe me një zemër që rrihte fort.
Dhe pikërisht në lulëzimin e rinisë, në atë çast kur jeta kishte ende aq shumë për të dhënë dhe për të marrë, dora kriminale e regjimit kriminal komunist të qëlloi në lule të ballit. Një plumb i ftohtë, i padrejtë e ndërpreu rrugën tënde në këtë botë, duke të shkëputur nga familja, nga ëndrrat dhe nga jeta që kishe përpara.
M’u pranë meje, e unë që s’e dija ku! Të ndjeja, të kërkoja me sy e me zemër dhe nuk të gjeta dot, për të të mos parë kurrë.
Ai plumb nuk mori vetëm jetën tënde, të një djali të ri. Ai shënoi një sakrificë të pafundtë.
Sepse ti, vëllai im, nuk ishe thjesht Spartaku im, Spartaku i familjes sonë. Ti u bëre një simbol i një kohe të trazuar, një dëshmi e gjallë e sakrificës së një brezi që kërkonte liri. Gjaku yt u bë pjesë e historisë së këtij vendi. U bë pjesë e rrugës së vështirë drejt një Shqipërie më të lirë. Sot je dëshmor i Atdheut.
Por, sa më dhemb zemra kur mendoj se sa pak të kujtojnë. Sepse koha kalon dhe kujtesa e njerëzve shpesh zbehet. Shumë nga të rinjtë e sotëm nuk e dinë se kush ishe, as nuk e kanë idenë se çfarë ndodhte ato kohë, ato ditë të trazuara dhe se çfarë sakrifice u bë për të ardhmen e tyre.
Por, për mua dhe për ata që të deshën, ti nuk je kurrë një kujtim i largët. Të ndjej gjithmonë përkrah.
Uhhhh! Sa shumë vite kanë kaluar nga ai 6 mars i mallkuar i vitit 1991, nga ai 6 mars kur policia kriminale e diktaturës që po shuhej, të rrëmbeu me dhunë nga kjo jetë e gënjeshtërt tokësore. Duke menduar se mund të të shuanin përgjithmonë. Por nuk e dinin se ka jetë që, edhe kur priten në mes, bëhen më të forta në kujtesën e njerëzve.
Shpesh të mendoj se tani je aty, në Paqen e Përjetshme, në krahët e Zotit të gjithçkaje. Ndoshta nga atje lart sheh këtë botë, sheh këtë vend për të cilin u derdh gjaku edhe i shumë djemve të rinj si ty.
Dhe unë… nëpër botë, duke mbajtur në zemër kujtimin tënd. Kanë ndodhur shumë gjëra këto vite vëlla. Ndryshime, histori, gëzime dhe zhgënjime. Je bërë me mbesë, edhe me nip. Babai na la! Më bëhet sikur ulem pranë teje e t’i tregoja të gjitha, fije për pe, siç bënim dikur.
Por ndoshta nuk është e nevojshme. Sepse në një mënyrë që vetëm zemra di ta kuptojë, ti je gjithmonë me mua.
Në çdo kujtim.
Në çdo mendim.
Në çdo 6 mars që rikthehet.
Qofsh i bekuar dhe në paqe pranë Zotit, vëllai im i dashur, Spartak.
Sepse ka jetë që nuk mbarojnë kurrë. Dhe kujtimi yt është një prej tyre.

About Krye Redaktor

Check Also

Kush e denoncoi Ballën për trafikun e prostitutave moldave/ Biseda me vëllanë e Suel Çelës për Berishën

 Keni një koment për atë që ndodhi në Kuvend, fyerjet e Taulant Ballës ndaj deputetes …