Shty e shty, prit e prit, por koha erdhi. Ramës i ka mbetur vetëm një javë afat për të vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë me Belinda Ballukun, zëvendësen e tij, njeriun më të besuar politikisht që i kishte lënë në duart kasafortën që mban gjysmën e buxhetit të Shqipërisë.
Do t’ia dorëzojë SPAK-ut me pranga në duar, apo do refuzojë kërkesën e institucionit të akuzës?
Deri më tani kryeministri ka dhënë shenja se Belën nuk e ka hedhur, ndryshe nga bashkëpunëtorët e tjerë që i flaku, pa e kthyer kokën pas. Atë e shkarkoi nga detyra, i detyruar, pasi për të ishte në fuqi vendimi i pezullimit nga detyra, por Rama la sërish duart e saj në qeveri me individë të besuar që tashmë mbajnë poste ministrore në infrastrukturë dhe mbrojtje.
Pafundësisht nuk mund të fitojë kohë dhe tashmë Rama i ndodhur mes dy zjarresh; presionit të Ballukut dhe presionin ndërkombëtar dhe opozitës për lëshimin e saj, do të bëjë një zgjedhje. Të enjten e ardhshme është dita vendimtare dhe Rama në kokën e tij e ka vendosur, por ende nuk ua ka shprehur deputetëve, që për të janë thjesht ca kartonë jeshil apo të kuq sipas rastit.
Nëse Rama lëshon Belën, atëherë do i duhet të lidhë kokën me peshqir të lagur, pasi sado siguri që mund të marrë nga e besuara e tij që njeh mirë “kodin omerta”, nuk do jetë i qetë. Rreziku është pikërisht nga të vetët, që po hanë kokat mes tyre, por janë gati të cimbojnë ngadalë edhe “kokën e madhe” drejtuese. Grupime brenda PS-së po tregojnë forcën që në këtë rast nuk matet me “ideaologji politike”, apo “parime”, por forcën e parasë së korrupsionit të futur në një qese me atë të krimit.
Nëse vendos t’i shkojë qëndrimit të deritanishëm për t’i thënë jo kërkesës së SPAK për të lejuar arrestimin e Ballukut, atëherë Rama ka një hesap për të mbyllur me faktorin ndërkombëtar të cilët deri tani ia kanë krehur bishtin duke e quajtur “reformator” dhe të besueshëm paçka se reformat janë instalimi i frikshëm i autoritarizmit të theksuar dhe kleptomanisë së parasë publike. Ky do të jetë rasti që peshqiri kalon nga koka në qafë. Rama është i detyruar të zgjedhë njërën prej tyre, vështirë të dalë pa një pasojë çfarëdo që të zgjedhë./ Bold News/
Gazeta RD