Pas përfundimit të seancës së sotme ku gjykohet dosja Partizani, Jamambër Malltezi ka hedhur akuza ndaj prokurorëve që po ndjekin çështjen ndaj tij dhe personave të lidhur me dosjen, duke i cilësuar ata si prokurorë politikë.
Malltezi u shpreh para gazetarëve se hetuesit veprojnë nën ndikimin e urdhrave politikë. Ai tha se janë ngritur edhe akuza për vepra penale që, sipas tij, nuk parashikohen nga ligji dhe se procesi po përdoret për qëllime politike, duke përmendur edhe emra të tjerë të përfshirë në çështje si dhe duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama.
Jamambër Malltezi: Siç u pa sot, e bukura është që prokurorët politikë, të nxitur nga nënshtrimi i urdhrit politik dhe nga zelli i luftës së klasave, kanë ngritur deri akuza për vepra penale të cilat nuk i përmban ligji. Siç e patë sot, akuzat ndaj të nderuarës zonjë Pustina dhe studios së saj, nuk e përmban fare ligji. Megjithatë, urrejtja politike tejkalon çfarëdo lloj parimi ligjor.
Ju lutem keni parasysh, siç ua kemi treguar dhe herën e kaluar, këto prokurorë politikë, nuk është hera e parë që kanë falsifikuar, sepse ka të paktën 30 e kusur falsifikime, gënjeshtra apo paraqitje të gënjeshtra të realitetit, që i keni në botimin Procesi Politik kundër liderit të opozitës dhe pronarëve legjitim. Ju lutem shikojeni atë, çfarëdo lloj paqartësie që të keni, urdhëro ma ngrini dhe jam i gatshëm të përballemi në çdo moment me të.
Dua t’ju rikujtoj këtë foto. Kjo është fabula. Fabula është toka e Begejave dhe e Llagamit vidhet nga Edi Rama dhe ja fal Leqanit. Naureda Veliaj merr para për veten e saj, ndërsa Begejat i vidhet toka, nuk kompensohen me para, po duhet të përballen me gjyqe politike dhe me burgje politike, siç janë përballur të parët tanë, xhaxhallarët e Xhim Begesë. Një i pushkatuar për agjitacion e propagandë, tjetri i burgosur për pronat e tij, pa pasur asnjë gjysëm lekëshi shteti.
Ju faleminderit!

Gazeta RD