Gjatë takimit, Bardhi e cilësoi ambasadorin Vos si një zë të rëndësishëm në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian, duke theksuar se procesi i integrimit duhet të mbetet një projekt kombëtar që kërkon mbështetje të plotë politike.
Sipas Bardhit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbetet i vendosur që integrimi europian të avancojë pa hezitim, me synimin për të arritur standardet europiane në funksionimin e institucioneve dhe në qeverisjen e vendit.
Reagimi i Gazment Bardhit
Kënaqësi takimi me Ambasadorin e Hollandës në Tiranë, z. Reinout Vos, një zë i fuqishëm në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.
Rikonfirmova vendosmërinë e Grupit Parlamentar të PD që procesi i integrimit europian është një projekt kombëtar që duhet të mbështetet pa asnjë hezitim, me qëllimin e vetëm integrimin tek standardet europiane.
Në takim paraqita shqetësimet tona për cenimin nga maxhoranca qeverisëse e lirisë së zgjedhjes dhe përpjekjet e Edi Ramës për të minuar luftën kundër korrupsionit përmes ndërhyrjeve politike në drejtësi dhe mbrojtjes së zyrtarëve të lartë të korruptuar, si dhe degradimin e funksionimit demokratik të institucioneve përfshirë Kuvendin e Shqipërisë.
Për Partinë Demokratike dhe opozitën, Bashkimi Europian është një rend demokratik i ndërtuar mbi zgjedhjet e lira dhe të ndershme, institucione të forta, luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Këto standarde nuk funksionojnë të ndara, por duhet të sigurohen nga një qeverisje e përgjegjshme.
Gazeta RD