Kryetari i PD, Sali Berisha, në një komunikim me qytetarët, bëri thirrje të fuqishme për qytetarët: 12 marsi është dita e tyre, dita e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Ai i ftoi ata të vërshojnë tek parlamenti, në rrugë dhe sheshe, duke theksuar se vetëm pjesëmarrja aktive e qytetarëve mund të çojë drejt largimit të Edi Ramës dhe rikthimit të të drejtës së votës së lirë.
Berisha theksoi se ky veprim nuk ka për qëllim pushtetin e tij, por dinjitetin e çdo shqiptari dhe të ardhmen europiane të vendit.
Berisha: Duke përfunduar këtë bisedë, edhe njëherë ftoj çdo qytetar shqiptar, ftoj qytetarët pavarësisht nga bindjet të bashkohemi në kryengritje paqësore, e theksoj paqësore, të qëndrueshme si rrugën më të sigurtë, më jetike për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe rikthimin e të drejtës së votës së lirë tek qytetarët shqiptarë.
Kjo kryengritjen nuk ka qëllim pushtetin e Sali Berishës, apo të kësaj apo asaj partie. Kjo kryengritje ka në radhë të parë, dinjitetin e çdo shqiptari që nuk mund të nëpërkëmbet nga një organizatë kriminale që i dhunon votën shqiptarëve.
Nga një organizatë kriminale që i vjedh fondet e tyre në masën 90%. Që vjedh miliarda në pasuritë e tyre publike dhe që tani kërkon të bëjë ligje për të ç’kriminalizuar vjedhjen nga qeveritarët, pra për të mbrojtur qeveritarët që vjedhin.
Nuk kanë ndodhur kurrë në histori, akte të tilla flagrante.
Gjithashtu ftoj çdo qytetar që ëndërra e tij për të ardhmen më të mirë është integrimi i Shqipërisë në BE, për atë dhe fëmijët e tij. Të bashkohemi se sot Edi Rama në vllazëri me Vuçiçin, po i mbyll dyert Shqipërisë në procesin e integrimit në BE dhe në vend të pasaportës Europiane që e premtoi me qindra e mijëra herë, ofron tani për shqiptarët pasaportën serbe.
Fatin duhet ta marrim në duart tona.
12 marsi është dita e qytetarëve. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë të vërshojnë tek parlamenti, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Faleminderit!
Gazeta RD