Rama, pazar me rusët/ Amerikanët paralajmërojnë Ramën për Porto Romanon

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati përfundimtar për shpalljen e ofertës për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, në adresën elektronike të kryeministrit Edi Rama ka mbërritur një mesazh që e këshillon të bëjë një hap pas.

Emaili është dërguar nga Grant Van Cleve, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Për nga temat që trajton, për nga interesat që merr në konsideratë dhe për nga mënyra si ndërton argumentin, mesazhi shkon përtej opinionit të një sipërmarrësi. Ai prek zhvillimet infrastrukturore dhe ekonomike rajonale, duke vënë theksin tek siguria dhe tek logjistika strategjike e NATO-s.

Për nga përmbajtja, mesazhi duket qartë se është konceptuar në qarqe strategjike në Uashington dhe lë të kuptohet për një oferte që drejtues të vendeve të vogla s’mund ta refuzojnë.

Projekti për portin e ri në Porto Romano lindi si një nevojë pas projektit të “Durrës Marina”, ku biznesmeni arab Muhamed Alabbar u soll nga Dubai për të ndërtuar një kompleks kullash dhe një marina luksoze, që parashikon zhvendosjen dhe prishjen e portit ekzistues.

Por në panoramën që skicon Grant Van Cleve, ndërtimi i një porti të ri nuk është një vendim që merret me një të rënë të lapsit, si pjesë e një pazari momental.

Në emailin që ndodhet në postën elektronike të kryeministrit Rama dhe që botohet ekskluzivisht nga Lapsi.al amerikanët e shtrojnë çështjen në një tjetër nivel strategjik, duke e titulluar mesazhin: “Porto Romano – Një vendim që merret një herë në shekull për pozicionin strategjik të Shqipërisë në Evropë. Dominimi strategjik i lidhshmërisë së Shqipërisë”.

Emaili është dërguar jo vetëm për kryeministrin Edi Rama, por edhe për ministrin e ri të Energjisë Enea Karakaçi, për ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe për drejtorin e portit ekzistues të Durrësit Liburn Aliu, siç shihet edhe në dokumentin më lart.

“Një port i vogël në Durrës do të dështonte Korridorin 8”

Skica krahasuese e porteve në emailin e Edi Ramës

Skica më lart është përfshirë në email për të treguar kapacitetet e kufizuara të Portit të ri në Porto Romano.

Pjesa e parë e mesazhit të publikuar ekskluzivisht nga Lapsi.al përqendrohet pikërisht në rëndësinë strategjike që ka porti i ri i Durrësit për të gjithë rajonin.

Van Cleve e përshkruan ndërtimin e portit të ri si “një mundësi historike për të riformësuar gjeometrinë logjistike të Ballkanit”, që do t’i jepte Shqipërisë mundësinë “të zhvendosë gravitetin ekonomik të rajonit dhe duke arritur dominim strategjik në lidhshmëri përmes ndërtimit të korridoreve me kapacitet të lartë të ankoruara në Porto Romano”.

Pikërisht duke nënvizuar rëndësinë e momentit ku ndodhet vendi, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë shton: “Vendimi i planifikuar për datën 9 mars lidhur me Porto Romanon përfaqëson një moment strategjik kombëtar që do të formësojë pozicionin gjeopolitik dhe ekonomik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada”.

Në fakt, shifrat që shoqërojnë emailin nuk lënë shumë hapësirë për interpretim. Sipas dokumentit, projekti aktual për Porto Romanon parashikon një port shumë të vogël në krahasim me kapacitetet e porteve të tjera të rajonit. Në email thuhet: Projekti aktual i Porto Romanos është jashtëzakonisht i vogël, 400 metra mur kalate dhe 38 hektarë sipërfaqe portuale”.

Për krahasim, porti i Pireut ka një kalatë me gjatësi 24 mijë metra, Selaniku, 6600 metra ndërsa Durrësi 2400 metra.

Por cili është qëllimi i këtij emaili? Çfarë i kërkohet në thelb qeverisë shqiptare për një projekt që në pamje të parë duket si një marrëveshje tashmë e mbyllur?

Në thelb, SHBA kërkon të mbrojë projektin e Korridorit 8, një korridor me rëndësi strategjike për transportin dhe lëvizjen në rajon. Sipas argumentit të paraqitur në email, një port me kapacitete të kufizuara në Durrës do ta rrezikonte seriozisht të gjithë këtë projekt.

Në mesazh thuhet: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në ndërtimin e tyre mund të ndikojnë fatin e një vendi për një shekull. Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e kufizuar aktuale, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht, dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm”.

Sipas analizës së Van Cleve, një port i vogël në Porto Romano do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë arkitekturën e transportit në rajon. Një projekt i reduktuar do të sillte ankorimin e shumë pak anijeve dhe, për pasojë, Korridori 8 do të humbiste funksionin e tij real.

Në email theksohet qartë: “Korridoret e transportit ndjekin portet, jo e kundërta”.

Më tej sqarohet: “Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor të madh logjistik lindje–perëndim si Korridori 8. Korridori 8 nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut”.

Oferta e amerikanëve: Portin e ri në Porto Romano e ndërton NATO

Në këtë kontekst përshkruhet edhe dinamika gjeopolitike e rajonit. Van Cleve vëren se ndonëse Korridori 8 ka qenë një objektiv strategjik për më shumë se tre dekada, jo të gjithë aktorët kanë interes që ai të realizohet.

Në email thuhet: “Jo të gjithë aktorët gjeopolitikë ndajnë të njëjtin interes për zhvillimin e një aksi të fortë logjistik lindje–perëndim në Ballkan. Disa aktorë përfitojnë nga ruajtja e flukseve ekzistuese logjistike veri–jug të përqendruara rreth porteve të tjera të Mesdheut. Infrastruktura në rajone gjeopolitikisht të kontestuara nuk është kurrë neutrale”.

Kërkesat e paraqitura nga pala amerikane janë të drejtpërdrejta.

Së pari, kërkohet shtyrja e tenderit për Porto Romanon, në mënyrë që projekti të rishikohet mbi bazën e parametrave ekonomikë dhe strategjikë që do të garantonin funksionimin e plotë të Korridorit 8. Në të njëjtën kohë, projekti duhet të marrë edhe një dimension të ri: atë të sigurisë.

Në mesazh thuhet: “Kërkojmë me respekt që tenderi për Porto Romanon i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet bazuar në kërkesat më të fundit të NATO-s dhe të Korridorit 8”.

Van Cleve shkon më tej në emailin që Lapsi.al e ka siguruar të plotë, duke ofruar edhe një model alternativ zhvillimi: “Një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia dhe të zbatuar nga furnitorë strategjikë kryesorë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia”.

Ajo që bie në sy në kërkesën e nënshkruar nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë është se oferta nuk paraqitet si një iniciativë e izoluar amerikane. Në propozimin e tij përfshihen Italia, Holanda dhe Turqia, tre vende me peshë në NATO dhe në arkitekturën strategjike të rajonit.

Kjo e zhvendos menjëherë kuptimin e mesazhit nga një letër këshilluese e një sipërmarrësi drejt një sinjali shumë më të gjerë strategjik. Kuptohet se mesazhi nuk është hartuar thjesht në Tiranë apo në zyrat e një organizate biznesi, por është konceptuar në një rreth shumë më të gjerë vendimmarrës.

Gjasat janë që ky email në postën elektronike të kryeministrit shqiptar është një mesazh që për nga gjuha dhe përmbajtja e ofertës, mban qartë vulën e Uashingtonit.

Kjo bëhet edhe më e dukshme në pjesën ku Van Cleve ofron një paketë të plotë ndërkombëtare për zhvillimin e projektit. Propozimi vazhdon edhe më tej: “Mund të sigurojmë firmat më të mira amerikane të inxhinierisë për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, për t’u ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar gjithashtu financim shtesë nga NATO”.

Duke futur në lojë NATO-n, çështja kalon automatikisht në një nivel tjetër, atë të sigurisë strategjike.

Van Cleve thekson: “Një Porto Romano me ujëra të thella, i lidhur me Korridorin 8, do të forconte ndjeshëm mobilitetin dhe qëndrueshmërinë e NATO-s në Evropën Juglindore”.

A mund ta refuzojë qeveria shqiptare këtë ofertë?

Pyetja që shtrohet tani është e drejtpërdrejtë: a mund ta refuzojë qeveria shqiptare një propozim të tillë, në një moment kur projekti për Porto Romanon është lidhur me një kompani offshore të regjistruar në Qipro?

Ndërkohë, në prapaskenë ka zhvillime që e bëjnë këtë histori edhe më të ndërlikuar. Pak ditë më parë u bë publik emërimi i një 24-vjeçari si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, një post që nuk ekzistonte prej disa vitesh.

Rubin Rredhi u emërua nga ish-ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, një lëvizje që për shumëkënd u interpretua si përpjekje për të gjetur një tjetër firmëtar bedel për projekte të diskutueshme.

Ndërkohë, për këtë çështje SPAK ka nisur një hetim të ri, ndërsa disa ditë më parë dokumentet e tenderit u sekuestruan në zyrat e Autoritetit Portual të Durrësit.

Në fund të mesazhit të siguruar ekskluzivisht nga Lapi.al, Van Cleve e përmbledh dilemën me disa pyetje të thjeshtë strategjike: “Pyetja është e thjeshtë: A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku? A do të varen Ballkani dhe rajoni nga Porto Romano? Një Porto Romano i vogël do të mbetet një port dytësor kombëtar. Një Porto Romano i madh mund të riformësojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore”.

Gjithsesi, nga mënyra se si shtrohet në letër debati për portin e ri në Porto Romano nuk është thjesht një debat teknik për pak metra kalatë apo disa hektarë terminalesh. Amerikanët po e shtrojnë këtë si një debat për rolin që Shqipëria dëshiron të ketë në hartën ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit.

Në një skaj qëndron projekti aktual, i lidhur me pazare politike dhe interesa të ngushta ekonomike. Në skajin tjetër qëndron një ofertë që e vendos portin e ri në një lojë shumë më të madhe strategjike, ku përzihen korridoret europiane të transportit, interesat e NATO-s dhe rivaliteti logjistik në Mesdhe.

Vendimi pastaj i mbetet Ramës. Por posti i tij në krye të qeverisë muajt e fundit u lëkund fort, sepse për momentin është e sanksionuar: mjafton vendimi i një gjykatësi, për të pezulluar nga detyra një kryeministër./Lapsi.al

About Krye Redaktor

Check Also

Mesazhi i kreut të SPAK për funksionarët publikë që bashkëpunojne me krimin

Drejtuesi i Strukturës së Posaçmë kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Klodjan Braho ka reaguar …