Kryetari i PD, Sali Berisha, duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve për qëndrimin e PS për Ballukun, deklaroi se tani i përket sovranit të thotë fjalën e tij.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Grupi parlamentar i PS mori vendimin se Kuvendi do të bëhet mburojë dhe nuk do të lejojë SPAK-un të arrestojë Belinda Ballukun. A duhet drejtësia të përdorë ndonjë shteg ligjor për të vepruar edhe përkundrejt vullnetit të socialistëve në këtë rast, dhe si opozitë keni një thirrje ndaj drejtësisë shqiptare?
Sali Berisha: Tani, duhet të jemi të sinqertë. Nuk ka patur njeri më kritik në këtë platformë se unë, ndaj drejtësisë. Por në rast se ekzekutivi me kartonat e krimit vendos të mos pranojë vendimet e drejtësisë, i përket sovranit dhe jo drejtësisë, të thotë fjalën e vet.
Sepse drejtësia e tëra është një trup, ta marrim 300-400-500 sa janë 1000, dhe të gjitha hallkat e tjera janë në duart e ekzekutivit.
Në këtë kontekst, është sovrani ai që duhet të ndërhyjë me të gjitha mjetet kushtetuese demokratike për të bërë të mundur ushtrimin e pushtetit nga pushteti gjyqësor në Shqipëri.
Ndaj dhe, a do vazhdojë drejtësia të lëshojë urdhëra të tjerë për arrestin e Edi Ramës apo jo, unë nuk mund ta parashikoj këtë.
Një gjë është e sigurtë që, zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve. Kemi të bëjmë me fatin e çdo shqiptari, kemi të bëjmë më endërrën europiane të integrimit në BE të të gjithë shqiptarëve.
Ndaj dhe, cili do të jetë reagimi i drejtësisë në këtë rast, unë nuk mund të parashikoj, por detyra e opozitës, detyra e qytetarëve është të qëndrojë me të gjithë forcën në anën e kushtetutës dhe shtetit ligjor.
Gazeta RD