PD Lazarat denoncon skandalin: Godina e inauguruar nga Rama e Kumbaro është shkatërruar! Ku përfunduan fondet?

Zëdhënësi i PD, dega Gjirokastër, Armando Rabi ka denoncuar atë që e cilëson një tjetër skandal të rëndë të qeverisë së Edi Rama dhe të Bashkisë së Gjirokastër, duke akuzuar për mashtrim dhe abuzim me fondet publike në projektin e ish-shkollës 9-vjeçare në Lazarat.

Sipas tij, godina që u inaugurua dy vite më parë me propagandë nga Rama, ish-ministrja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku Flamur Golemi si një qendër për përpunimin e bimëve medicinale, sot është e braktisur dhe e mbyllur me dryn.

Deklarata

Zëdhënësi partisë demokratike dega Gjirokastër Armando Rabi
Denoncon:
Mashtrimin dhe abuzimin me fondet publike në Lazarat.

Partia Demokratike, Dega Gjirokastër, denoncon publikisht një tjetër skandal të rëndë të qeverisë Rama dhe Bashkisë Gjirokastër:

mashtrimin dhe abuzimin me fondet publike dhe ato të donatorëve për projektin në ish-shkollën 9-vjeçare të fshatit Lazarat.

Sot, vetëm dy vite pas inaugurimit me propagandë dhe bujë nga Kryeministri Edi Rama, ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, realiteti është i turpshëm: godina është e shkatërruar, projekti është braktisur dhe objekti qëndron i mbyllur me dryn.

Në vitin e inaugurimit, kjo godinë u prezantua si një “qendër për përpunimin e bimëve medicinale”, e cila supozohej të mbështeste fermerët e zonës dhe të sillte zhvillim ekonomik për Lazaratin.

Sot është e qartë se gjithçka ishte vetëm një fasadë propagandistike dhe një mashtrim publik ndaj qytetarëve.

Në vend që të ruhej funksioni arsimor i kësaj godine – një institucion i rëndësishëm për fëmijët dhe familjet e Lazaratit – qeveria zgjodhi ta shkatërrojë shkollën për të ngritur një projekt fiktiv, i cili nuk ka funksionuar asnjë ditë të vetme.

Dy vite pas inaugurimit, lindin disa pyetje serioze që kërkojnë përgjigje të menjëhershme dhe transparencë të plotë:

Çfarë është bërë me fondet e investuara për këtë projekt?

Ku kanë përfunduar fondet e zhvillimit të prezantuara si “zvicerane” dhe “austriake”?

Pse qendra nuk është vënë asnjëherë në funksion të fermerëve të zonës, siç u premtua publikisht?

Pse godina ndodhet e mbyllur dhe jashtë përdorimit që nga dita e inaugurimit?

Ky rast është një tjetër provë e mënyrës sesi qeveria e Rilindjes përdor fondet publike për propagandë dhe show politik, ndërsa projektet reale zhvillimore mbeten vetëm në letër.

Partia Demokratike kërkon:
Hetim të plotë dhe transparent për përdorimin e fondeve të Bashkisë Gjirokastër dhe të donatorëve.

Përgjegjësi ligjore për çdo zyrtar të përfshirë në këtë abuzim me fondet publike dhe shkatërrimin e një pasurie publike.

Banorët e Lazaratit dhe qytetarët e qarkut Gjirokastër meritojnë arsim, zhvillim dhe dinjitet, jo mashtrime elektorale dhe fasada propagandistike.

About Redaksia

Check Also

Zgjidhen kryetarët e rinj të PD në Berat, Skrapar dhe Dimal

Tre degë të PD në Qarkun e Beratit kanë zgjedhur drejtuesit e rinj. I deleguari …