Më 16 dhjetor 2024, drejtoresha aktuale e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, do t’i dhuronte aksionet e veta brenda kompanisë “2D Construction 2025”, ish “Gea Construction”, ortakes Marsida Dedej, me miratimin e bashkëshortit të saj, Taulant Godroli.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, ka fshehur pasurinë e saj në deklarimin e te ardhurave në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe fshehja e kësaj pasurie mund të ketë ndodhur për të fshehur lidhjet e mëparshme me kompaninë që ka fituar lejen e ndërtimit për resortin në Qerret të Kavajës.
Ky projekt me vlerë rreth 10 milionë euro evidenton një zinxhir shkeljesh ligjore që fillojnë nga KKT-ja dhe pasohen nga Bashkia Kavajë, për të vazhduar me një numër të lartë institucionesh publike.
Vetëm 200 metra larg nga bregdeti i Qerretit do të fillonin planet për realizimin në letra, nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Bashkia Kavajë, për të kryer investime së bashku me privatin për ndërtimin e një resorti.
Këtu do të fillonin të gjitha problemet, sepse projekti me intensitetin e ndërtimit bie ndesh me Dokumentin e Rishikimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë.
Ky dokument përcakton se si do të zhvillohet zona, ku mund të ndërtohet, sa kate lejohen, çfarë zone është për banim, çfarë është për turizëm, për rrugë apo hapësira publike.
Ky rast në vetvete është një model se si projekte të mëdha, me një të rënë të lapsit, marrin miratimin, duke shkelur ligjin e pushtetit vendor.
Më 8 qershor 2023, në pallatin e kompleksit Usluga do të merrte jetë kompania “2D CONSTRUCTION 2025”, ish “Gea Construction”. Në fakt, ndryshimi i emrit mund të mos jetë bërë për arsye tregtare, por ndoshta për të humbur gjurmët e historisë që fshihet pas saj.
Kompleksi lidhet me adresat e kompanive “Alko Impex”, por edhe me kompaninë koncesionare që ka fituar kontratën për pastrimin e Bashkisë Kamëz, “ECO-CLEANING”, e cila është në pronësi të “Alko Impex General Construction”, me administrator Arbër Abazin, dhe “2T” sh.p.k., në pronësi të Artan Sakos dhe me administrator bashkëshortin e Erilinda Lalas, Taulant Godroli.
Kompania do të bashkëthemelohej nga drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Tiranë te Tatimet, Erilinda Lala, së bashku me Marsida Dedej, të cilat zotëronin secila nga 50% të aksioneve të kompanisë. Sipas informacioneve publike, në vitin 2023, Erilinda Lala ka qenë e punësuar si avokate në Avokaturën e Shtetit dhe asokohe kompania nuk mund të sillte ndërlikime me pozicionet në administratën publike.
Një nga detajet më të rëndësishme të kompanisë është fakti se në fillim të vitit 2024, “2D CONSTRUCTION 2025”, ish “Gea Construction”, do të pajisej me licencë për zbatim të punimeve të ndërtimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse kompania sapo ishte krijuar dhe nuk kishte kapital me vlerë të lartë.
Në fillim të vitit 2024, Erilinda Lala do të punësohej pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, me drejtues ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj. Me lëvizjen e Petrit Malaj si ministër Financash, edhe Erilinda Lala do të kalonte si këshilltare pranë Ministrisë së Financave në shtator 2024, nga ku do të bënte edhe deklaratën e parë fillestare të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Sipas avokates Margarita Kola, ILDKPKI-ja është kritikuar shpesh dhe ka pasur debate për rolin e këtij institucioni.
“Për mua, ILDKPI-ja është një institucion që, më vjen keq ta them, por ha paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe unë nuk di se sa raste ILDKPKI-ja i ka dërguar pranë prokurorisë ose ua ka referuar institucioneve të tjera përkatëse”, tha për “Vetting” avokatja Kola.
Deklarata fillestare e Erilinda Lalas do të ekspozonte pronat dhe pasuritë, ku ndër to ishte edhe kompania “2D Construction 2025”, me emrin e mëparshëm “Gea Construction”. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” evidentojnë se kompania nuk ka pasur të ardhura dhe të dhënat e publikuara në ILDKPKI ngrenë pikëpyetje për rolin e Inspektoratit. Ky i fundit i ka vendosur në dispozicion “Vetting” formularë që tregojnë se kjo e fundit ka pasur të ardhura, por nuk tregon emrin apo NIPT-in e biznesit. Madje, në formularë gjendet edhe NIPT-i si person fizik, ku gjatë kohës që Lala ka qenë në Avokaturën e Shtetit, ka pasur edhe biznes privat.
Duhet theksuar se në modulet e formularëve të ILDKPKI-së, kur një zyrtar bën deklarimin e të ardhurave, te pjesa “EMËRTIMI”, shton edhe se nga kanë ardhur këto të ardhura, si rrogë nga vendi ku ka punuar ose NIPT-in dhe emrin e biznesit ku ka pasur aksione.
Problemi më i madh nuk vjen vetëm nga ILDKPKI-ja, por edhe nga deklarimet që ka bërë Erilinda Lala. Në deklarimin fillestar në këtë institucion, Lala ka deklaruar se brenda disa muajve nga biznesi, se cili biznes kjo nuk tregohet në formular, ajo ka siguruar 2.77 milionë lekë dhe 12 mijë euro, ose totalin e rreth 40 mijë eurove, brenda periudhës korrik-shtator 2023. Pra, një biznes mjaft fitimprurës. Për të verifikuar këto të ardhura, ne kryqëzuam të dhënat me kompaninë ku ajo kishte aksionet gjatë gjithë vitit 2023.
Sipas deklarimit, në vitin 2023 kompania “2D Construction 2025” ka deklaruar vetëm 82 mijë lekë shpenzime, duke dalë edhe me humbje. Në vitin 2024 situata ndryshon vetëm në nivelin e shpenzimeve, por jo në të ardhura, pasi kompania sërish deklaron zero të ardhura, ndërsa shpenzimet për personelin rriten në rreth 1.17 milion lekë në vit, ose afërsisht 97 mijë lekë në muaj, shifër që përkthehet praktikisht në një punonjës të vetëm të deklaruar.
Në total, për vitin 2024 kompania rezulton me humbje rreth 1.18 milion lekë, duke krijuar profilin e një shoqërie shumë të vogël, pa aktivitet real ndërtimi dhe me staf minimal, pavarësisht se në të njëjtën periudhë rezulton të jetë pajisur me licencë për punime ndërtimi.
Pra, eliminohet kjo kompani, por as kompania si person fizik që Lala e ka themeluar në vitin 2022 për shërbime ligjore dhe avokatie dhe është pezulluar në 2024, nuk ka aq të ardhura. Në këtë rast, nga kjo kompani ka siguruar vetëm 5 mijë euro në vitin 2023. Nuk dihet se nga janë siguruar këto para, por ILDKPKI-ja vazhdon të bllokojë të dhëna publike dhe nuk ka marrë asnjë masë administrative ndaj subjektit. Kjo pasi, sipas ligjit për deklarimin e pasurive, kur subjekti deklaron të ardhurat nga një biznes, duhet të paraqesë emrin dhe NIPT-in e biznesit.
“Vetting” kontaktoi ILDKPKI-në, që drejtohet nga Evgjeni Bashari, për të marrë një koment për arsyet që nuk ishin vendosur të dhënat specifike sipas ligjit dhe e kujt ishte përgjegjësia në këtë rast, e institucionit apo e subjektit që ka bërë deklarimin. Deri në publikimin e këtij materiali, ILDKPKI-ja nuk dha asnjë koment për rastin specifik.
/Emisioni Vetting
Gazeta RD