FJALA E INXHINIERIT ERJON LALA NË TAKIMIN ME EKSPERTËT E DEP. TË INFRASTRUKTURËS NË PD
E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e rrjetit hekurudhor
Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha!
Që në zanafillën e saj, Hekurudha ka qenë pararoja e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë. Kudo ku tregtia dhe kapitali ka zbuluar burime natyrore, u ndërtuan porte, udhë të hekurta e më pas udhë automobilistike, për të shkurtuar distancat dhe për të ulur kostot e transportit. Ndërlidhja e rrjetit hekurudhor me qendrat e banuara, portet, zonat agrare, qendrat ekonomike dhe zonat e minierave ka qenë, është kthyer sot më shumë se kurrë në nevojë dhe përparësi zhvillimi për vendin tonë.
Gjendja e rrjetit hekurudhor sot
Sot Hekurudha Shqiptare raporton zyrtarisht një fluks prej 782 pasagjerësh për tremujorin e tretë të vitit 2025, një rënie prej 62% nga viti 2024. Pra vetëm 260 pasagjerë në një muaj. Kujtojmë këtu se ky institucion ka të punësuar 950 punonjës.
Rrjeti ynë hekurudhor përbëhet sot prej 253 km linjë me tek binar e në gjendje të mjerueshme. Shërbimet e transportit të pasagjerëve siç edhe është krejt e qartë, janë në një gjendje të rënduar e rudimentale.
Në vitin 2013, rrjeti hekurudhor përbëhej nga 450 km linjë kryesore të cilat lidhnin qytetet kryesore si Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Lushnja, Fieri dhe Pogradeci.
Gjatë 13 viteve në pushtet, qeveria e sotme ka nisur dhe ende nuk ka përfunduar rikonstruksionin e vetëm dy segmenteve; Durrës-Tiranë me gjatësi 34 km dhe Domje-Rinas me gjatësi 8 km, të cilat përbëjnë vetëm 10% të rrjetit hekurudhor.
Plot 10 vjet më parë ka nisur saga e tenderimeve të këtyre dy segmenteve.
Përpara 5 vitesh dhe pas 5 vitesh zvarritje të procedurave të tenderimit, në vitin 2021 nisën punimet e zbatimit, me një buxhet total prej 120.5 milionë eurosh, dhe një afat përfundimi prej 30 muajsh. Ky afat më pas u shty edhe një vit tjetër, deri në Shtator 2025, por jemi në pranverën e 2026-ës dhe ende punimet e ndërtimit s’kanë përfunduar. Qeveria ka ripremtuar se udhëtimi i parë do të kryhet në fillim të vitit 2027, pra 7 vjet pas nisjes së punimeve por a do t’ia arrijë dot?
Çfarë duhet bërë në këtë sektor?
- Duhet të reformohet rrënjësisht institucioni që menaxhon rrjetin hekurudhor;
- Duhet të hartohet një strategji kombëtare e transportit hekurudhor e koordinuar kjo dhe me strategjinë kombëtare të rrjetit rrugor;
- Duhet të krijohet një sistem i informacionit të integruar të transportit hekurudhor me atë rrugor, ajror e detar.
- Duhet të punohet me rindërtimin e linjës Vorë-Hani i Hotit si projekt prioritar i rrjetit rajonal të transportit TEN-T dhe e vetmja linjë që siguron për momentin lidhjen ndërkombëtare.
- Duhet të realizohet lidhja me portin e Durrësit për të shfrytëzuar në maksimum potencialin që ofron ky port, pasi linja ekzistuese që po ndërtohet dhe që ende s’ka përfunduar e shkëput Tiranën nga ky port për shkak të zhvendosjes së tij.
- Duhet të realizohet lidhja e munguar me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë përgjatë korridorit VIII.
- Duhet të ndërtohet linja Milot-Prizren në funksion të lidhjes me Kosovën;
- Duhet të ndërtohet linja Durrës-Vlorë në funksion të industrisë turistike.
Ju faleminderit!
Gazeta RD