Rama dhe termometri i Niqkës

Nga Agim XHAFKA

Na pikoi në zemër kur Ladin, djalin e Niqkës, fqinjës sonë, e sollën me barelë nga spitali. Sa kishte mbushur 6 vjeç. Qe i bukur si ëngjëll. I zgjuar si ai, i qeshur sa zgjohej nga gjumi e deri sa shtrihej në mbrëmje për të fjetur. Por ja që i trokiti katastrofa. U sëmur nga një grip i rëndë, me temperaturë të lartë disa ditë deri sa i preku miningjet dhe i mori gojën, lëvizjen e kokës dhe të këmbëve. Qanin papushim e ëma, i ati Nesti dhe katër motrat e tij.

-Doktorët thanë që nga temperatura e lartë e pati, -psherëtinte Niqka e vu lotët.

Nuk priste që ta pyesnin, po pse nuk e mbajte çunin nën vëzhgim, o Niqkë, se ajo përsëriste e përsëriste:

-Çdo një orë ia vendosja termometrin dhe më tregonte 36 gradë. Për atë zot që nuk gënjej.

Dhe nxirrte nga komodina termometrin që kishte përdorur.

-Ja, akoma 36 tregon. Dhe hiç nuk e kam shkundur.

Graria nuk flisnin, por ama s’besonin një fjalë të saj. Deri sa Aspasia, fqinja përballë, mori termometrin dhe e vuri nën sqetull.

-Ç’bën, moj? -i tha Andrea, i shoqi.

Ajo ishte vetë me grip dhe sapo e kishte vënë në shtëpi termometrin e saj. E dinte që e kish 38 gradë. Ndaj donte ta nxirrte gënjeshtare Niqkën, bash me termometrin e Niqkës. Pas 5 minutash e hoqi, por zhiva tregonte 36 gradë.

-Uau, si ka mundësi! -u habit ajo.

Andrea ia rrëmbeu nga dora dhe e afroi te soba. E la afër zjarrit një minutë. Ndërsa priste të plaste termometri nga e nxehta tregoi sërish 36 gradë.

-E ke të prishur këtë mut, -tha ai.

Të gjithë po shihnin Niqkën. E ngurosur. Iu duk vetja si vrasëse. Kishte marrë më qafë djalin. Jetën e tij dhe të krejt familjes për një termometër. Si nuk e pandehu një çast që zhiva s’lëviste fare kur balli i djalit përvëlonte.

Njësoj po na ndodh dhe ne shqiptarëve me termometrin “Rilindje”. Kemi temperaturë të lartë nga varfëria, emigracioni, korrupsioni, vjedhja e votës, shtja e atdheut, agresiviteti i oligarkëve, blerja e mediave, shtypja e fjalës së lirë, mungesa e ujit, e korrentit, vidhisja e rrugëve. Zjarrmi në ekonomi, po digjemi nga temperatura. Po termometri “Rilindje” që e mban në dorë Rama tregon 36 gradë celsius. Tregon që çdo gjë ecën normal, shëndetshëm dhe s’ka tenxhere e opozitë që e lëviz zhivën e ngurosur. Fiksuar te shifra 36.

Niqka e bëri nga padija dhe pakujdesia. Rama e bën nga strategjia dhe babëzia. Niqka do e vuajë në shpirt e do të lodhet tërë jetën me përkujdesje ndaj djalit. Rama do të na bëjë ne të vuajmë akoma e të përkujdesemi vetë për veten tonë. Hiqjani ore termometrin se veç sëmundjes, po na kap dhe vdekja. Po na troket. Se ai ka 13 vite që na gënjen, e lexon 36, kur ne në të vërtetë e kemi mbi 42 gradë celsius temperaturën.

About Redaksia

Check Also

Kur shteti hipën në avion me arka

Nga Agron GJEKMARKAJ Çuditë s’kanë të sosur! Kur ti je zgjuar gjithë bezdi, me zile …