Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama është i përfshirë në një sërë aferash dhe dosjesh korruptive. I pyetur nga gazetarët në ambientet e jashtme të SPAK, Berisha u ndal tek zhvillimet që lidhen me AKSHI-n, ku sipas tij po dalin dëshmi të reja.
Ai deklaroi se, pas ish-zyrtarit Gerond Meçe, ka nisur të flasë edhe Daniel Shima, për të cilin tha se mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si, sipas pretendimeve të opozitës, përcaktoheshin tenderat në këtë institucion.
Gazetarët: Zoti Berisha, kam dy pyetje. Pyetja e parë është pse sipas jush zoti Rama e mbrojti zonjën Balluku me 82 vota në Kuvend, i trembet ndonjë hetimi ndaj tij? Pra cili është qëndrimi juaj? Dhe pyetja e dytë lidhet me protestën tuaj. Ju keni zgjedhur datën 22 që është një datë simbolike që është ardhja në pushtet e PD pas rënies së komunizmit. Cili është strategjia juaj në këtë protestë dhe ku synoni të arrini përmes saj?
Sali Berisha: Të mendosh se Edi Rama po mbron Ballukun, do të thotë të mashtrosh 100 herë veten. Edi Rama mbron vetëm veten e tij, dosjet e tij, vjedhjet e tij dhe Lindat e tij.
Gazetarët: Na thuaj dosjet ku implikohet Edi Rama?
Sali Berisha: Po të më pyesje mua, më gjej një dosje që nuk implikohet, unë do e kisha shumë të vështirë të mos gjeja. Po dosje që implikohet, janë të panumërta.
E tillë është dosja e tunelit të Llogarasë me 50 milionë euro të zhdukura me një firmë.
E tillë është dosja e inceneratorit të Tiranës, ku Edi Rama shpalli emergjencën kombëtare për të ardhur tek inceneratorët dhe e paraqiste atë si transformimin e madh sepse Edi Rama ka firmosur, i ka dhënë 8 pikë kompanisë 8 muaj para themelimit të saj. Sepse Edi Rama ka përgjegjësi si kryeministër, janë disbursuar 130 milionë euro, nuk është bërë asnjë kontroll, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti.
Është dosja e Porto Romanos ku së bashku me thjeshtrën kanë duart e tyre të zeza sepse është një projekt i bërë në studion ku punonte thjeshtra. Kanë futur në xhep të paktën 13 milionë euro me një të rënë të lapsit.
Është dosja miliardere e portit të Durrësit. Dosja që shkon të paktën 4 miliardë euro sepse vetëm toka, pronë publike, kushton rreth 3.8 miliardë euro, plus sa kushton porti. Është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve që u merret nga Edi Rama për Dubai City-n e tij dhe gjobiten me 1 miliard euro për të ndërtuar një port 4 gjer në 8 herë më të vogël se porti i Durrësit. Dhe del e mashtron e thotë se do jetë porti rajonal i Korridorit të tetë. Pra, gjithçka në funksion të vjedhjes së tij.
Nuk ka aferë më të madhe. Po merr pak, kush vodhi me checkupin dhe sterilizimet e shëndetësisë? A nuk ishte Rama protagonist kryesor që vraponte nga një studio në tjetër me një pincë të thyer dhe një gërshërë të ndryshkur…
Gazetarët: Po kemi ish-ministrin e Shëndetësisë në burg për këtë çështje…
Sali Berisha: Asnjë rëndësi sepse ministri i Shëndetësisë i bëri nga Rama ato. Ministri i Shëndetësisë prandaj po del se nuk foli. Por ato janë të gjitha vepër e Edi Ramës. Sepse nuk doli ministri, nuk e pamë me një pincë të thyer dhe një gërshërë të thyer që të thotë ja ku ishim dhe po ku po shkojmë.
Pastaj të shkojmë pak te Skapi. Ju e dini që unë nga dritarja e shtëpisë lexova aktin që një prokuror më solli ku tregonte se Gerond Meçe ishte i regjistruar, ishte ulur në një tavolinë ku po regjistrohej nga ata që ishin të interesuar, dhe Gerond Meçe i thotë bashkëbiseduesit se këtu tenderat në AKSHI i përcakton Linda Rama dhe se kompania e tij ishte kompania e kunatit të Lindës. Se ky thotë ajo ka një apartament, por ajo ka prona të panumërta.
Problemi është se nuk ka dosje ku nuk është vetë Rama.
Gazetarët: E dispononin përgjimin që ju pretendoni midis zotit Meçe dhe personave të tjera?
Sali Berisha: Unë atë që kam thënë e kam lexuar nga ajo që më ka ardhur nga dosja. Ajo që ka ardhur nga dosja është shumë e vërtetë. Atë e ka pasur prokurori Mara. Prokurorit Mara i ka shkuar mendja ta zhdukë, por pastaj e ka kuptuar se ajo ekziston edhe në vende të tjera dhe nuk e ka zhdukur. E ka ai. Është ajo, nuk hiqet ajo. Dihet ajo.
Plus që Meçe ka dëshmuar në shumë vende, ka dëshmuar në institucione të tjera. Dhe tani ka filluar të flasë edhe ai që nuk më pëlqeu në fillim, ky Danieli, se e morën dhe e zhdukën. Altin Dumani nuk e mori në hetim. Altin Dumani tha se Skapi nuk ka ndonjë hetim ndaj Daniel Shimës, ish-shoferit, pastaj zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Mirlindës së gjorë që banon në apartament me qira, pastaj zoti i vërtetë i AKSHI-t e me radhë.
Dhe tani ai po flet, dhe unë i them fol më mirë, se nuk ke ku shkon po nuk fole.
Duhet të flasësh, të tregosh, keni transformuar agjencinë shtetërore në një shpellë mafiesh shumë të rrezikshme.
Pra, a mund të më thuash mua se ku nuk është i implikuar Edi Rama?
Pa le po të marrim udhëtimet e tij. Pse nuk lejoi Edi Rama të ngrihet komisioni hetimor për udhëtimet e tij, për 140 udhëtime me avion brenda 2 viteve, 21 milionë euro, me të cilat të dhëna të shumta flasin se janë transportuar sasi të mëdha parash.
Ka transportuar sasi të mëdha parash me avion. Ka të tjerë që thonë edhe drogë, por unë nuk kam të dhëna. Megjithatë hetimi do i tregonte. Ka transportuar para, ka transportuar drogë, çfarë ka transportuar?
Si mundet, presidenti i SHBA ka udhëtuar 70 herë në dy vite me avion, Edi Rama 140 herë.
Pra këto janë gjërat që ai i mbylli këtu. Ua vuri, jeni organizatë partie, u tha, jeni organizatë e partisë time, bëtë gabim.
Gazeta RD