Thirrja e ish-ministrit të Brendshëm të Ramës/ “Zgjedhje të lira për të ndryshuar qeverinë”

Ish-ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, bën një analizë të fortë mbi ndryshimet e fundit në qeverinë “Rama”, çështjen “Balluku”, përplasjet politike dhe rolin e drejtësisë.

Nëse raste të tilla vazhdojnë të përfundojnë me refuzime në Kuvend, a krijohet ideja se drejtësia ka kufij kur bëhet fjalë për pushtetin?

Drejtësia në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën, nuk është hyjnore. E përderisa është e tillë, ajo ka nevojë për kufij. Dhe këta kufij i vendos sovrani, përmes Kuvendit, në kushte shumë të qarta e në favor të interesit të përgjithshëm. Në këtë kuptim, politika e ka detyrë që të krijojë dhe të përmirësojë kuadrin ligjor, pra kufijtë, për sistemin e drejtësisë. Por që të jetë e ligjshme, ndërhyrja e politikës duhet të kryhet si reagim ndaj një fenomeni problematik shqetësues dhe kurrësesi si reagim ndaj një rasti konkret të veçantë, pasi ky do të ishte thjesht pengim i drejtësisë.

A duhet që zyrtarët e lartë të japin dorëheqje sapo përfshihen në hetime serioze…?

Drejtuesit e lartë duhet të mishërojnë një kombinim të profesionalizmit, moralit dhe integritetit. Unë e konsideroj aventurë me rrisk të lartë për vendin emërimin e personave që nuk i kanë dëshmuar qartë këto vlera gjatë karrierës së tyre. Dorëheqja është një akt i lartë përgjegjshmërie, pjekurie dhe integriteti. Ajo është atribut i atyre që me postin i lidh përgjëgjësia, morali e integriteti dhe jo interesi meskin. Për fat të keq, ajo në Shqipëri ende mbetet e munguar, aq sa të munguara mbeten vlerat e përmendura në fjalinë e parë të këtij paragrafi. Eksperimentimet me promovimin e personave të pa sprovuar në poste të larta politike në Shqipëri, vijojnë të jenë fatale. Dikur, vetëm një javë pasi kisha marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm, nga një gazetar inteligjent, u pyeta nëse kisha menduar ndonjëherë për dorëheqjen. Përgjigja ime asokohe ishte se për dorëheqjen mendoj çdo ditë, për arsyen e thjeshtë se me karrigen ku ulem nuk kam ndonjë lidhje organike, pra nuk jam i ngjitur pas saj. Atë natë ishte data 10 dhjetor 2018. Si për çudi, saktësisht më 10 dhjetor 2020, unë e dhashë vërtet dorëheqjen, pasi një polic qëlloi me armë në mes të natës dhe në shkelje të ligjit një të ri në Tiranë.

Pavarësisht skandaleve të qeverisë, akuzave për lidhje me krimin dhe korrupsionin, çfarë e mban ende në pushtet të majtën? Pse kaq e vështirë të rrëzosh një qeveri të tillë…?

Unë mendoj se çështja e rrëzimit të qeverisë as nuk duhet të shtrohet. Në një vend normal, qeveritë nuk rrëzohen, por ndërrohen. Për fat të keq, Shqipëria vijon ende jermin komunist të frymëzuar nga mentaliteti revolucionar i rrëzimit apo përmbysjes. Në të vërtetë, ne nuk kemi nevojë për këtë dhe as nuk duhet të merremi me këtë gjë, e cila kurrë nuk na çon përpara. Por, Shqipëria ka nevojë urgjente që të mësojë se si ndërrohet qeveria dhe që krijojë kushtet që kjo gjë të ndodhë, përmes zgjedhjeve të lira dhe mundësisht sa herë këto të ndodhin edhe për një periudhë të caktuar kohë, ndërkohë që demokracia maturohet. Krijimi i këtyre kushteve lidhet me shumë gjëra, por, para së gjithash, me atë që përmenda pak më lart. Vendi ka nevojë jetike që të reformojë sistemin politik, përmes reformimit rrënjësor të partive politike. Pa një ndryshim të ligjit për partitë politike, pa vendosjen e demokracisë së vërtetë brenda partive politike që qeverisin vendin, asgjë nuk mund të përmirësohet realisht. Qeveritë duhet të ndërrohen dhe jo të rrëzohen. Që kjo të ndodhë, partitë duhet të humbasin ekskluzivitetin e përcaktimit të kandidatëve në zgjedhje jashtë proceseve të mirëfillta demokratike. Retorikat revolucionare të rrëzimeve imagjinare vetëm sa topisin ndërgjegjen publike dhe çimentojnë sistemin aktual jo demokratik.

Nëse korrupsioni më i madh është ai politik, kush duhet ta mbajë përgjegjësinë reale për të?

Unë mendoj se roli i drejtësisë në luftën kundër korrupsionit është i rëndësishëm, por jo primar dhe as vendimtar. Drejtësia mund të godasë raste të shkëputura për të cilat arrin të mbledhë prova të mjaftueshme. Drejtësia mund të godasë në ato raste kur janë shkelur apo shmangur procedurat e parashikuara me ligj. Por si bëhet në ato raste kur procedurat respektohen me përpikmëri, e megjithatë i gjithë investimi është i mbrapshtë? Dëmi më i madh i shkaktohet vendit kur paratë e tij shkojnë në prioritete të gabuara. Lënia pa ndërtuar e një aksi rrugor, e një porti a spitali, apo ndërtimi në vend të tyre i disa të tjerëve, për të cilët nevoja nuk është e dorës së parë, është korrupsioni më i madh. Edhe pse në këto raste, praktikat ligjore të ndjekura mund të jenë pa asnjë të metë, pra edhe jashtë kompetencës së organeve të drejtësisë, dëmi real i shkaktuar vendit është shumë herë më i madh nga ai i rasteve kur shkeljet janë në procedura. Korrupsioni i vërtetë është ai i nivelit politik dhe jo procedurial. Por vendimet politike mund t’i gjykojë e vetmja “gjykatë politike” e vendit që përbëhet nga zgjedhësit në ditën e gjykimit të tyre, në ditën e zgjedhjeve. Për fat të keq të vendit, dita e zgjedhjeve në Shqipëri është ende një ditë feste dhe vallesh folklorike, krejt larg së qeni një ditë “gjyqi politik”. Dhe kjo ndodh për një fakt të thjeshtë: populli thirret jo për të gjykuar, por për të zgjedhur mes vullnetit të njërit apo tjetrit kryetar partie, vullnete të cilat përgjithësisht nuk kanë ndonjë ndryshim substancial, të paktën sa i përket profilit të atyre që emërohen/zgjidhen. Unë kam bindjen e plotë se ky është problemi themelor i Shqipërisë Sistemi i saj demokratik është i dominuar eksluzivisht nga parti politike të cilat në vetvete nuk janë as demokratike dhe as të rregulluara nga një ligj i mirëfilltë. Dhe për sa kohë që kjo gjendje do të vijojë, problemet e vendit do të thellohen.

Si ish-ministër i brendshëm, a mendoni se institucionet kanë sot mjaftueshëm pavarësi për të hetuar korrupsionin politik pa presione?

E përsëris sërish se Korrupsionin politik mund ta luftojë vetëm populli përmes votës së lirë. Sistemi i drejtësisë nuk mundet që të na e ndërtojë, për shembull, aksin kombëtar më të rëndësishëm, që duhej të lidhte Tiranën me Europën, nëpërmjet Shkodrës, edhe pse në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të miratuar me ligj që në vitin 2014, ky është shpallur si një prioritet i dorës së parë. Sistemi i drejtësisë nuk mund ta përmbysë paradoksin e rrallë që Rruga e Kombit fillon me katër korsi në Kukës dhe vjen duke u ngushtuar sa më shumë i afrohet Tiranës, duke ndjekur parimin e mbrapshtë që zbatohet gjërësisht: sa më i dendur trafiku, aq më e ngushtë rruga dhe anasjelltas. Sistemi i drejtësisë nuk mund t’i heqë apo t’i vendosë sipas të njëjtit standard trarët e postblloqeve të pagesës në rrugët e vendit dhe as nuk mund t’u shpjegojë kuksianëve se përse ata duhet të paguajnë kur udhëtojnë me makinë për në shtëpitë e tyre, por nuk duhet ta bëjnë këtë gjë kur shkojnë për mik në Vlorë. Shembuj të tillë ka shumë, por gazeta juaj e ka të kufizuar hapësirën. Jo reforma në drejtësi, por reforma e sistemit politik është ajo për të cilën më së shumti ka nevojë vendi. Por, aq sa parakosalisht unanim ishte konsensusi për reformën në drejtësi para një dekade, por aq unanime është heshtja dhe konsensusi për të mos reformuar sistemin politik në vend. Dhe për sa kohë që gjendja do të vijojë kështu, korrupsioni politik do të vijojë të gërryejë vendin, ndërkohë që ndërgjegja publike do të vijojë të konsumojë si narkotikë raste të shkëputura zyrtarësh të lartë që dënohen kryesisht për kotësira.

About Krye Redaktor

Check Also

Si po shantazhohet drejtësia/ Anëtarë të Gjykatës së Posaçme dhe SHIK në videotekën e Ergys Agasit

Deklarata e Monika Kryemadhit Avokat Cakani është shumë i indinjuar, sepse kishte pritshmëri shumë të …