Përjashtimi i opozitës nga delegacioni në Bundestag/ PD: Peleshi merr urdhra nga Balla, po e trajtojnë opozitën si armik!

Grupi Parlamentar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka dhënë një sqarim lidhur me mungesën në delegacionin zyrtar të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani.

Në sqarim thuhet se më 4 mars 2026 Kryetari i Kuvendit kishte kërkuar caktimin e dy deputetëve nga grupi parlamentar i PD për delegacionin. Përfaqësues u emëruan Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu.

Megjithatë, Grupi i PD thekson se, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur më pas të përjashtojë grupin më të madh të opozitës nga delegacioni zyrtar pa dhënë arsye, duke hequr emrat e përfaqësuesve të PD-së dhe duke i privuar ata nga përfaqësimi institucional.

“Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend”, thekson Grupi i PD.

Sqarimi i Grupit të PD

Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:

Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë Delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj maxhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.

Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag.

Mirëpo, kjo sjellje e Kryetarit të Kuvendit nuk e pengon opozitën që të përfaqësohet në marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar. Opozita po zhvillon takimet e saj në Bundestag dhe në Qeverinë Federale Gjermane, në nivelet më të larta, të planifikuara më herët. Ne po përfaqësojmë PD dhe Shqipërinë me dinjitet dhe me qëndrime të qarta për shtetin ligjor dhe integrimin europian.

About Redaksia

Check Also

Raporti ndërkombëtar fundos Shqipërinë, PD: Shqipëria zyrtarisht në autokraci, përgjegjës Edi Rama! 22 marsi thirrje për të gjithë

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë Raporti i fundit i “Varieties of Democracy Institute” i …