Policia ka lënë të lirë drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i cili u akuzua një ditë më parë si pronar i dy magazinave me kanabis të zbuluara brenda një banese në Peqin.
Sipas raportimeve, hetimet paraprake nuk kanë provuar lidhjen e tij me aktivitetin e paligjshëm, ku u gjetën rreth 4 mijë rrënjë kanabisi.
Hasa, i cili u vetëdorëzua në polici një ditë më parë, do të hetohet në gjendje të lirë. Ai ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për atë që ndodhte në objekt dhe se prej disa muajsh nuk kishte shkuar në ambientet ku u zbuluan plantacionet.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur vëllai i tij, Romario Hasa, si dhe një përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, me iniciale Ervis Maçi, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në bodrumin e një magazine u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë mijëra bimë kanabisi. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë, që dyshohet se shërbenin për funksionimin e kësaj veprimtarie.
Sipas të dhënave paraprake, objekti ku u zbuluan plantacionet rezulton në pronësi të Bilal Hasës, ç’ka çoi fillimisht në shpalljen e tij në kërkim. Megjithatë, sipas raportimeve hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar përfshirjen e tij direkte.
Ndërkohë kujtojmë se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi zyrtarisht, duke bërë të ditur se është njohur me ngjarjen përmes mediave dhe ka marrë masa për Hasën. Institucioni njofton se Hasa është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave nga organet e drejtësisë.
Gazeta RD