Nafta 217 lekë, Rama anoncon shtimin e dy taksave të reja!

Nga Bujar Leskaj

Brenda pak orëve, çmimi i një litri naftë tek ne kërceu nga 202 lekë që ishte më datën 18 mars, në 217 lekë sot. Në një moment kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, për shkak te bllokimit 20 ditor të Ngushticës së Hormuzit po rriten ndjeshëm, Rama, ky “lider global” mbledh me dy ministra të tij, përfaqësuesit e kompanive të importit me shumicë të naftës dhe, pasi u mban një leksion të gjatë për transparencën e tregut të karburanteve dhe domosdoshmërinë për mbrojtjen e qytetarëve, propozon… dy tarifa të reja shtesë!

Thotë se do të vendosë tarifën e gjurmimit të naftës dhe tarifën për krijimin e rezervës së sigurisë. Në kushtet kur presioni mbi konsumatorët shqiptarë është tashmë tejet i lartë, propozimi për vendosjen e dy tarifa të reja mbi naftën vetëm sa e rëndon më shumë situatën. Efekti ekonomik i menjëhershëm pritet të jetë rritja e mëtejshme e çmimeve. Dhe kjo ndodhi ditën e sotme.

Edhe pse tarifa e gjurmimit synon të financojë sistemet e kontrollit dhe monitorimit të qarkullimit të karburanteve, me qëllim luftën kundër informalitetit dhe evazionit, ndërsa tarifa për rezervën e sigurisë lidhet me krijimin e stoqeve strategjike të naftës, koha e vendosjes së tyre është thelbësore. Në asnjë mënyrë, asnjë qeveri e përgjegjshme për qytetarët e vet në një moment krize nafte, nuk mund t’ia lejojë vetes të përmendë, e jo më të vendosë, taksa të reja mbi karburantet. Por Rama po! Dhe po e bën, në kushtet e një tregu tashmë tejet të tensionuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare, ku çdo barrë e re fiskale përkthehet pothuajse automatikisht në çmime më të larta për konsumatorët.

Edhe pse tarifat e reja mund të duken të vogla në vlerë absolute, efekti kumulativ mbi litrin e naftës është i ndjeshëm. Dhe në një treg me elasticitet të ulët të kërkesës, konsumatori përfundimtar shqiptar mban pjesën më të madhe të kostos.

Krijimi i rezervave strategjike është një praktikë standarde në vendet e BE-së dhe ka rëndësi për menaxhimin e krizave. Megjithatë, mënyra e financimit dhe koha e implementimit të taksës mbi rezervat strategjike janë po aq të rëndësishme sa vetë qëllimi.

A duhej pikërisht tani të anoncohej kjo tarifë?! Vendosja e menjëhershme e saj mund t’i kushtojë konsumatorëve shqiptarë me dhjetra dhe qindra milionë euro! Financimi i saj mund dhe duhet të bëhet në mënyrë graduale, përmes Buxhetit të Shtetit, ose duke rishpërndarë taksat ekzistuese pa shtuar barrën direkte mbi çmimin e karburantit në periudha krize.

Mirëpo sekti Rama në pushtet nuk pyet për pasojat mbi qytetarët. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të naftës ndikon direkt në transport, bujqësi, industri dhe në çmimet e ushqimeve. Kjo krijon një efekt domino, i cili prek drejtpërdrejt koston e jetesës së qytetarëve, sidomos të qindra mijëra familjeve në kushtet e varfërisë ose me të ardhura modeste.

Mjafton përmendja, e jo më vendosja e taksave të reja në një periudhë të vështirë ekonomike, që të dëmtohet rëndë besimi publik dhe të krijohet perceptimi i mungesës së ndjeshmërisë së qeverisë ndaj situatës tejet të vështirë të një tregu jetik për ekonominë, si ai i karburanteve, duke frenuar konsumin dhe investimet.

Por “lideri global” nuk pyet për dëmet ndaj ekonomisë së shqiptarëve. Atij i intereson vetëm abuzimi me taksat e tyre dhe vjedhja e keqpërdorimi i mëtejshëm i aseteve publike.

About Redaksia

Check Also

Një komb, dy botë!/ Berisha: Shqipëria shumë pas Kosovës…

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me renditjen e fundit për nivelin e …