Nga Ndriçim KULLA
Ka gjithnjë një çast të rrezikshëm kur ëndrra kolektive, e ndërtuar me durim e sakrificë, përplaset me vullnetin individual të një njeriu që nis ta ngatërrojë fatin e tij me fatin e vendit dhe pikërisht në këtë çast të brishtë, kur shpresa duket se ka marrë formë konkrete, lind edhe rreziku më i madh i rrënimit të saj, sepse ajo nuk shembet më nga armiq të jashtëm, por nga brenda, nga një deformim i ngadaltë i vetë qëllimit që e kishte lindur.
Kështu ndodhi, ose të paktën kështu duket se po ndodh, me atë që për vite me radhë mund ta quajmë “pasarela e integrimit evropian”, një konstrukt jo vetëm politik, por edhe estetik, emocional dhe simbolik, i ndërtuar me mjeshtëri nga Edi Rama, i cili e paraqiti këtë proces jo si një rrugë të mundimshme reformash dhe përgjegjësish, por si një marshim pothuajse mistik drejt një parajse të premtuar, ku Shqipëria, e lodhur nga historia e saj e ashpër, do të gjente më në fund paqen e saj institucionale.
Në këtë skenografi të kujdesshme, që nuk i mungonin as ngjyrat, as simbolika, as retorika e lartë, mund të dallohej një përpjekje për të rikrijuar në mënyrë moderne atë frymë shprese që dikur Naim Frashëri ua kishte përcjellë shqiptarëve në kohët e errëta të fundit të Perandorisë Osmane, kur ai u fliste për një lindje të dritës nga Perëndimi. Por ndryshe nga poeti, i cili e konceptonte këtë si një rilindje shpirtërore dhe kombëtare, projekti i Rilindjes së sotme që drejton personi në fjalë nisi të marrë trajtat e një instrumenti pushteti, ku Europa nuk ishte më një horizont vlerash, por e mbështjellë me një dekor artificial politikë.
Dhe pikërisht këtu nis drama e vërtetë, ajo që do ti kishte interesuar edhe një mendje e hollë si Stefan Zweig, i cili në analizat e tij të psikologjisë së pushtetit ka treguar se si individët, kur arrijnë një shkallë të caktuar dominance, fillojnë të ndërtojnë një realitet paralel ku vetja e tyre bëhet masa e së vërtetës, duke humbur aftësinë për të dalluar midis projektit publik dhe ambicies personale.
Në rastin konkret, pasarela e integrimit nuk u duk e rrëzuar në një ditë, as nga një vendim i vetëm, por nga një grumbullim i ngadalshëm kontradiktash. Nga njëra anë, para publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë, projektohej një imazh i reformave, i përparimit dhe i përkushtimit ndaj standardeve të Bashkimi Evropian; ndërsa nga ana tjetër, në praktikën e përditshme politike, zhvillohej një logjikë e kundërt, ku proceset zgjedhore, institucionet dhe vetë shteti i së drejtës filluan të trajtoheshin si mjete në funksion të një qëllimi të vetëm: ruajtjes së pushtetit me çdo kusht.
Ky dualizëm, që në psikologji mund të përkufizohej si një formë e disonancës kognitive në nivel pushteti, krijoi një tension të brendshëm që nuk mund të zgjaste pafundësisht. Sepse Evropa, ndryshe nga ç’është tentuar të paraqitet në retorikë, nuk është një klub që funksionon mbi bazën e simpative personale apo spektaklit politik, por mbi parime të ftohta dhe të pakompromis: shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve, integritetin e proceseve zgjedhore.
Në këtë kuptim, mbështetja e disa vendeve anëtare si si Gjermania, Austria, Kroacia, Sllovenia apo Belgjika , nuk ishte një çek i bardhë, por një ofertë e kushtëzuar, një dorë e shtrirë që kërkonte përgjigje konkrete dhe kulmi i kësaj oferte u materializua në procesin e Berlinit dhe në kushtet e artikuluara nga Bundestagu gjerman, të cilat përbënin, në thelb, një projekt të qartë transformimi institucional.
Por kur këto kushte nuk u përkthyen në veprim, kur reformat mbetën në nivel propagandistik dhe kur rastet konkrete të sfidimit të drejtësisë filluan të perceptoheshin si mbrojtje politike e figurave të akuzuara për korrupsion, atëherë pasarela nisi të lëkundet; sepse ajo nuk ishte ndërtuar mbi betonin e institucioneve, por mbi një kombinim të brishtë propagande dhe balancash politike.
Në këtë pikë, rrëzimi i saj bëhet pothuajse i pashmangshëm, jo si një akt ndëshkues nga jashtë, por si një pasojë logjike e një devijimi të brendshëm: kur një projekt kolektiv shndërrohet në mjet personal, ai humbet legjitimitetin e tij dhe, bashkë me të, edhe mbështetjen që e mbante në këmbë.
Edhe përpjekjet për të mbajtur gjallë këtë konstrukt përmes marrëdhënieve individuale me zyrtarë evropianë , qofshin ata si Marta Kos apo Silvio Gonzato dhe të tjerë , nuk mund të ndryshonin thelbin e problemit; sepse në fund, ajo që vendos për fatin e një vendi në raport me Evropën nuk janë marrëdhëniet personale, por përputhja reale me standardet.
Dhe kështu, ajo që dikur u paraqit si një urë drejt Evropës, përfundoi duke u kthyer në një pasarelë të rrëshqitshme, ku çdo hap përpara shoqërohej nga një rrëshqitje pas, deri në momentin kur vetë struktura nuk mundi më të mbante peshën e kontradiktave që kishte mbartur për vite me radhë.
Në fund, pyetja nuk është më nëse u rrëzua apo jo kjo pasarelë, por pse ajo u ndërtua në atë mënyrë që rrëzimi i saj të ishte i pashmangshëm; dhe përgjigjja, sado e pakëndshme të jetë, duket se lidhet me një të vërtetë të thjeshtë dhe të vjetër sa vetë politika, se kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, ai ka prirjen të gllabërojë çdo ideal që e ka sjellë në jetë, duke e kthyer atë në hijen e vet.
Në këtë kuptim, integrimi evropian nuk është një pasarelë që ndërtohet një herë e përgjithmonë nga një lider, por një rrugë që kërkon përulësi, disiplinë dhe një ndarje të qartë midis interesit publik dhe ambicies personale; dhe sa herë që kjo ndarje mjegullohet, rruga humbet, ndërsa pasarelat, sado të bukura të duken, janë të destinuara të shemben.
Gazeta RD