Nga Nikola KEDHI
Historia nuk i mat liderët me fjalët që thuhen për ta. I mat me zgjedhjet që bëjnë kur rreziku është real dhe kostoja personale ekziston. Historia i kujton për veprimet e tyre, veprat dhe impaktin te njerëzit.
Teksa propaganda, ajo me dashje ose jo, vijon te hedhë baltën e përditshme mbi të dhe demokratët, mirë është që të thuhen herë pas herë disa të vërteta, qoftë dhe në një cep të hapësirës publike.
Ajo që ndodhi në protestën e fundit mendoj se ka një peshë të veçantë, të paktën te unë, për aq sa isha dëshmitar. Sali Berisha, lideri historik i të djathtëve shqiptarë, pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit të së djathtës shqiptare, qëndroi si përherë krah për krah me demokratët, duke u prirë atyre dhe duke përjetuar të njëjtin gaz, të njëjtën dhunë, me qytetarët që përfaqëson.
Kjo gjë nuk prodhohet dot në laborator si tentojnë shumë politikanë të rinj apo të vjetër në tentativë. As nuk delegohet dot. Ose e ke si instinkt ose nuk e ke. Dhe kjo gje, veçanërisht rasti i djeshëm, është një leksion i mirë për politikanët shqiptarë.
Kritikët e tij mund ta kontestojnë çdo vendim politik, mund të mos bien dakord me shumëçka që ai bën apo thotë.
Por Berisha mbetet politikani i vetëm i staturës Reaganiane në vend e mbase në Europë. Prania e tij fizike përballë forcës shtetërore nuk kontestohet dot nga asnjë kritik.
Legjitimimi nuk huazohet dot. Këtë fakt politika shqiptare e ka harruar prej kohësh. Ka politikanë që karrierën e ndërtojnë duke u lodhur nëpër korridoret e ambasadave. Presin takimin e fotografuar, deklaratën e zëdhënësit të huaj, bekimin e importuar nga një kryeqytet që as nuk e di si quhet zona ku ata kanë bazën elektorale.
Ka të tjerë që legjitimimin e kërkojnë nga studiot televizive apo rrjetet sociale, ekzistojnë kur transmetohen dhe zhduken kur kamera fiket.
Të dy llojet kanë një problem të përbashkët: ajo që huazohet rikthehet, dhe ajo që konstruktohet rrëzohet.
Legjitimimi i vetëm që qëndron vjen nga njerëzit. Dhe ndërtohet vetëm në një mënyrë, duke qenë prezent kur prania ka çmim, duke qenë në mënyrë natyrale njëri prej tyre atëhere kur ka vërtet rëndësi. Duke luftuar krah për krah me ta.
Berisha e ka ndërtuar pikërisht kështu, jo kur ishte e rehatshme, jo kur sistemet ndërkombëtare i kishte në anën e tij, por në momentet kur çdo kalkulim racional do të sugjeronte tërheqje.
Ai u është gjendur demokratëve pranë dhe ka krijuar një marrëdhënie të farkëtuar në vështirësi e mund. Ndaj ata i përgjigjen. Sepse ai është aty! Me ta!
Kur komuniteti ndërkombëtar ndërron humore në bazë lobimesh. Kur aparati gjyqësor mobilizohet kundër teje. Kur mediat e regjimit prodhojnë narrativa ditore për fundin tënd politik. Në ato momente mbijetojnë vetëm ata që kanë diçka të vërtetë, një marrëdhënie besimi mes njerëzve.
Dhe pikërisht kjo shpjegon diçka që shumë e quajnë paradoks: pse demokratët ende zgjedhin atë, duke i falur dhe gabime. Propaganda e trajtojn si dobësi kolektive, si nostalgji, si mungesë alternativash.
Por ata që bëjnë këtë pyetje nuk e kanë kuptuar një gjë themelore që kjo është marrëdhënie besimi e ndërtuar me histori të përbashkët, të cilën deri më sot askush nuk po e replikon apo aq më pak tejkalon dot.
Berisha ka qenë shpesh për demokratët mburoja e vetme reale ndaj dhunës shtetërore. Ndaj padrejtësive sistematike. Për mbi një dekadë, qytetari digjital u kthye në institucion. Kur sistemi godiste, ai ishte aty. Kur të tjerët heshtnin ose bënin llogaritë, ai mbante qëndrim. Mirë do ishte që kushdo që e analizon t’i marrë në konsideratë dhe këto.
Kjo gjë lë gjurmë më të thella se çdo gabim politik, se çdo vendim i diskutueshëm. Njerëzit i falin liderët që kanë qenë me ta kur kishte kosto. Nuk e falin kurrë atë që i ka braktisur kur kishin nevojë. Kjo është aritmetika e thjeshtë e besës, të cilën ende kundërshtarët e tij dhe të demokratëve nuk kuptojnë ose u vjen inat ta pranojnë. Për të njëjtën arsye republikamët amerikanë i qëndruan pas trumpit për gati 11 vite, edhe mes skandalesh të shumta, apo të djathtët italianë Berlusconit edhe pas vdekjes.
Por ka edhe një dimension që nuk diskutohet me ndershmëri. Sali Berisha del në rrugë dhe përballet me dhunën policore e me gazin, të cilat as ai dhe as demokratët nuk duhet t’i harrojnë kur të vijnë në pushtet. Ai e bën pa frikë, pa u tërhequr, pa braktisur njerëzit që i janë përgjigjur thirrjes së tij dhe dalin për problemet e të gjithëve ne.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e brezit të ri shqiptar, brezi që vuan karburantin e dyfishuar, qiranë e papagueshme, pagën që nuk mbulon muajin, pamundësinë për të blerë banesë apo për të krijuar familje, ka zgjedhur konformizmin estetik si mënyrë jetese.
Është më lehtë të ankohesh privatisht. Të postosh ironikisht. Të mbash distancë “kritike” nga të gjithë si shenjë sofistikimi, jo frike. Të thuash “nuk më përfaqëson askush” si justifikim për mosveprim.
Por kjo distancë ka çmim. Dhe ai çmim paguhet çdo muaj, në çdo faturë, në çdo vendim jetësor të shtyrë pafundësisht.
Frika është e kuptueshme. Sistemi është ndërtuar saktësisht për të prodhuar këtë: një popullatë që vuan në heshtje dhe e racionalizon heshtjen si maturim.
Sot regjimi ja ka dalë të krijojë atë që unë e quaj Shoqëria e Tërheqjes dhe e ka kthyer Shqipërinë në një vend pa kohë, duke i strukur shqiptarët në privatësinë e tyre e duke i detyruar të braktisin vendin fizikisht apo peikologjikisht. Por kurajë civile nuk do të thotë të jesh hero. Do të thotë të mos lejosh që frika të vendosë për ty. Demokratët me në krye liderin e tyre bëjnë pikërisht këtë.
Historia nuk ka respekt për ata që ruajnë kostume të pastra në kohë shiu.
Mund t’i merresh një politikani çdo gjë: postin, mandatin, qoftë dhe lirinë përkihësisht. Nuk mund t’i marrësh një lideri njerëzit që e kanë parë të qëndrojë kur sistemi i kërkonte të përkulej. Ai kapital nuk transferohet dot.
Së fundmi, ditën e djeshme sërish Sali Berisha tregoi një gjë që politika shqiptare e ka harruar si koncept: se lidershipi nuk është post, nuk është studio, nuk është fotografi me zyrtarë të huaj. Është zgjedhja që bën kur ke çdo arsye të mos e bësh.
Dhe ndërkohë që një pjesë e brezit më të ri pret që dikush tjetër të dalë i pari, ai njeri, me çdo barrë mbi supe, është akoma i pari që del. E këtë meriton që më së paku t’ja njohim.
Gazeta RD