Një portret psikologjik dhe politik për Edi Ramën

Nga Ndriçim KULLA

Edi Rama është, pa dyshim, një prurje e pazakontë në politikën shqiptare, por jo në kuptimin fisnik të fjalës. Ai është një fenomen i rrallë i vetëmitizimit patologjik, një individ që e ka ndërtuar karrierën jo mbi ide, institucione apo përgjegjësi, por mbi estetikën e vetes.

Thuhet se është piktor. Unë nuk e kam besuar kurrë. Ai vetë këmbëngul që kështu të quhet. Madje e kërkon këtë epitet me një ngulm që shkon përtej krenarisë: i duhet për të justifikuar pushtetin. Por këtu fillon çarja psikologjike: ai nuk do të njihet si piktor për veprën, por si artist për pozitën.

Në rastin e Ramës, arti nuk është pasion dhe proces, por është alibi në të vërtetë .

Mania që shprehë vazhdimisht për gjatësinë fizike nuk është thjesht kompleks estetik, por një simbol pushteti. Ai e ka ndërkombëtarizuar idenë se përmasat trupore përkthehen në përmasa mendore e politike. Një lloj darvinizmi personal, ku natyra sipas tij , e ka zgjedhur për të sunduar. Kjo ka prodhuar një delir madhështie, tipik për personalitetet narcisiste që nuk pranojnë kufi, kritikë apo barazi.

Në galerinë e veprave të tij, të promovuara me një këmbëngulje tashti që është më pushtet dhe që kufizohet me obsesionin, nuk gjendet gjenia që ai pretendon. Ka shenja grafike, ka shpërthime ngjyrash, por mungon struktura, thellësia, nervi artistik. Janë vepra që dëshmojnë nevojën për t’u parë, por ama jo aftësinë për të parë botën. Flutura, miza, ngjyra pa ngjyrë , metafora të pavetëdijshme e një mendjeje që rrotullohet rreth vetes.

Këtu paralelja historike bëhet e pashmangshme.

Adolf Hitler, gjithashtu një artist i dështuar, e kërkoi shpëtimin e egos së dështuar në politikë. Dështimi në art u shndërrua në uri për pushtet absolut. Natyrisht, kontekstet historike janë të ndryshme, por mekanizmi psikologjik është i ngjashëm: kur arti nuk të njeh, kërkon që shteti të të duartrokasë.

Në lidhje me politikën ,Rama nuk ndërtoi institucione kurrë por ai ndërtoi skenografi teatri.

Nuk ndërtoi demokraci kurrë, por ai ndërtoi histori për veten e tij.

Dhe nuk qeverisi, por veçse performoi.

Rezultati është një shtet ku pushteti është personalizuar krejtësisht në deformim, ku ligji është bërë fotografi, ndërsa propaganda është kthyer në substancë. Një realitet ku demokracia është shtrirë përdhe, jo nga një grusht shteti brutal, por nga një estetikë autoritare, që e mbështjell dhunën me fjalë, ngjyra dhe ironi.

Në këtë portret, Edi Rama nuk është tirani klasik. Ai është diçka më e rrezikshme për shoqëritë e lodhura: tirani që buzëqesh, që flet për art ndërsa zbraz vendin nga njerëzit, që flet për Evropë ndërsa prodhon braktisje masive, që flet për modernitet ndërsa sundon me instinktet më primitive të pushtetit.

Por problemi i Ramës nuk është thjeshtë se nuk është artist i madh ose se nuk duket artist.

Problemi është se ai e trajtoi Shqipërinë si telajo personale dhe popullin si bojë të harxhueshme.

Edi Rama është një figurë që nuk mund të lexohet thjesht si politikan. Ai kërkon një lexim tjetër, më të ngadaltë, më të thellë, sepse nuk ka ardhur në pushtet përmes një programi, por përmes një vetëpërfytyrimi. Dhe kjo sepse nuk e sheh veten si administrator të përkohshëm të shtetit, por si personazh historik në ndërtim, si figurë që i ka rënë për hise të sundojë një realitet të vogël, të lodhur, të pambrojtur. Kjo është pika e nisjes së çdo analize serioze për këtë njeri.

Që në fillim, ai e ka imponuar veten jo përmes ideve, por përmes trupit. Gjatësia e tij fizike, e përmendur shpesh dhe e përdorur me një narcizëm të pavetëdijshëm, nuk është një detaj biografik, por një simbol psikologjik. Është përkthyer në mendjen e tij si provë epërsie, si shenjë se natyra e ka zgjedhur. Nga kjo lind bindja e rrezikshme se hierarkia biologjike mund të kthehet në hierarki morale dhe politike. Kurrë në asnjë rast nuk e ka parë barazinë si parim, por si pengesë.

Vetëpërkufizimi i tij si artist është thelbi i këtij konstruksioni. Artin nuk e ka përdorur si kërkim, por si mburojë. Ai nuk ka dashur të gjykohet për veprën, por të shpallet i paprekshëm nga kritika për shkak të statusit simbolik të “artistit”. Në këtë pikë, arti pushon së qeni art dhe shndërrohet në propagandë personale. Veprat e tij të promovuara me ngulm institucional nuk dëshmojnë një proces krijues të brendshëm, por një ankth të vazhdueshëm për t’u vërtetuar. Ato janë shenja, jo struktura; impulse, jo vizione; gjeste, jo mendim. Janë produkte të një egoje që kërkon vazhdimisht pasqyrë.

Ky dështim për të ndërtuar thellësi artistike shndërrohet gradualisht në nevojë për pushtet. Kur arti nuk të bind botën, kërkon që bota të të bindet. Ky është një mekanizëm i njohur në historinë e figurave autoritare. Adolf Hitler, në një kontekst tjetër dhe me pasoja katastrofike për njerëzimin, e përjetoi të njëjtën kthesë psikologjike: dështimi personal i sublimuar në ambicie politike absolute. Krahasimi nuk është historik, por strukturor. Dhe nuk ka të bëjë me përmasat e krimit, por me mekanizmin e shpërnguljes së frustrimit nga vetja te pushteti.

Në rastin e Ramës, politika u bë skena ku ai mund të jetë njëkohësisht autor, aktor por dhe kritik. Kjo është arsyeja pse ai nuk duron dialogun e vërtetë. Debati nuk i shërben, sepse debati e zbret nga piedestali. Ai preferon monologun, ironinë, talljen, gjuhën e epërsisë morale. Çdo kundërshtar nuk trajtohet si alternativë, por si figurant i panevojshëm në shfaqjen e tij. Kjo sjellje nuk është thjesht arrogancë karakteri, por simptomë e një psikologjie pushteti që nuk njeh kufij.

Shteti, nën këtë qasje, pushon së qeni strukturë ligjore dhe shndërrohet në trup të liderit. Institucionet nuk funksionojnë si mekanizma kontrolli, por si zgjatime të vullnetit personal. Ligji nuk është normë e përgjithshme, por instrument selektiv. Demokracia nuk zhduket me dhunë klasike, zbehet, bëhet formale. Ajo vazhdon të ekzistojë si fjalë, por jo si përvojë qytetare. Kjo është forma më e sofistikuar e autoritarizmit. Ajo që nuk ka nevojë për tanke, sepse ka manipulimin.

Gjithçka ambalazhohet: dështimi quhet reformë, emigrimi quhet lëvizshmëri, kapja e shtetit quhet stabilitet. Gjuha humbet kuptimin dhe bëhet mjet mpirjeje. Rama, si mjeshtër i fjalës së kërkuar që i buron nga histeria e pushtetit dhe ironisë publike, e ka përdorur këtë armë me mjeshtëri. Ai nuk të bind por të lodh. Nuk argumenton por relativizon. Nuk përballet por e bën qesharake çdo kundërshti.

Pasojat janë të dukshme: një shoqëri e demoralizuar, një klasë e mesme e shpërbërë, një rini që nuk e sheh më të ardhmen si projekt kolektiv, por si ikje individuale. Ky nuk është aksident, por rezultat logjik i një pushteti që nuk e sheh qytetarin si subjekt, por si spektator. Shqipëria, nën këtë qasje, nuk është vend që ndërtohet, por një skenë që keq menaxhohet.

Edi Rama nuk është një diktator klasik. Ai është diçka më e rafinuar dhe më e rrezikshme për kohët moderne: një lider që e mbulon boshllëkun institucional me estetikë personale, që e fsheh dhunën strukturore pas ironisë, që e zëvendëson përgjegjësinë me performancën. Ai nuk e shkatërron demokracinë me zhurmë, por me indiferencë. Dhe kjo është forma më e qetë e rrënimit.

Dhe drama e vërtetë nuk është ajo që Rama mendon për veten, por ajo që i ka bërë shoqërisë duke e imponuar këtë vetëpërfytyrim si realitet politik. Një vend nuk mund të mbahet gjatë si telajo personale pa u shqyer. Dhe kur boja mbaron, ajo që mbetet nuk është vepër arti, por shenja të thata të një pushteti që e ngatërroi veten me historinë.

About Redaksia

Check Also

Vangjeli: Të hetohet drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala transferime të dyshimta dhe leje ndërtimi në shkelje të ligjit

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli: Një tjetër skandal i rëndë trondit …