Nga Dorian TELITI
Në një moment kur Shqipëria po lëngon nga pasojat e një ndarjeje ogurzezë që u hartua 12 vite më parë në zyrat e pushtetit dhe jo në rrugët e komunitetit, për opozitën reforma territoriale nuk është thjesht një proces teknik, por një mision për të çmontuar makinerinë e vjetër që la qytetarët pa shërbime dhe pa zë.
Dështimi i reformës aktuale është i gjithëanshëm:
Braktisja e fshatit dhe rrënimi qyteteve: Kjo reformë e ktheu fshatin në “tokë të askujt”, ku banorët paguajnë taksa qyteti por nuk marrin as shërbimet më minimale. Kjo reformë krijoi qytete betoni por pa qytetarë.
Bashkitë si “Kulla Fildishte”: Kryetarët e bashkive u kthyen në feudalë lokalë që shohin vetëm qendrën, ndërsa lagjet dhe periferitë u lanë në harresë totale.
Shpërdorimi dhe korrupsioni i administratës: Fondet që duhej të shkonin për shkolla, kopshte, kanalizime e rrugë, u gllabëruan nga një administratë e fryrë që nuk dinë as ku ndodhen kufijtë e bashkisë së tyre.
Shkatërrimi i decentralizimit: Pushteti dhe autonomia vendore u asgjësuan, duke i kthyer bashkitë në një shtojcë të qeverisë, zyra elektorale bashkiake që funksionojnë vetëm me urdhra politikë dhe jo mbi nevojat e banorëve.
Qëndrimi i Opozitës është i qartë dhe i panegociueshëm:
Ne jemi për të kërkuar, hartuar dhe miratuar një reformë të re territoriale që i shërben qytetarit, jo llogarive elektorale të radhës.
Opozita kërkon kthimin e pushtetit real te qytetari, që shërbimi të jetë pranë shtëpisë dhe biznesit, ndarje të drejtë të buxhetit ku çdo qindarkë e taksapaguesit të fshatit më të largët të kthehet në investim aty ku ai jeton, me një autonomi të plotë financiare që këput zinxhirët e varësisë nga qeveria qendrore.
Nuk mund të ketë Shqipëri europiane nëse një nëne në skajin më të thellë i duhet të udhëtojë 3 orë për një dokument, apo nëse një fermeri i kalben produktet sepse rruga rurale e bashkisë ekziston vetëm në letër.
Integrimi në BE nuk është vetëm proces qendror politik, por transformim territorial që prek drejtpërdrejt komunitetet rurale!
Gazeta RD