Skandal/Albcontrol, 350 mijë euro për informacionin e fluturimeve në Aeroportin e Kukësit, por fluturime s’ka!

Abuzimi pa mëshirë i parasë publike në Shqipëri shpesh prodhon dhe situata komike. Rasti më i fundit i përket shoqërisë Albcontrol, që shquhet për shakara me dëm të madh.

Në fund të vitit të kaluar, Albcontrol shpalli një tender me vlerë 33.2 milionë lekë ose rreth 350 mijë euro për sigurimin e infrastrukturës për ofrimin e shërbimit të Informacionit të Fluturimit në Aeroportin e Kukësit.

Por ka një problem të vogël. Në Aeroportin e Kukësit nuk ka asnjë fluturim prej dy vitesh. Dhe as ka gjasa të ketë, pavarësisht se qeveria herë pas here, lëshon ndonjë premtim bosh.

Shpallja e tenderit

Aktualisht në Aeroportin e Kukësit fluturojnë vetëm zogjtë. Ndaj infrastruktura, që do t’u kushtojë shqiptarëve 350 mijë euro, do të ofrojë shërbimin e informacionit për fluturimin e zogjve mbi Aeroportin e Kukësit.

Dhe kjo është një kontratë që përsëritet çdo vit, me qëllimin e vetëm për të marrë 350 mijë eurot, pa u sjellë qytetarëve asnjë dobi publike. Por ky nuk është problemi i vetëm. Ky tender është një kënetë abuzimesh nga të gjitha anët.

350 mijë euro për të marrë me qira një kioskë

Ndonëse zyrtarët marifetcinj të Shqipërisë kanë mësuar t’i emërtojnë tenderat me terma kompleks dhe jo pa qëllim, në fakt objekti i vërtetë i këtij tenderi është marrja me qira për 1 vit e një kioske me përmasa 3 metër me 2.5 metër dhe që ka dy radio dhe një telefon fiks. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat kulla të lëvizshme kontrolli si kjo në foton më poshtë.

Në këtë kullë supozohen të rrinë kontrollorët e trafikut ajror, të cilët komandojnë uljet dhe ngritjet e avionëve. Në rastin e Aeroportit të Kukësit do të komandojnë uljet dhe ngritjet e sorrave. Por nuk mbaron këtu.

Një kullë e re me pajisjet dhe kriteret teknike si ato që kërkon Albcontrol në kontratë, kushton 80-100 mijë dollarë po ta blesh të re. Shoqëria shqiptare e lundrimit ajror është duke paguar 350 mijë euro për të marrë 1 vit me qira një kullë të përdorur.

Tenderi për marrjen e kullës me qira u zhvillua përpara dy javësh. Në garën pa garë mori pjesë vetëm një kompani. Kjo ishte R & T, e cila ofroi çmimin 31.6 milionë lekë ose 330 mijë euro. Këtë të premte kompania u shpall fituese e tenderit të kioskës.

Shpallja e fituesit

Me pak fjalë, 350 mijë euro ikën. Por qytetarët shqiptarë nuk kanë për të marrë ndonjë shërbim nga këto para. Zero.

Babëzia me të cilën shpërdorohen paratë e qytetarëve në Shqipëri është e frikshme. Kur spitalet rrinë pa analiza, Albcontrol i cili ka marrë përdrejtë mbi 70 milionë euro injektim kapitali nga paratë e qytetarëve vitin e kaluar, shpenzon para për të numëruar zogjtë që fluturojnë në Aeroportin e Kukësit. /Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Berisha: Rama po grabit portin e Durrësit, pasurinë numër një në vend, për të ndërtuar një port 6 herë më të vogël

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Rama për grabitje të pasurive publike, duke …