Shumica po zhbën Kuvendin për të shmangur kontrollin

Nga Gazment BARDHI

Gjatë fjalës time në Tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues” , të organizuar nga Ambasada Britanike dhe WMF për Demokraci, ndër të tjera theksova se:

Demokracia nuk është një gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike.

Roli i Kuvendit të Shqipërisë është kyç në këtë drejtim. Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale. Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik.

Megjithatë, realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar. Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cënojnë interesin publik.

Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisë refuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen.

About Redaksia

Check Also

Spahia: Minimumi jetik e drejtë kushtetuese, jo lëmoshë! Qeveria rrit çmimet, injoron nevojat e qytetarëve

Në një takim të Partisë Demokratike me Departamentin e Çështjeve Sociale, deputeti Bardh Spahia deklaroi se …