Tenderi i hapur me urgjencë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për situatën e rrëshqitjeve në Librazhd është fituar nga e njëjta firmë që shkaktoi bllokimin për disa ditë të një krahine të tërë. Kompania A. N. K. me pronar Agim Kolën po ndërton rrugën e re, ndërkohë që punimet shkaktuan shembje. Dhe, për ironi të fatit, Agimi ka fituar sërish para’ nga e gjithë ajo situatë.
Një nga kompanitë që po hetohet apo duhet të hetohet është padyshim A. N. K, e cila ka fituar tenderin e madh, ndërkohë që nuk mbetet pas as firma projektuese apo edhe vetë drejtuesit e ARRSH-së. Të gjithë janë përgjegjës për situatën e krijuar, ku mijëra banorë mbetën të bllokuar për disa dite dhe për të udhëtuar në drejtim të Tiranës apo qyteteve të tjera, u duhej të bënin qindra kilometra më shumë. Por nëse deri në atë kohë s’ka pasur dëm ekonomik, po tenderi i riparimeve me emergjencë a nuk është një dëm në arkat e shtetit?

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, drejtori i ARRSH-së Ami Kozeli ka publikuar ditët e fundit shpalljen e fituesit të kësaj procedure. Bëhet fjalë për një kontratë klasike me objekt “procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës- punë publike”. Pra, vetë Ami apo vartësit e tij kanë negociuar me firmën fituese dhe jo të kenë hapur edhe tenderin.
Mësohet se përshkrimi i kontratës ka qenë “emergjencë masa parandaluese mbi rrëshqitjen në zonën e quajtur “Ligata e Bicit”, Dragostunjë”, me një fond limit prej 93,702,755 lekë, pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 2 muaj e 14 ditë. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit ka qenë “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”.
“Me anë të këtij Njoftimi ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë A. N. K. me vlerë 88,472,300 lekë pa TVSH dhe ‘2 T’ me vlerë 93,300,000”, thuhet në dokumente. Pra, dy kompani të cilat kohët e fundit janë venë në qendër të diskutimeve për rrëshqitje, A. N. K. -ja për aksin Librazhd – Prrenjas dhe kompania 2 T për rrëshqitjet në aksin Qukës – Qafë Plloçë.
Dyshimet janë se, oferta e firmës 2 T ka qenë për kundrapeshë, pasi edhe vlera që kanë ofruar ka qenë shumë afër fondit limit. Ndoshta sa për të thënë se “në tender morën pjesë 2 firma”. Që në momentin e parë të hapjes së këtij tenderi dihej se kush ishte fituesi, pasi mjafton për të parë se çfarë makinerish u përdorën për të mbushur rrugën për të kuptuar se kush do të ishte fituesi.

Disa javë më parë, Vox News publikoi një investigim për shkaktarët e shembjes së rrugës në Dragostunjë. Në fund të vitit 2023, pasi më parë ishte bërë projektimi me raportet përkatëse, Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili në atë kohë drejtohej nga Evis Berberi, aktualisht i arrestuar për abuzime të tjera, si në ARRSH apo në KESH, shpalli firmën fituese që do të ndërtonte lotin e katër të atij segmenti.
Fitues u shpall kompania “A. N. K.”, e cila fitoi tenderin me vlerë 2.5 miliardë lekë, ose me këmbimin e sotëm valutor, mbi 25 milionë euro. Kohëzgjatja e punimeve është 24 muaj, teksa lidhja e kontratës u bë në vitin 2024. Aktualisht, pronari me letra i firmës ANK, e cila fitoi gjithashtu të gjitha tenderët e ndërtimit të segmentit Korçë – Ersekë, është Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS-së Ndue Kola. Por, njësoj siç ndodhi edhe në atë segment, ku pati shembje në Qafën e Qarrit, Kolën e kanë ndjekur shembjet edhe në këtë aks. /VoxNews
Gazeta RD