Spahia: Minimumi jetik e drejtë kushtetuese, jo lëmoshë! Qeveria rrit çmimet, injoron nevojat e qytetarëve

Në një takim të Partisë Demokratike me Departamentin e Çështjeve Sociale, deputeti Bardh Spahia deklaroi se situata sociale në Shqipëri është “mjaft e vështirë” dhe se politikat e qeverisë nuk kanë përmirësuar jetën e qytetarëve gjatë 12 viteve të fundit.

Sipas Spahisë, varfëria relative mbetet në 40% të popullsisë, një nivel i njëjtë si 20 vite më parë, ndërsa rreziku për përjashtim social është 43.4%, mbi dyfishin e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Ai shtoi se intensiteti i ulët i punës është 34.7%, ndërsa gati gjysma e të punësuarve marrin paga më të ulëta se mesatarja kombëtare.

“Rritja e çmimeve ka goditur drejtpërdrejt shtresat më vulnerabël. Minimumi jetik nuk është luks – është e drejtë themelore,” tha Spahia, duke u angazhuar që opozita të vazhdojë këtë betejë për dinjitetin e qytetarëve.

Spahia: Situata sociale në Shqipëria paraqitet mjaft e vështirë, me indikatorë dukshëm më të dobët si në raport me vendet e rajonit, ashtu edhe me ato të Bashkimi Evropian. Për të kuptuar këtë dimension na ndihmojnë të dhënat që flasin qartë.

Së pari, Varfëria relative është në nivelin 40% të popullsisë, nivel i njëjtë si 20 vite më parë, po ti referohemi të dhënave të Bankës Botërore. Pra varfëria në vitin 2025 ishte në të njëjtën masë e shtrirë në popullatë sikundër ka qenë në vitin 2005. Gjatë këtyre 12 viteve ka patur vetëm regres në këtë aspekt. Është i pajustifikueshëm argumenti se kjo ka ardhur si pasojë e tërmetit të vitit 2019, pandemisë, krizës së çmimeve të viteve 2022-2023, të luftës në Ukrainë, por,  dhe sot në një krizë të saponisur. Kjo sepse të gjitha vendet e rajonit në të gjitha këto sfida globale kanë marrë masa disa herë më të mëdha qoftë financiare, por edhe lehtësuese për popullsinë.

Po ashtu, një indikator determinues për të matur nivelin e varfërisë është dhe rreziku për përjashtim social, i cili është në vlerën e 43.4%, më shumë se dy herë mesatarja e vendeve të BE. Por, edhe në krahasim me vendet e rajonit e më gjërë,  ku psh Turqia është në nivelin e 34%; Mali I Zi në 38%, Rumania në 34.4%, Maqedonia e Veriut në 32.6%, Bullgaria me 31.7% dhe Serbia me 29.8%.
Së dyti, Intensiteti i ulët i punës është një nënkategori tjetër për njerëzit në rrezik varfërie, dhe në Shqipëri, ky tregues ishte në 34.7%, tregues ky më i lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.

Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të INSTAT do të vëmë re se në gjysmën e parë të vitit 2025 niveli i pagave bruto deri në 60,000 lekë e përfitojnë gati gjysma e të punësuarve ose 49% e tyre. Ndërkohë që paga mesatare bruto për të njëjtën periudhë varionte të ishte rreth 83,000 lekë në muaj. Kjo tregon se më shumë se gjysma e të punësuarve marrin shumë më pak se sa paga mesatare në rang vendi. Shtojmë faktin që ka një hendek relativisht midis pagës në sektorin privat dhe atij publik me gati 20 mijë lekë të reja në muaj në nivelin mesatar.

Së treti nëse vështrojmë Pensionet vlera reale e tyre si fuqi blerëse në një dekade është zvogëluar me 12.7%. Pra propaganda e qeverisë në këto 12 vite për rritje pensione në realitet ka qënë një mashtrim i madh.

Mjafton të sjellim në vëmendje indeksimin e përvitshëm që ndodh së paku prej vitit 2019, vihet re se ai nis të zbatohet nga 1 tetori i çdo viti, pra për vetëm 3 muajt e fundit të vitit. Ndërkohë inflacioni prek gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në fundvit. Në këtë kuptim, vlera reale e indeksimit të pensioneve është 4 herë më e vogël se sa përqindja e propaganduar e qeverisë. Jo më kot të gjithë e dimë që kjo rritje është më pak se kostoja e një kafeje në muaj.

Shqetësuese ngelet skema aktuale e pensioneve dhe mos nxitja e skemave private për financimin e pensioneve, të cilat duhet të inkurajojnë të punësuarit aktual. Ligji i pensioneve private është një dështim i plotë dhe ndikimi në fondin e pensioneve edhe për dekadën e ardhshme nëse nuk do të ndryshohet do të jetë i pamjaftueshëm.

Së katërti, më duhet të ndalem në një çështje po aq të rëndësishme si Strehimi. Sot është bërë thuajse e pamundur për familjet e reja të kenë një strehë të tyre. Çmimet e pronave janë 4 fishuar. Sipas Eurostat shqiptarët janë qytetarët më të pamundur për të patur një banesë, ku mbi 12.7% e tyre përballen me strehim të pasigurtë. Kjo vlerë është më shumë se 3 herë më e lartë se sa mesatarja e vendeve të BE, që është nën 4%. Kjo tregon qartë se qeveria në 12 vite nuk ka ndërmarrë asnjë politikë sociale nxitëse për sa i përket strehimit.

Mjaftojmë të kujtojmë që kjo qeveri nëpërmjet ligjit për strehimin social vendos si grupe prioritare personat e komunitetit LGBT para familjeve apo grave kryefamiljare viktima të dhunës në familje, po ashtu dhe familjeve të reja. Kjo nuk është neglizhencë, e as kusht nga Bashkimi Europian. Në cilin vend të BE lihen pa strehim social gra e nëna kryefamiljare, viktima të dhunës në familje?

Së fundmi, Minimumi jetik është një e drejtë kushtetuese. Maxhoranca sistematikisht refuzon përdhunshëm propozimet ligjore të Partisë Demokratike e cila kërkon të kthejë dinjitetin njerëzor për gati gjysmën e popullatës së Shqipërisë. Nuk mundet dhe nuk duhet të ofrohet lëmoshë pensionistëve, familjeve me ndihmë ekonomike, aftësi të kufizuar, dhe qindra e mijëra të papunësh por duhet ti rikthehet dinjiteti i munguar.

Në këtë linjë, opozita ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme këtë qasje përmes propozimeve të saj ligjore mbi minimumin jetik që prej vitit 2023, si dhe përmes amendamentit të paraqitur së fundmi nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z.Sali Berisha, për ‘Ligjin e Buxhetit 2026’, ku kërkohet që pagesat për pensionet e pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe aftësisë së kufizuar, ndihmën ekonomike, bursat studentore dhe kategori të tjera të veçanta, të mos jenë më të ulëta se vlera financiare e minimumit jetik, e cila në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 20 mijë lekë në muaj.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, sidomos për ushqimet bazë dhe shërbimet jetike, ka goditur drejtpërdrejt shtresat më vulnerabël të shoqërisë. Për shumë qytetarë, përballimi i kostove minimale të jetesës është kthyer në një sfidë të përditshme.

Në këtë kontekst, mungesa e një minimumi jetik të përcaktuar me ligj nuk është më thjesht një boshllëk ligjor – është një problem social me pasoja konkrete.

Këto propozime të Partisë Demokratike synonin pikërisht të adresonin këtë boshllëk, jo vetëm për të përcaktuar një nivel minimal të të ardhurave, por për të vendosur një garanci reale për dinjitetin e çdo qytetari. Minimumi jetik nuk është luks – është një e drejtë themelore që lidhet me vetë jetën dhe mirëqenien.

Në të njëjtën linjë, opozita mbetet e vendosur të vazhdojë këtë betejë politike dhe institucionale deri në garantimin e minimumit jetik si standard detyrues për shtetin, duke mos u tërhequr përballë asnjë refuzimi apo pengese nga kjo mazhorancë, që cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Për të bërë realitet programin tonë duhet të largojmë këtë qeveri! Duhet të jemi gati për çdo sakrificë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, për të bërë realitet programin tonë duhet të …