Berisha u ndal edhe te protesta e 22 marsit, të cilën e cilësoi si një “kryengritje paqësore” me jehonë të gjerë, duke thënë se qytetarët treguan se nuk pajtohen me korrupsionin dhe, sipas tij, kontrollin e sistemit të drejtësisë nga qeveria. Ai falënderoi pjesëmarrësit, duke i quajtur “zërin e ndërgjegjes së shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë”.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së akuzoi qeverinë për presion ndaj mediave dhe përpjekje për të mbuluar çështje të ndryshme që ai i konsideron skandaloze. Ai përmendi gjithashtu zhvillime që, sipas tij, lidhen me kufizimin e lirisë së shprehjes, si në Shqipëri ashtu edhe në rajon.
Berisha kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke i cilësuar si të papranueshme, ndërsa ngriti akuza të forta për lidhje të qeverisë me korrupsionin dhe trafikun e drogës.
Në përfundim, ai bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 17 prillit në Tiranë, duke theksuar se opozita do të vijojë aksionin e saj deri në arritjen e objektivave politike.
Gazeta RD