Sfidë ndërkombëtarëve/ Rama i dorëzon policinë grupit kriminal të Ballukut dhe ja ndërsen SPAK-ut

Ashtu siç përflitej prej javësh në qarqet politike, posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit duket se ka kaluar tashmë nën influencën politike të Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministres e marrë e pandehur, për të cilën kryeministri Edi Rama refuzoi t’i hapte rrugë arrestimit të kërkuar nga SPAK.

Skënder Hitaj është emëruar sot në krye të Policisë së Shtetit, pas shkarkimit të Ilir Proda në fillim të muajit mars. Ky i fundit u largua nga detyra pas incidentit me hedhjen e fishekzjarreve gjatë protestës së opozitës pranë ish-banës së diktatorit Enver Hoxha.

Në reagimin e tij publik, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari u shpreh i bindur se, “nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”.

Skënder Hitaj konsiderohet një drejtues relativisht i ri në moshë, por me një karrierë të ndërtuar me ritme të shpejta, duke mbajtur poste drejtuese në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, përfshirë Durrësin, Fierin dhe Shkodrën.

Megjithatë, ngjitja e tij në krye të Policisë së Shtetit lidhet drejtpërdrejt me rolin që ai ka luajtur në qarkun e Fierit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, një zonë që përkon me bazën elektorale të Belinda Balluku. Në këtë qark, makineria shtetërore u angazhua intensivisht në funksion të rezultatit elektoral, duke përfshirë edhe strukturat e policisë. Rezultati ishte një rekord prej rreth 116 mijë votash për Partinë Socialiste, të përkthyera në 12 mandate.

Në praktikën politike shqiptare, roli i policisë në terren gjatë fushatave elektorale mbetet një element kyç. Ajo mund të ndikojë në ritmin dhe drejtimin e hetimeve për shit-blerje votash, të tolerojë përdorimin e administratës në funksion elektoral, të zvarrisë trajtimin e denoncimeve të opozitës apo të krijojë një ambient më të favorshëm për ndërhyrjen e bandave kriminale gjatë procesit zgjedhor.

Këto shqetësime janë artikuluar më herët edhe nga opozita. Gjatë fushatës, drejtuesi politik i PD për Fierin, Gazment Bardhi, denonconte publikisht rolin e drejtuesit të policisë së qarkut, duke deklaruar: “Skënder Hitaj, drejtori i Policisë së qarkut Fier, më ngatërron mua me Belindën, kandidatët e PD me Ceno-t dhe Klevis-t e Belindës dhe strukturat e PD me administratën e arrogantëve të sjell nga Tirana të Belindës. Mbi çdo urdhër të paligjshëm që ke dhënë sot (6 Maj 2025) në mbledhjen informale me vartësit e tu, për të inskenuar ngjarje apo penguar PD në fushatë, janë informuar në kohë reale prokurorët e posaçëm dhe institucionet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve.”

Rezultati elektoral në Fier sugjeron se Skënder Hitaj arriti të fitojë besimin politik të Belinda Balluku, një besim që tashmë përkthehet në promovimin e tij në një nga postet më të rëndësishme të sigurisë në vend.

Ndërkohë, vetë Belinda Balluku ndodhet në një moment të vështirë politik dhe ligjor. SPAK po përpiqet të rikuperojë pas dështimit për të siguruar autorizimin parlamentar për arrestimin e saj. Zhvillimet e muajve të fundit të vitit 2025 kanë treguar se ish-bashkëpunëtorë të saj të afërt kanë qenë nën përgjim nga strukturat e policisë.

Sipas të dhënave hetimore, ndaj dëshmitarëve të lidhur me çështjen janë ushtruar presione dhe kërcënime të vazhdueshme, ndërkohë që struktura të policisë vijojnë të mbajnë në vëzhgim persona të lidhur me rrethin e saj. Në këtë kontekst, kontrolli mbi drejtimin e Policisë së Shtetit është një instrument me peshë për të ndikuar në dinamikën e hetimeve dhe për të vendosur kufij të rinj në veprimtarinë e prokurorëve të SPAK./Lapsi.al

About Krye Redaktor

Check Also

“Shpresa e shqiptarëve është te PD”/ Berisha: Janë me mijëra njerëz që duan të anëtarësohen!

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një takim me …