Reforma territoriale/ Qosja: Organizimi i bashkive interes i drejtpërdrejtë i qytetarëve

Reforma administrative-territoriale është kthyer në një ndër çështjet politike më të rëndësishme për opozitën shqiptare.

Gjatë një diskutimi mbi këtë temë, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, e cilësoi reformën si një domosdoshmëri jo vetëm administrative, por mbi të gjitha politike për rivendosjen e ekuilibrave në vend.

Duke folur nga një këndvështrim politik, kryebashkiaku Qosja theksoi se kjo reformë është rruga për të rikthyer në shina përfaqësimin dhe llogaridhënien. Vendosja e një ekuilibri të ri politik në Republikën e Shqipërisë dhe ndoshta rotacioni politik që të gjithë po presim, kalon pikërisht nga kjo reformë.

Qosja: I nderuar profesor doktor Sali Berisha, të nderuar kryetarë të bashkive, të nderuar deputetë, të nderuar ish-kryetarë bashkish dhe ish-kryetarë komunash, të nderuar anëtarë të këshillave bashkiakë. Ju falenderoj të gjithëve që jeni bashkuar kësaj tryeze. Personalisht e konsideroj çështjen e reformës administrative-territoriale si çështje politike më të rëndësishme të opozitës shqiptare.

Gjykoj se kjo reformë është e nevojshme qoftë nga pikëpamja administrative, por mbi të gjitha nga pikëpamja politike. Vendosja e një ekuilibri të ri politik në Republikën e Shqipërisë, rikthimi në shina të përfaqësimit dhe llogaridhënies, si dhe ndoshta rotacionit politik që të gjithë po presim, kalon pikërisht nga kjo reformë. Prandaj, opozita jo vetëm duhet të marrë pjesë, por duhet të shkojë aty me armët e saj më të fuqishme: me intelektin e saj, me vizionin e saj dhe me moralin e saj politik, që natyrisht përfaqëson dhe epërsinë tonë në tryezën e bisedimeve.

Opsionet janë të shumta, por besoj që fjala u duhet lënë ekspertëve dhe partnerëve tanë dhe ne duhet të jemi në pozita korrigjuese gjithmonë pjesë e tryezave. Parimet që duhet të ndjekim janë të thjeshta, të drejta dhe të fuqishme. Politika vendore nuk është thjesht administrim, është ura më e drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe shtetit. Bashkitë janë aty ku sfidat prekin jetën e përditshme dhe aty ku zgjidhjet duhet të jenë konkrete, të shpejta dhe të ndershme. Sot, përballë sfidave lokale, ne kemi edhe një përgjegjësi më të madhe: të sigurojmë që zëri i qytetarëve tanë të përfaqësohet denjësisht jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Është thelbësore që organizimin dhe funksionimin e bashkive ta shohim gjithmonë si një interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Çdo vendim, çdo reformë dhe çdo iniciativë duhet të ketë në qendër nevojat reale të tyre. Ne që jemi përditë me qytetarët, mund të themi që sfida dhe vështirësitë janë të mëdha. Kjo qeverisje e ka deformuar sferën publike dhe marrëdhënien me qytetarin, me përfaqësues dhe me llogaridhënien.

Por pikërisht për këtë arsye, mesazhi im si kryetar, drejtuar kolegëve dhe çdo qytetari, është i qartë: Të jemi aktivë, të shfrytëzojmë mundësinë që ofron Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, të kërkojmë, të sugjerojmë dhe të propozojmë zgjidhje që u nevojiten realisht komuniteteve tona.

T’i shprehim në rrugë zyrtare, të marrim pjesë në takimet rajonale dhe të kontribuojmë me përgjegjësi në këtë proces, derisa të kemi një draft që na jep mjetet e mjaftueshme për t’u dalë për zot premtimeve tona dhe për të kontribuar përmbajtësisht në administrimin e territorit dhe rikthyer politikën si mjet për zgjidhje dhe zhvillim.

About Redaksia

Check Also

SPAK kontroll në vilat e Agasit/ Policia e lë të lirë të bredhë tek vila e Ramës!

SPAK i kontrollon zyrrat, policia e lë të lirë të bredhe tek vila e Ramës. …