Reportazhi tronditës i RAI-t/ Si karteli i drogës Troplini-Doçi kontrollon portin e Durrësit

Televizioni italian RAI3, publikoi një tjetër dokumentar tronditës për Shqipërinë e Edi Ramës.

Në dokumentarin investigativ të emisionit ‘PresaDiretta’ theksohet se Shqipëria është kthyer në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave.

“Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, janar 2026. Nëse ka një karakteristikë që bie në sy që në shikimin e parë, është prania e kantiereve të ndërtimit pa fund. Megjithatë, ky horizont modern, siç tregojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët hetimore midis prokurorëve italianë dhe shqiptarë, fsheh një anë të errët,”thekson reportazhi.

Ekonomisti Zef Preçi rrëfen skemën që përdoret për të pastruar paratë.

“Ekonomia jonë është e vogël, me një volum prej rreth 25 miliardë euro PBB në vit. Në 5 ose 6 vitet e fundit kemi konstatuar 4.7 miliardë euro që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Kjo do të thotë se futja e parave të pista në ekonomi është vërtet shumë e lartë dhe grumbullimi i burimeve financiare në duart e segmenteve të krimit të organizuar është aq i madh, sa ata po përpiqen të investojnë në aktivitetet më fitimprurëse, si rrokaqiejt dhe ndërtesat, siç mund ta shihni nga këtu. Ndërtimi mbetet padyshim një nga sektorët më të dukshëm dhe njëkohësisht pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut. Në 15 vitet e fundit Tirana është rritur vetëm me rreth 1000 banorë të rinj, që do të thotë se vetëm një numër i kufizuar njerëzish përfitojnë dhe, në njëfarë mënyre, kjo mund të quhet më shumë një investim likuiditeti sesa një investim i justifikuar nga pikëpamja ekonomike. Sipas disa raporteve, më shumë se 60 kompani që investojnë në këtë sektor nuk kanë asnjë CV, nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme në sektorin e ndërtimit. Shumë kompani nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të investuar. Ndodh që një kompani me një xhiro vjetore prej 1 milion eurosh të investojë në një ndërtesë prej 50 apo 70 milionë eurosh,” thotë ai.

Ndërkohë gazetarja investigative, Lindita Çela, thotë se korrupsioni ka prekur nivelet më të larta të qeverisjes.

“Sot konstatojmë se e gjithë administrata, deri në nivelet më të larta, është e përfshirë në raste korrupsioni. Kemi dy zëvendëskryeministra të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Kemi një kryetar bashkie të arrestuar dhe të akuzuar për vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Ka dhjetëra kryetarë bashkish, dhjetëra drejtorë të nivelit të lartë të institucioneve që janë nën hetim për korrupsion. Një valë arrestimesh për korrupsion që nuk kursen as nivelet më të larta të qeverisë aktuale të Edi Ramës”.

Vladimir Mara, prokuror i SPAK, konfirmon për RAI-n seriozitetin e fenomenit.

“Kemi zbuluar se elementë të krimit të organizuar kanë bashkëpunuar me segmente të ndryshme të institucioneve shtetërore, me anëtarë të forcave të rendit, oficerë të tjerë të policisë, funksionarë komunalë, prokurorë, gjyqtarë – një rrjet kontakti që favorizon aktivitetet e tyre”.

Por si veprojnë organizatat kriminale këtu në Shqipëri?

“Ata kanë arritur një nivel të lartë organizimi në fushën e trafikut të drogës dhe një zgjerim në nivel evropian e më gjerë. Janë qytetarë që kryesisht kanë rritur në vendet e Bashkimit Evropian, me njohuri të shkëlqyera të gjuhëve të huaja, aftësi të jashtëzakonshme komunikimi dhe njohuri teknologjike, dhe janë të fokusuar tek fitimi dhe të ardhurat e lehta”.

Më pas, emisioni i televizionit publik italian bën denoncimin e forta. Sipas tyre, porti i Durrësit është në duart e klanit Troplini.

“Durrësi, qytet port rreth 38 km nga Tirana, një nga destinacionet turistike më të rëndësishme shqiptare, ku ndërtohen rrokaqiej dhe resorte luksoze. Durrësi është gjithashtu bastioni i njërit prej bosëve më të njohur të krimit të organizuar shqiptar. Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, xhaxhai i Elvis Doçit, kreu i nyjeve të kokainës në Breshia dhe i kërkuar nga prokuroritë italiane për aktivitet kriminal shqiptar. Por zemra e Durrësit është porti i tij, sot nën kontroll të klanit”.

“Kontrolli i porteve është thelbësor për një grup kriminal, pasi lejon tranzitimin e sasisë së madhe të kokainës. Lufta për kontrollin e portit të Durrësit ka qenë shumë e ashpër mes grupeve kriminale. Ka pasur edhe vrasje të figurave të njohura që më parë kontrollonin portin, por në fund Xhevdet Troplini arriti ta marrë nën kontroll dhe, falë kontrollit të portit, arriti të krijojë lidhje shumë të forta me grupe të tjera kriminale. Xhevdet Troplini, i konsideruar si truri i gjithë organizatës, me kalimin e kohës ka shtrirë tentakulat e tij në politikë, duke krijuar një rrjet personalitetesh publike ose politike që e kanë mbështetur. Ai ka pritur vizita publike nga presidentë, kryeministra dhe figura të shquara. Ekzistojnë dyshime të bazuara se grupi kriminal Troplini ka mbështetur disa kandidatë në zgjedhjet e fundit parlamentare,” thotë gazetarja shqiptare, Klodiana Lala.

Më pas, gazetarët italianë hynë në zonën e kontrolluar nga klani Troplini.

“Ne guxojmë të hyjmë në fortifikimin e Troplinit, në periferi të Durrësit, dhe vëmë re një makinë që fillon të na ndjekë përgjatë rrugës. Shohim burra roje në çdo cep që mbikëqyrin lagjen. Prania e klanit në Durrës është shumë e fortë, ndihet kudo. Kjo është selia e Ovital, kompania familjare në pronësi të dy familjeve, dhe të shpërndara në gjithë qytetin ndodhen Trodo Caffè, një zinxhir barësh, emri i të cilëve është bashkimi i mbiemrave Troplini dhe Doçi,” theksojnë gazetarët italianë.

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha: Rama bëhet dëshmitar i rremë i pasurive të Mirlindës së AKSHI-t sepse Linda e vërtetë e AKSHI-t është Linda e Surrelit

Berisha: Ndërkohë ju e dëgjuat se Edi Rama sillet nga Linda tek Belinda, nga Belinda …