Si mashtron Rama për taksat e naftës dhe automjeteve

Nga Klodian TOMORRI

I vënë përpara presionit publik për çmimin rekord të naftës dhe barrën e rëndë të taksave që qeveria ka ngarkuar mbi të, kryeministri Edi Rama rinxorri nga arkiva një përrallë të hershme, të cilën ka vite që ja u tregon shqiptarëve. Atë se taksat e naftës janë të larta, pasi qeveria i ka lehtësuar qytetarët nga taksat e automjeteve.

“Ne e kemi bërë llogarinë, nëse ne e heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një automjet, do të duhet të paguajnë 4-fishin e asaj që u bie sot, mesatarisht. Në vend që ti ngarkojmë me 4-fishin të gjithë, ne e kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë. Në njëfarë mënyre, ata që djegin më shumë karburant, janë më ndotës,” deklaroi Rama në Asamblenë e njësisë 7 në Tiranë.

Zakonisht kryeministri e ka inatin me gjysmë të vërtetat. Por kjo kënga e taksave të naftës, që ai e këndon sa herë kërcën çmimi i karburanteve është më pak edhe se një çerek e vërtete. E vërteta e plotë është si më poshtë.

Në vitin 2011, qeveria e kohës riformatoi tërësisht paketën e taksave që vilte nga automjetet duke hequr tre taksa. Ato ishin taksa e shitjes së mjeteve brenda vendit, taksa e qarkullimit dhe taksa e regjistrimit.

E para llogaritej sipas një formule që bazohej në vjetërsinë e mjetit, cilindratat dhe llojin e karburantit. Taksa e qarkullimit ishte 10 mijë lekë në vit për makinat e naftës dhe 7500 lekë në vit për makinat e benzinës. Kurse taksa e tretë, ajo e regjistrimit ishte 2400 lekë në vit.

Për të kompesuar të ardhurat që humbisnin nga heqja e këtyre tre taksave, qeveria e zhvendosi barrën e taksimit pjesërisht tek karburanti dhe pjesërisht tek regjistrimi i përvitshëm i mjeteve. Më konkretisht Ridvan Bode prezantoi një taksë qarkullimi në masën 7 lekë për litër për naftën dhe 5 lekë litri për benzinën. Kurse taksa e regjistrimit u zëvendësua me taksën vjetore të automjeteve të përdorura, e cila po ashtu llogaritet mbi bazën e vjetërsisë, fuqisë motorike dhe llojit të karburantit që përdor makina.

Për shembull për një automjet me naftë dhe motor 1900 cc, i prodhuar në vitin 2016, taksa vjetore sot është 6650 lekë.

Riformatimi i paketës së taksave që qeveria bëri në vitin 2011 ishte neutral në buxhet. Tre taksat që u hoqën sillnin rreth 80 milionë euro në vit. Të rejat që u vunë sillnin po aq. Por çfarë ndodhi më vonë?

Në vitin 2014, Edi Rama bëri paketën e tij të parë fiskale si kryeministër i Shqipërisë. Nën preteksin se qeveria e mëparshme kishte lënë pas tokën e djegur tek financat e shtetit dhe me borxhin publik të rritur, qeveria fillimisht e rriti taksën e qarkullimit nga 7 lekë për litër në 17 lekë për litër duke e barazuar edhe benzinën në këtë nivel. Sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më vonë taksa u rrit sërish nga 17 në 27 lekë për litër dhe bashkë me efektin ad valorem të tvsh-së, ajo shkon 32.4 lekë për litër.

Pra rritja e taksës së qarkullimit, nuk ishte as zhvendosje barre apo as zëvendësim i ndonjë takse të hequr diku tjetër. Ajo ishte një rritje e pastër taksash nga xhepi i kryeministrit dhe qeverisë. Dhe rritja nga 7 lekë në 27 lekë për litër, u merr qytetarëve shqiptare plot 200 milionë euro në vit taksa. Sërish për xhepin e kryeministrit.

Kjo është pjesa e parë e të pavërtetës që thotë Edi Rama. Pjesa e dytë është pretendimi se vendet e tjera përqark e kanë taksën e qarkullimit tek automjeti. Kjo është një e pavërtetë edhe më e madhe. Dhe në kohën e inteligjencës artificiale dhe avancimit masiv të Teknologjisë së Informacionit, që kryeministri e ka aq shumë përzemër, çdo qytetar mund ta verifikojë lehtësisht.

Mjafton vetëm një pyetje; cila është fatura mesatare vjetore e taksave të një automjeti për x vend në ChatGPT? Rezultatet janë këto;

Maqedoni e Veriut        200 euro
Kosovë                          250-350 euro
Shqiperi                        245-345 euro
Serbi                             250-450 euro

Por me teknologjinë e informacionit kryeministri ka disa kohë që i del pak keq raporti me të vërtetën. Sidomos kur bën hallexhinj të pastrehë vartësit e tij, të cilët tani zihen me njëri tjetrin kujt t’i ngecin vilat, që u kap SPAK-u në çdo resort./Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

80 aparaturat e sekuestruara/ Gazetari: Brenda vitit Rama do të jetë i pandehur!

“Brenda vitit 2026 Rama do të jetë i pandehur”, kështu u shpreh gazetarii Basir Çollaku …