Berisha: Kryengritja paqësore kërkon durim, qëndresë dhe vazhdimësi dhe ne jemi të vendosur për këto

Pas ceremonisë së përkujtimit të 4 martirëve që u vranë nga regjimi në Shkodër me 2 prill, kreu demokrat Sali Berisha u është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve për reagimet opozitare ndaj qeverisë aktuale.

Gazetarët: Edhe sa protesta të tjera duhet të presin shqiptarët për ta rrëzuar? Më 17 prill ju keni lajmëruar protestën tjetër, por duket se Rama nuk bën hapa pas përtej asaj që keni deklaruar ju në këto protesta?

Sali Berisha: Kryengritja paqësore nuk është një ndeshje futbolli që mbaron brenda një afati, të gjithë do donim të ishte e tillë, por që në momentin që thuhet kryengritje paqësore, vetëkuptohet që ajo është një lëvizje e qëndrueshme dhe vazhdon gjer në realizimin e qëllimeve.

Gazetarët: A duhet ndërruar strategjia z. Berisha?

Sali Berisha: Prit se duhet të bëj transparencë para jush. Ju mund të thoni se çfarë bënë këto protesta? Këto protesta mbrojtën në një moment kritik nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Mjafton të rikujtoj këtu se ka shqiptarofobë të paguar nga Edi Rama, të cilët thonë se është në genin e shqiptarëve korrupsioni dhe e thonë këtë pasi Lubi Balluku u mbrojt nga Edi Rama dhe nuk ngrihet populli.

Populli është ngritur dhe populli do ngrihet dhe populli nuk pajtohet në mënyrë absolute me qeveritarët hajdutë.

Për shqiptarët, njëlloj si për çdo komb tjetër, qeveritari që vjedh duhet hedhë në rrugë.

Për shqiptarët, njëlloj si për çdo komb tjetër, e drejta e votës duhet të jetë e paprekshme.

Ndaj dhe ne mbrojtëm dinjitetin kombëtar me protestat tona dhe kanë pasur jehonën më të jashtëzakonshme.

Dhe kanë pasur impaktin më pozitiv.

Tani, natyrisht të gjithë do donim që ato të realizonin menjëherë atë që dëshirojmë, por ajo kërkon durim, kërkon qëndresë, kërkon vazhdimësi dhe ne jemi të përcaktuar për këto. Ne nuk ndalemi pa përmbushur misionin tonë.

Gazetarët: Po strategjia?

Sali Berisha: Ku është opozita sot? Sot opozita në kushtet e shtypjes së pluralizmit nuk ka asnjë hapësirë në parlament. Edi Rama iu mohon deputetëve të opozitës çdo të drejtë kushtetuese. Sot ai ishte thirrur në interpelancë për letrën e përbashkët që kishte shkruar me Vuçiçin, një dokument antikombëtar nga më të turpshmit. Sepse ne vërtet kemi një turp kombëtar si kryeministër siç është Edi Rama, por ne si komb absolutisht nuk kemi asnjë lidhje me Rusinë, nuk jemi quajtur kurrë zonë influence e Rusisë, nuk jemi rreshtuar kurrë me rusët, i kemi pasur gjithmonë kundërshtarë dhe armiq të qenies tonë, dhe ky na barazon me Rusinë e vogël, që quhet Serbia.

Në rrafshin politik e bën këtë si argat i Vuçiçit.

Tani u thoshte studentëve se shikoni se ato fuqitë e mëdha, shtetet e mëdha, prisni se herën tjetër do u thotë fuqitë imperialiste si etërit e tyre.

Fuqitë e mëdha, ua them unë, absolutisht gjer para dosjes Balluku, e mbajtën njërin sy të mbyllur. Pas luftës në Ukrainë u vendos të përshpejtohej procesi i integrimit për vendet që kanë mbetur pa integruar.

Por edhe këtë, Edi Rama ua përplasi derën në fytyrë me dosjen e tij.

Sepse nxori Ballukun përpara me ato dhe i mbylli dyert.

I mbylli dyert sepse dosja Balluku është dosja e tij.

Është e faktuar se 60% e të gjitha të dhënave të asaj dosje, citojnë Edi Ramën.

Është e faktuar se në dosjen e AKSHI-t, Mirlinda e varfra, e gjora me katër vila, që sipas Ramës na banonte në shtëpi me qira, nuk është asgjë krahasuar me Lindën e Surrelit, me sulltaneshën e Surrelit, e cila bënte ligjin tek AKSHI dhe e ka emrin qindra herë të cituar aty.

About Redaksia

Check Also

Incidenti/ Garda bllokon Spiropalin në Parlament

Elisa Spiropali donte t’i shmangej vëmendjes së mediave të cilat e prisnin te dera kryesore …