Nga Luçiano BOÇI
Sot B(D)allkauku mori fjalën në Kuvend dhe kërkoi një minutë heshtje për heronjtë e 2 Prillit.
Dhe pikërisht këtu nis neveria morale e skenës.
Nis kur trashëgimtarët politikë të një pushteti që për vite ka vrarë e zhytyr duar në gjak, të cilët relativizojnë krimin, përdorin shtetin e parlamentin si mjet force dhe përpiqen ta kthejnë kujtesën në dekor, ngrihen sot si kujdestarë të martirëve të demokracisë.
Minuta e heshtjes, në vetvete, është nderim.
Por në gojën e vrasësve hipokritëve dhe dallkaukëve me pushtet ajo kthehet në alibi.
Sepse nuk mjafton të mbash një minutë para të rënëve, kur përditë ngrihesh e çirresh e investon kundër frymës për të cilën ata ranë.
Dhe pikërisht këtu fillon turpi.
Sepse ka momente kur heshtja nuk është nderim.
Është maskim.
Është përpjekje për të larë fytyrën me gjakun e të rënëve. Është teatri më i ulët i pushtetit kur ai përkulet për një minutë para heronjve dhe pastaj ngrihet përsëri për të vazhduar të përdhosë gjithçka për të cilën ata ranë.
2 Prilli është dita e heronjve. E Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut e Besnik Cekës.
Është dita e dhënies së jetës në emër të lirisë e votës së lirë!
E burrave që dolën përballë frikës, përballë një shteti që nuk dinte të qeveriste, por vetëm të shtypte, sikurse sot.
Është dita e atyre që nuk pranuan të jetonin me kokën ulur.
E atyre që e panë lirinë si vlerë më të madhe se jeta.
Por 2 Prilli është edhe dita e burracakëve e frikacakëve në pushtet. E atyre që kishin armë, institucione, uniforma, vulë dhe forcë, por nuk kishin guximin moral të përballeshin me popullin pa dhunë dhe atyre që sot kanë të njëjtin pushtet kriminal të armatosur me mjete efikase kundër lirisë e votës së lirë.
Sot, 35 vjet më pas, hipokrizia arrin kulmin kur pasardhësit politikë të kulturës së shtetit vrastar kundër qytetarit, na shfaqen si rojtarë të kujtesës së martirëve.
Kërkojnë një minutë heshtje, sikur një minutë të mjaftojë për të shlyer dekada arrogancë, manipulim, përdorim të shtetit si armë politike dhe përbuzje për pluralizmin.
Nuk mjafton. Nuk mjafton fare.
Sepse nderimi për 2 Prillin nuk matet me një minutë që duan ta bëjnë pis.
Matet me raportin që ke me lirinë, me votën, me opozitën, me të vërtetën. Dhe kur je pjesë e një pushteti që çdo ditë e trajton shtetin si pronë partie, administratën si repart elektoral, propagandën si zëvendësim të realitetit dhe kundërshtarin si armik për t’u asgjësuar, atëherë minuta jote e heshtjes nuk është homazh.
Është fyerje. Madje akt lufte.
Ka diçka të neveritshme në këtë përpjekje për të vjedhur simbolikisht edhe martirët.
Të përdorësh heronjtë e demokracisë si dekor moral, ndërsa në praktikë ushqen frymën e arrogancës, të brutalitetit, të kontrollit dhe të shtypjes politike, nuk është respekt. Është poshtërim i heroizmit si koncept.
Është njëlloj si të ndezësh një qiri mbi varrin e lirisë, pasi ke kaluar vite duke i zënë frymën asaj.
Balla sot kërkoi heshtje.
Por Shqipëria nuk ka nevojë për heshtjen e hipokritëve e trashëgimtarëve të vrasësve.
Ka nevojë për të vërtetën.
Dhe e vërteta është se 2 Prilli nuk i përket atyre që e përdorin kujtesën si helm ndaj lirisë.
Nuk i përket atyre që e përmendin demokracinë në ceremoni dhe e dhunojnë lirinë në cdo hap të pushtetit të kriminalizuar.
Nuk i përket atyre që flasin për dëshmorët e lirisë, ndërsa kanë ndërtuar një pushtet që ka frikë nga qytetari i lirë.
Sepse autokracia nuk vjen gjithmonë me plumba. Ndonjëherë vjen me kostum. Me fjalor institucional.
Me regji parlamentare. Me hipokrizi të kuruar. Me një minutë heshtje në sallë dhe me një mijëra minuta shtypjeje jashtë saj. Me fjalë për nderim dhe me vepra kriminale. Me lot të rremë për të shkuarën dhe me dorë të hekurt mbi të tashmen.
Kjo është arsyeja pse skena e sotme nuk frymëzon respekt.
Ngjall neveri.
Sepse kur burracakët e pushtetit flasin në emër të heronjve, nuk po i nderojnë ata.
Po përpiqen t’i përdorin.
Po kërkojnë të marrin hua moral nga ata që nuk i ngjajnë aspak.
Po tentojnë të mbulojnë me një minutë solemnitet atë që nuk e mbulojnë dot me asnjë alibi.
Faktin se pushteti i tyre ushqehet pikërisht nga ajo mendësi që 2 Prilli e demaskoi me gjak.
Heronjtë e 2 Prillit nuk kanë nevojë për teatrin e Ballës.
Ata nuk kanë nevojë për miratimin ceremonial të një pushteti që e ka kthyer hipokrizinë në stil qeverisjeje. Ata kanë nevojë për një Shqipëri që di të dallojë mes sakrificës dhe farsës. Mes kujtesës dhe përdhosjes. Mes nderimit dhe manipulimit.
Prandaj sot nuk ka dyshim se kush qëndron në anën e heronjve dhe kush në anën e burracakëve e vrasësve.
Heronjtë janë ata që ranë përballë shtetit. Burracakët janë ata që edhe sot, nën strehën e pushtetit, kërkojnë të marrin hua lavdinë e të rënëve për të fshehur turpin e tyre.
2 Prilli i përket heronjve.
Jo trashëgimtarëve të vrasësve.
Jo manipuluesve të kujtesës.
Jo burracakëve frikacakë që kërkojnë heshtje për të mbuluar zhurmën e krimit të tyre politik.
2 Prilli është gulçi i heronjve që kërkojnë përmbysjen e bijve të etërve vrastarë.
Gazeta RD