Si funksionon karteli tjetër/ Ja blejnë fshatarëve domaten me 60 lekë/kg dhe e shesin me 360 lekëe/kg

Irena Beqiraj

Rritja e menjëhershme e çmimit të fruta perimeve me gati 50%, ka nevojë për një analizë të detajuar e cila duhet përqëndruar tek grumbulluesit. Nga të dhënat por dhe nga fakti që qeveria është shumë e ndjeshme për produktet buqësore që shiten trotuareve, duket se grumulluesit e fruta perimeve funksionojnë si federata e shurupit të panjës në Kebek të Kanadasë provincë e cila prodhon më shumë se 70 përqind të shurupit të panjës në botë.

Federata e Shurupit të Panjës së Kebekut është një kartel po aq i pangopur sa OPEC. Me vendim të qeverisë kanadese të gjithë prodhuesit e vegjël duhet t’ja shesin prodhimin Federatës.

Çdo pranverë, 7.400 prodhuesit e provincës e dërgojnë prodhimin e tyre federatës. Pavarësisht faktit nëse prodhimi është i bollshëm apo i pakët federata për të mbajtur çmimin e lartë në treg kontrollon sasitë që hedh në treg.

Kur federata dyshon se fermerët po prodhojnë dhe shesin jashtë sistemit, ajo me ndihmën e qeverisë vendos gjoba edhe sekuestron prodhimin. E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri. Fermeri në mungesë të kapaciteteve për ti shitur produktet vet, i dorëzon produktet tek 2 apo 3 grumulluesit të cilët funksionojnë si kartel.

Ata ja blejnë fermerit domaten me çmim 60 lek/kg, (shpesh me lek në dorë) edhe shesin me 350 lek. Ndonjë fermer rebel që del në rrugë për të shitur produktet e veta si e vetmja mundësi për të përfituar sa meriton nga djersa e tij, në emër të sigurisë ushqimore shpartallohet nga qeveria.

Për më tepër, si një kujtesë për debatit që po bëhet sot, eksperienca në tregun e fruta perimeve tregon se taksimi nuk stabilizon strukturën e tregjeve edhe aq më pak të ulë çmimet. Në 2014 qeveria përdori teknikat e taksimit si një mënyrë për të siguruar tregje për fermerët vendas me qëllim rritjen e konkurrencës në treg edhe uljen e çmimeve, duke ju dhënë mundësi fermerëve të shisnin produktet e tyre tek grumulluesit me çmimin e plotë me TVSH por pa i detyruar ata të përfshiheshin në skemën e TVSH-së.

Qeveria lejoi autofaturimin nga ana e grumbulluesve për produktet e blera nga fermerët duke ulur ngarkesën fiskale mbi ta me qëllim uljen e çmimit final. Por përqëndrimi i tregut vetëm tek një numër i kufizuar grumbulluesish, me gjithë lehtësinë fiskale të qeverisë ndihmuan në krijimin edhe forcimin e “federatës” e grumbulluesve të frutave dhe perimeve, të cilët u bënë përfituesit ekskluziv të TVSH-së së autofaturuar, duke lënë duar bosh fermerët që teorikisht kjo skemë taksimi pretendonte të ndihmonte.

Puna në qeveri më mësoi dallimin midis ekonomistëve të mirë edhe të këqinj. Ajo që e dallon një ekonomist të keq nga një i mirë është se ekonomisti i keq mund të shohë vetëm atë që duket ndërsa ekonomisti i mirë dallon edhe pasojat ende të padukshme që do të vijnë pas efektit të dukshëm të një veprimi.

Ekonomisti i mirë peshon meritat e një propozimi, një politike ose një institucioni duke marrë parasysh si efektet që ai edhe të tjerët mund të shohin, ashtu edhe pasojat e ardhshme që ai parashikon por të tjerët jo.

About Krye Redaktor

Check Also

Qeveria, ligj për të sjellë 30 milionë euro bitcoin të krimit nga Belgjika

Qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj, i cili bën të mundur sjelljen e kriptomonedhave të …