Berisha fton qytetarët në protestë: Çmimi i naftës është absolutisht një shkak madhor për revoltë

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka bërë thirrje për protesta qytetare, duke e cilësuar çmimin e lartë të naftës si një nga arsyet kryesore për reagim kundër qeverisë. Berisha u shpreh se opozita ka përgatitur amendamente ligjore për të ndërhyrë në taksën e qarkullimit dhe akcizën e karburanteve, por shtoi se nuk pret që këto nisma të marrin mbështetje në Kuvend.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërmarrë veprime që, sipas tij, vendosin qeverinë mbi ligjin dhe pengojnë drejtësinë të luftojë korrupsionin. ‘Çmimi i naftës është absolutisht një shkak madhor për revoltë’, deklaroi Berisha, duke shtuar se reagimi qytetar mbetet, sipas tij, e vetmja rrugë përballë situatës aktuale.

Berisha: Sigurisht që janë përgatitur ligjet dhe amendamentet për të ndërhyrë qoftë në taksën e qarkullimit, qoftë edhe në akcizë.

Dhe ndërhyrja është shumë e domosdoshme sepse e vërteta është që kjo krizë energjie, e krijuar nga lufta në Lindje të Mesme, nuk mund të parashikohet.

Dhe në fakt po të kemi parasysh gjeografinë e naftës, i intereson shumë Europës, është importues nga ajo zonë Europa, importues kryesor dhe kushtet në të cilat Rusia në armiqësi dhe në luftë kundër Europës.

Pra kjo është një krizë ndaj të cilës duhet qëndruar me vendosmërinë më të madhe.

Ne do dërgojmë në parlament, dhe shanset janë joreale që aty të prevalojë arsyeja, por përsëri unë ftoj qytetarët që kanë automjete, ftoj fermerët që nuk punojnë dot tokën, ftoj ata pensionistët që nuk përballojnë dot çmimet të ngrihemi në revolta të fuqishme.

Edi Rama në akt të paprecedent mbylli dyert drejtësisë për të ndëshkuar korrupsionin.

Nxori veten dhe qeverinë mbi ligjin me aktet, të cilat janë me pasoja shumë shumë të rënda për një vend.

Dhe në këtë kuadër, mbetet vetëm revolta jonë.

Dhe çmimi i naftës është absolutisht një shkak madhor për t’u përballur me këtë qeveri gjer në rrëzimin e saj.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ndërmarrjen shtetërore të naftës do e marrë Ron Yefeti, pra do e marrë vetë Edi Rama për ta falimentuar si Air Albania-n

Kryetari i PD, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se synon të vendosë nën kontroll …