Nga Bujar Leskaj
Në një sistem demokratik funksional, opozita nuk është armike e qeverisë, por një hallkë thelbësore e balancës së pushteteve dhe e përfaqësimit të interesave të qytetarëve. Mazhorancat në çdo vend normal demokratik përpiqen të ndërtojnë ura bashkëpunimi me opozitën në parlament, që edhe ky institucion të funksionojë normalisht. Pse ju gjithshka keni bërë deri tani ka qenë të provokoni opozitën? Se kështu i keni urdhrat nga lideri global dhe këtë filozofi keni implementuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë?
Edhe sot, që në fillim ju e prishët seancën. Kryetari i Kuvendit, edhe në drejtimin formal, nuk është kryetari i Kuvendit z. Peleshi, por është kryetari i grupit tuaj parlamentar z. Balla. Madje, edhe në atë pozicion, kryetarin e Kuvendit duhet ta quajmë kryetarin e grupit parlamentar. Dhe ky i fundit është vetëm dhe thjesht megafon i liderit global, nga i cili i merr udhëzimet me mesazhe të shkurtra.
Klimën e mosbesimit dhe polarizimit ekstrem e krijoni vetëm ju!
Dua të vlerësoj nismën e z. Klevis Balliu, punën dhe kontributin e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë. Mendoj se edhe shpjegimet e dhëna nga vetë z. Balliu, si dhe shpjegimet në relacionin shoqërues dhe në media, janë shteruese dhe të qarta për domosdoshmërinë e këtij amendamenti ligjor. Ai synon të ridrejtojë pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar drejt nevojave sociale më urgjente të vendit. Nisma parashikon që paratë dhe asetet e sekuestruara nga kartelet dhe bandat kriminale të përdoren për strehimin e çifteve të reja, si dhe për të mbështetur familjet e efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe viktimat civile të përplasjeve mes grupeve kriminale.
Megjithë karakterin thellësisht social të nismës, ju që e hiqni veten forcë e majtë, e refuzoni pa asnjë diskutim!
Mungesa e dialogut institucional krijon një klimë mosbesimi dhe polarizimi ekstrem. Kur çdo nismë shihet si “sulm politik” dhe jo si mundësi për përmirësim të qeverisjes, humb interesi publik dhe fiton logjika e konfliktit.
Në këtë mënyrë keni injoruar dhe hedhur poshtë me dhunën e kartonit në Kuvend edhe shumë nisma të tjera ligjore të deputetëve të opozitës, sidomos për përmirësimin e projektbuxhetit të Shtetit, me karakter të theksuar social dhe ekonomik. Miratimi i tyre do të ndihmonte më dhjetra mijëra familje dhe qytetarë të dilnin nga qerthulli i varfërisë, si projektligji per Minimumin Jetik Zyrtar, për uljen e TVSH-së për mallrat e shportës, për Statusin e Minatorëve, etj.
Kjo sjellje e shëmtuar e shumicës, së pari dëmton përfaqësimin. Deputetët e opozitës përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të vendit. Refuzimi automatik i propozimeve të tyre do të thotë refuzim i zërit të qindra mijëra qytetarëve.
Qytetarët nuk na votuan për konflikt të përhershëm, por për t’i dhënë vendit zgjidhje konkrete. Çdo nismë, pavarësisht nga ngjyra partiake, duhet të matet me një kriter të vetëm: a e përmirëson ajo jetën e njerëzve? Nëse përgjigjja është po, atëherë refuzimi i saj për arsye politike është një dëm i drejtpërdrejtë kolosal për interesin publik dhe për cilësinë e demokracisë në vend.
Mohimi i nismave ligjore të opozitës: atentat ndaj qytetarit
Injorimi i nismave me ndikim social apo ekonomik, si propozimet për ulje taksash për produktet e shportës, rritje të mbështetjes për pensionistët, rishikim të skemave të ndihmës sociale apo forcim të kontrollit mbi koncesionet, përkthehet në kosto reale për qytetarët. Çdo muaj vonesë në miratimin e masave lehtësuese është një barrë më shumë për familjet shqiptare.
Një qeveri e fortë nuk ka frikë nga idetë dhe propozimet e opozitës. Përkundrazi, ajo i shqyrton, i përmirëson, madje i përvetëson ato, nëse janë në interes të publikut. Demokracia nuk është monopol i mazhorancës, por proces bashkëpunimi, kontrolli dhe konkurrimi idesh.
Mohimi dhe indiferenca institucionale ndaj propozimeve dhe nismave ligjore të opozitës, kur bëhet normë, kthehet në problem sistemik. Ajo dobëson rolin e Kuvendit si forum debati, e shndërron votimin në akt formal dhe e zhvendos vendimmarrjen jashtë syrit të publikut. Në këtë kuptim, mbyllja e derës ndaj nismave konstruktive të opozitës përbën një “atentat” ndaj interesit qytetar, sepse i privon qytetarët nga alternativa dhe zgjidhje të mundshme.
Zgjidhja nuk qëndron te retorika përplasëse, por te institucionalizimi i dialogut: komisione të përbashkëta pune për çështje madhore, detyrim procedural për shqyrtim brenda afateve të qarta të çdo nisme opozitare, transparencë më e madhe në argumentimin e rrëzimit të projektligjeve dhe hapje ndaj amendamenteve që përmirësojnë legjislacionin ekzistues.
Mos e urreni dhe mos e konsideroni opozitën armike të vendit, si bën Rama
Kur nismat ligjore të opozitës, sidomos ato me karakter social dhe ekonomik në dobi të qytetarëve, injorohen sistematikisht nga mazhoranca, kemi të bëjmë jo thjesht me përplasje politike, por me një deformim të vetë frymës së demokracisë parlamentare.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, janë depozituar në Kuvend mbi 22 nisma projektligjesh dhe amendamentesh nga opozita. Ato kanë synuar lehtësimin e barrës fiskale, rritjen e transparencës buxhetore, përmirësimin e mbrojtjes sociale, mbështetjen e pensionistëve, fermerëve, minatorëve, apo shtresave në nevojë. Asnjë prej këtyre nismave ligjore nuk është rrëzuar pas një debati të thelluar e të argumentuar, pasi sekti Rama në qeverisje nuk ka asnjë argument kokëfortë për të mohuar dobinë publike të tyre.
Në bashkëpunim me Shoqatën “Për Autonomi Vendore” dhe ekspertin Agron Haxhimali, kam paraqitur dy projektligje, një “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore” dhe një “Për një ndryshim në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për Taksat Kombëtare’, të ndryshuar”, me synim përmirësimin e financave vendore, përmes rritjes së ndjeshme të nivelit të ndarjes së rentës minerare, nga vetëm 5% që është sot në 25% në favor të bashkive, duke e afruar me vendet e rajonit që e kanë në intervalin 20-35%. Miratimi i këtyre projektligjeve do të fuqizonte ndjeshëm financat e bashkive në Veri dhe në Jug të vendit, ku janë përqënduar pasuritë natyrore.
Të gjitha nismat e opozitës janë refuzuar me votë të verbër politike. Projektligjet apo amendamentet e paraqitura nga deputetët opozitarë nuk marrin hapësirë reale debati ose rrëzohen automatikisht nga vota e mazhorancës. Rama në Kuvend ka krijuar me malinjitet të plotë një mur politik, që nuk lejon bashkëpunim me opozitën, edhe kur çështjet prekin drejtpërdrejti interesin qytetar.
Buxheti i Shtetit kalohet për tre minuta, pa lejuar diskutime dhe debat. Reforma të rëndësishme, marrëveshje ndërkombëtare apo projekte strategjike miratohen pa konsensus të opozitës dhe me tension të lartë politik. Opozita qëllimisht nuk përfshihet në mënyrë të qëndrueshme në procese të tilla, por konsiderohet faktor destabilizues dhe asnjëherë partner institucional.
Trajtimi i saj si “armike” po prodhon pasoja konkrete të rënda, duke thelluar polarizimin shoqëror, duke dobësuar në asgjësim kulturën e kompromisit dhe duke ulur besimin e qytetarëve te tek institucionet.
Demokracia funksionon kur kundërshtari politik shihet si rival për pushtet, jo si kërcënim për shtetin.
xxx
Kjo janë tre nga arsyet kryesore, pse e pezulloj përkohësisht ligjin që kam propozuar, ligjin për përgjegjësinë materiale të nëpunësve publikë.
Kam disa vite që paraqes në Kuvend projektligjin “Për përgjegjësinë financiare të punonjësve publikë”, i cili synon të vendosë procedura dhe të rregullojë marrëdhëniet që lindin midis subjekteve publikë dhe punonjësve publikë, lidhur me dëmet e shkaktuara prej këtyre të fundit, në periudhën që ata janë ose kanë qenë të punësuar, ose në çfarëdo marrëdhënie me subjektin publik. Dobia themelore e këtij projektligji është mbrojtja e burimeve publike nga veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve publikë, që me dashje ose nga pakujdesia i shkaktojnë dëme interesave publike. Miratimi i tij do të përbënte një goditje të fortë ndaj korrupsionit galopant tek ne, sidomos atij të zyrtarëve të lartë.
Ju ftoj deputetë të maxhorancës, të tregoni vëmendje profesionale, vëmendje politike dhe vëmendje në kuadrin ligjor, në lidhje me ato propozime që ne sjellim për përmirësime ligjore, qoftë ligj të ri, siç kam paraqitur unë ligjin për përgjegjësinë materiale, apo amendamente ligjore të ndryshme.
Ne kemi përpara dy reforma të rëndësishme: reformën zgjedhore dhe reformën administrative-territoriale. Nëse nuk do të ketë mirëkuptim, nuk është zgjidhje ajo me votat që keni ju. Ndryshe, të 83 votat tuaja nuk janë vota reale, por bien erë abuzim dhe vjedhje të interesit qytetar!
Gazeta RD