“Rilindja” është Kapitalizmi i Katastrofës!

Nga Klodian TOMORRI

Të gjithë shqiptarët tashmë e kanë të qartë se si u ngjiz afera e parë e madhe korruptive e Rilindjes. Sapo kishte vënë të ndenjurat në karrigen e kryeministrit, Edi Rama lëshoi armët e tij të propagandës, të cilat publiku i quan media kombëtare, të sajonin një krizë emergjente plehrash në Shqipëri.

Televizionet e mëdha të vendit u mbushën me kronika, të cilat shfaqnin togje dhe male me plehra në çdo cep të Shqipërise. Perballë kësaj situate dramatike, shpëtimtari në qeveri e kishte gati zgjidhjen për popullin. Jo një, por tre madje. Inceneratorë.

Të tre inceneratorët nuk punuan asnjë ditë të vetme dhe nuk dogjën asnjë gram mbetje. Por kriza e plehrave u zhduk si me magji. Ashtu siç u zhduken në drejtim të paditur 300 milionë eurot, që shqiptarët paguan për kazanet e ndryshkur të Edi Ramës në Fier dhe Elbasan si dhe djegësin fantazmë të Tiranës.

Por ai i inceneratorëve ishte vetëm rasti i parë i modelit, që sajon kriza për të realizuar grabitje. Në gjuhen teknike ky fenomen njihet me termin Kapitalizmi i Katastrofës, i shpjeguar gjerësisht nga autorja kanadeze Naomi Clein.

Pas inceneratorëve, modeli u replikua në sektorin shëndetësor. Aty terreni ishte edhe më fertil sepse gjendja dramatike e shëndetësisë shqiptare e bënte më të lehtë përligjjen e skemës. Edi Rama brodhi studio me studio me hekura të ndryshkur në dorë për të bindur shqiptarët se duhej një zgjidhje rrënjësore pasi shëndeti i popullatës ishte në rrezik të madh.

Dhe zgjidhja nuk vonoi. Shpëtimtari sajoi Check Upin, që nxorri burrat me barrë, Sterlizimin e Rryp Rrapëve dhe madje edhe një koncesion për analizat e urinës së miletit. Këto kontrata u zhvatën shqiptarëve qindra milionë euro të tjera dhe pasi paratë u zhduken edhe këtë herë në drejtime të paditura, popullit i dhanë në këmbim një Rrap dhe një Rrep si kurbanë për të lehtësuar dhimbjen nga ngulja qindra milionë euro që u bëri Rrapi i madh.

Ky është modeli më i suksesshëm i punëve të mëdha të qeverisë. Pas shëndetësisë, hekurat e ndryshkur dolën në Durrës. Këtë herë jo në spitale, por në Portin që kishte aty me mijëra vjet. Problemi tani ishte edhe estetik, por edhe ekonomik njëkësosisht.

Si mund të qëndronin hekurat e ndryshkur të Portit në mes të qytetit duke shëmtuar pamjen e Shqipërisë dhe duke dëmtuar bumin e madh të turizmit. Për këtë zgjidhja u gjet në viset e largëta të Lindjes.

Portit iu vu kazma për të ndërtuar aty kullat 1.5 milionë metra katrorë të Alabbarit, ndërsa popullit iu tregua përralla se do të marrë 1 për qind më shumë dividentë se sa morën serbët në projektin e Waterfrontit të Beogradit.

Por kishte dy detaje të vogla. Ajo 33 për qindëshja ishte mbi dividentin, ndërsa në krahun tjetër duheshin 2 miliardë euro për të ndërtuar portin e ri, i cili nuk dihet nëse do të ndërtohet më ndonjëherë. Në fund shqiptarëve u mbeti katastrofa e sajuar e Portit dhe çallma e Alabbarit.

Tashmë po përgatit episodi i radhës i Kapitalizmit të Katastrofës. Këtë herë tek nafta. Një pjesë e saj na paska dalë jashtë radarit dhe duhen dy konçesione për ta kapur. Njëri për markimin, ndërsa tjetri për gjurmimin që të kapim tregtarët kur naftën tranzit e shesin brenda.

Ky i markimit është rikthimi i një dashurie të nisur si urrejtje për Edi Ramën. Ndonëse këtë radhë boja do të jetë më e mirë se ajo e Saliut, të cilës i dilte boja kollaj. Por meqë boja është më e mirë, edhe ngulja do të jetë pak më e thellë tek tarifat.

Ndërsa me gjurmimin populli do të fitojë sepse do kapen kontrabandistët, që naftën të cilën e blejnë tranzit për në Kosovë, e shesin këtu brenda. Por mister mbetet se nga i di qeveria gjithë këto informacione për autobote diversantësh, të cilët nisen në Kosovë dhe shkarkohen në Kukës ose Lezhë. Sepse deri më sot, as administrata doganore, as policia nuk kanë kallëzuar ndonjë rast në prokurori, aq më tepër kur bëhet fjalë për një krim të rëndë si kontrabanda e mallrave të akcizës.

Por kjo pak rëndësi ka. Të rëndësishme janë vetëm dy gjëra; katastrofa dhe zgjidhja e saj. Ose Kapitalizmi i Katastrofës, që shqiptarëve po u merr edhe qindarkat e fundit të xhepit. /Kapitali.al/

About Redaksia

Check Also

Berisha: Edi Rama mashtron për raportin e IBAR! Shqipërinë nuk e votuan në mënyrë unanime!

Duke komentuar qëndrimet e mazhorancës pas vendimit të BE për raportin IBAR, kreu demokrat tha …