Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e papërballueshme të çmimeve në Shqipëri, duke e lidhur atë me modelin ekonomik dhe keqqeverisjen.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Tabaku thekson se familjet shqiptare po përballen çdo muaj me shpenzime gjithnjë e më të larta, ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta, duke krijuar një raport thellësisht të pabarabartë mes çmimeve dhe të ardhurave.
Sipas Tabakut, çmimet kanë arritur rreth 60% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat e qytetarëve vetëm 20%. Deputetja shpjegon se kjo nuk është pasojë e tregut të lirë, por e deformimeve të tij, ku mungesa e konkurrencës reale në sektorë si ushqimet dhe karburantet ka krijuar struktura oligopoliste që vendosin çmimet.
Një tjetër faktor që rëndon mbi çmimet, sipas saj, janë taksat e larta dhe komplekse, të cilat transferohen drejtpërdrejt te qytetarët, duke rritur ndjeshëm koston e jetesës. Tabaku e cilëson modelin ekonomik aktual si të shteruar, të varur nga shpenzimet publike dhe pa mbështetje reale për prodhimin dhe investimin privat.
“Çmimet e larta nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që nuk funksionon për shumicën”, thekson deputetja, duke shtuar se ndryshimi i kësaj situate kërkon një ndryshim të qeverisjes.
Gazeta RD