Denoncim nga anëtari i Kryesisë së PD Vlorë, ish-kandidati për deputet, av.Romarjo Meminaj
Ndodhem në fshatin Panaja, në njësinë administrative Qendër. Pas shpinës sime ndodhet rruga që është parashikuar të rikonstruktohet nga ana e Bashkisë Vlorë. Gjithashtu, është projektuar edhe ndërtimi i një këndi lojërash.
Tenderi për këtë rrugë, ku përfshihet rikonstruksioni i saj, ndriçimi dhe ndërtimi i një këndi sportiv, është hedhur në tetor; fituesi është shpallur në nëntor dhe kontrata është lidhur në dhjetor 2025. Afati i punimeve ishte 4 muaj, pra praktikisht rruga duhet të ishte drejt përfundimit. Pamjet dhe realiteti tregojnë krejt të kundërtën: rikonstruksioni jo vetëm që nuk është drejt përfundimit, duke iu referuar afateve zyrtare të prokurimit, por punimet as që kanë nisur.
Abuzimet me tenderat janë bërë normë në Bashkinë Vlorë. Tenderat shpërndahen në mënyrë klienteliste, tek të preferuarit e kryetares së bashkisë dhe tek individë të lidhur me Partinë Socialiste, të cilët financojnë fushatat e saj, madje, në mënyrë edhe më flagrante, tek persona të përfshirë drejtpërdrejt në drejtimin e Partisë Socialiste.
Oferta fituese ka qenë me vlerën 158 milionë lekë, por firma që ka fituar tenderin ngre justifikime se ky fond është i pamjaftueshëm për përfundimin e punimeve. Në vazhdën e tenderimeve, sidomos për rrugët dhe investimet në zonat rurale dhe njësitë administrative, tenderat, siç e theksova, fitohen nga “pashallarë” lokalë, të lidhur me Partinë Socialiste; dhe investimet pothuajse asnjëherë nuk përfundojnë në kohën dhe mënyrën e duhur. Me to vetëm abuzohet.
Denoncoj publikisht shpërdorimin e hapur të fondeve publike dhe lidhjet klienteliste në prokurimet e punëve publike nga ana e Bashkisë Vlorë me individë të lidhur me Partinë Socialiste.
Gazeta RD