Petrit Matia: A keni informacion për deklaratën e ambasadës së SHBA për një sulm të mundshëm nga Irani dhe a rrezikohet Shqipëria nga qëndrimet e Ramës?
Sali Berisha: Lidhur me deklaratën e ambasadës së SHBA, nuk duhet pasur dyshim se ajo deklaratë nuk bazohet në informacione të caktuara, të cilat bëjnë të domosdoshëm njoftimin e dhënë nga ambasada në mënyrë transparente më së pari për mbrojtjen e qytetarëve amerikanë në Shqipëri, interesave, ndërmarrjeve të tyre në Shqipëri, por kjo edhe qytetarëve shqiptarë.
Irani është një shtet që sponsorizon terrorizmin dhe në rastin e Shqipërisë përdor si pretekstin praninë e muxhahedinëve në Manzë. Prani e cila nuk duhet të jetë pretekst pasi ata nuk janë organizatë ushtarake, por një grupacion i ardhur në Shqipëri për qëllime humanitare.
Natyrisht duhet thënë janë kundërshtarë të regjimit të Ajatollahëve, se përndryshe do ishin në Teheran.
Mendoj se njoftimi është bërë mbi bazë informacioni.
Mendoj se nuk ka vend për panik, duhet ta them këtë, por për kujdes po.
A mundet Irani në mënyrë aventuriere të nisë një dron apo raketë kundër Shqipërisë?
Edhe mund ta bëjë, por hapësirë ajrore e Shqipërisë është tërësisht nën mbrojtjen e NATO-s.
Dhe siç e keni dëgjuar, dy raketa të Iranit të hedhur drejt Turqisë, janë pritur nga raketat kundërajrore të NATO-s dhe janë asgjësuar.
Kështu që personalisht nuk parashikoj rrezikun e një sulmi ajror, por nuk përjashtoj aspak mundësinë e grupeve terroriste, pasi siç janë shprehur iranianët, ata kanë shpërndarë celula të fjetura në mbarë botën dhe mund t’i zgjojnë ato.
Kështu që ky njoftim nuk mund të jetë pa baza dhe ndaj këtij njoftimi duhet pasur parasysh një lloj vëmendje më e veçantë në grumbullimi, në magazinat e mëdha dhe kudo.
Gazeta RD