Rritja e çmimit të karburanteve, Konfindustria 3 kërkesa qeverisë

Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë Rama që të ndërmarrë pa vonesë një rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore në tregun e karburanteve.

Në një reagim, Konfindustria thekson se sipas vlerësimeve të modelit ekonomik shqiptar, një rritje me 30% e çmimit aktual të karburanteve do të prodhonte një efekt të drejtpërdrejtë inflacionist prej të paktën 6%, si dhe një tkurrje të Produktit të Përgjithshëm Bruto (PPB) në intervalin 2.8–3%.

Këta tregues, sipas Konfindustrisë, krijojnë një rrezik të qartë për kalimin e ekonomisë shqiptare në recesion gjatë periudhës 2026 dhe në vijim.

“Konfindustria, duke vlerësuar pasojat e rënda ekonomike në përkeqësim dramatik të luftës në Gjirin Persik, i kërkon ekzekutivit të veprojë pa vonesë në rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore të tashme në tregun e karburanteve. Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë, që rritja me 30% e çmimit të derisotëm të karburanteve krijon inflacion me të paktën 6% dhe një rënie të PPB me 2,8-3%. Sa më sipër krijon qartësisht rrezikun për kalimin në recesion ekonomik gjatë periudhës 2026 në vazhdim”, thuhet në reagim.

Konfindustria kërkon uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve në nivelin mesatar rajonal, duke theksuar se Shqipëria nuk ka marrë ende masa lehtësuese efektive. Po ashtu, propozohet kthimi i Bordit të Transparencës në një ent rregullator të përhershëm dhe krijimi i një operatori shtetëror në treg.

Reagimi i plotë i Konfindustrisë:

Konfindustria kerkon rishikim te politikave fiskale dhe rregullatore ne tregun e karburanteve

Konfindustria, duke vlerësuar pasojat e rënda ekonomike në përkeqësim dramatik të luftës në Gjirin Persik, i kërkon ekzekutivit të veprojë pa vonesë në rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore të tashme në tregun e karburanteve. Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë, që rritja me 30% e çmimit të derisotëm të karburanteve krijon inflacion me të paktën 6% dhe një rënie të PPB me 2,8-3%. Sa më sipër krijon qartësisht rrezikun për kalimin në recesion ekonomik gjatë periudhës 2026 në vazhdim.

Së pari, kërkohet ulja e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat vjetore të automjeteve të paktën në mesataren e sotme të shteteve të Rajonit.

Shqipëria është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve.

Ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm, kur çmimi i naftës do të arrijë në 220 lekë/litër është i pamjaftueshëm dhe i pakuptimtë. Thellimi i diferencës në kostot e karburanteve me shtetet konkurente tregëtare të Rajonit e më gjerë në kushtet e krizës, shton ndjeshëm rrezikun e falimentimeve për industritë, prodhimin vendor, bizneset si dhe goditje inflacioniste të shumëfishtë për qytetarët.

Së dyti, të fillojë procesi i shndërrimit të Bordit të Transparencës në Ent Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm profesional kundër spekullimeve në tregun kartel të sotëm.

Së treti, Konfindustria mbështet propozimin për krijimin e një operatori me kapital shtetëror në tregun me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Tregu strategjik i karburanteve me një qarkullim real vjetor prej pothuaj 2 miliard dollarë dhe kap afër 10% të PPB.

About Redaksia

Check Also

Rezistuam për 49 ditë, do të rrimë dhe për 490 ditë, derisa atë të gjatin ta shkulim prej këtij vendi!

Një prej protestuesve që mori fjalën gjatë tubimit kundër qeverisë së Edi Ramës u bëri …