Nga Bujar Leskaj
Shprehja “It’s the economy, stupid (Është ekonomia, o budalla!)” e këshilltarit Xhejms Karvil të Presidentit Bill Klinton në fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 1992 paraqitet sot aktuale më shumë se kurrë tek ne, ku sekti Rama në qeverisje po bën të gjitha përpjekjet për të rfrënuar fermerët, gjoja në emër të mbështetjes së tyre.
Ndërsa nga data 3 prill, një litër naftë kushton 224 lekë në treg, vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave, përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026 nuk e parashikon më furnizimin me karburant pa TVSH, akcizë dhe taksa të në bujqës. Vjet naftën pa taksa e morën 49 mijë e 800 fermerë, ose tetë në dhjetë fermerë. Kjo e bënte mbështetjen shtetërore të naftës një nga instrumentet më të përdorura dhe më të prekshme për fermerët, pasi ndikonte drejtpërdrejt në një nga kostot bazë të prodhimit. Tani sekti Rama i lë fermerët edhe pa këtë mbështetje bazë. Praktikisht i braktis në krizën më të rëndë të naftës.
Heqja e naftës pa taksa, harakiri në bujqësi!
Në bujqësi, nafta përdoret në çdo fazë të ciklit bujqësor. Nga përgatitja e tokës dhe mbjellja në pranverë, tek korrja gjatë verës dhe plugimet në vjeshtë. Në këtë kuptim, çdo rritje e çmimit të saj përkthehet menjëherë në kosto më të larta për fermerin.
Heqja e subvencionit të naftës në Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026 nuk është thjesht një ndryshim teknik. Ajo prek drejtpërdrejt jetën e fermerëve, kostot e prodhimit, çmimet e ushqimeve dhe të ardhmen e bujqësisë shqiptare.
Subvencioni i naftës u krijua për të ulur kostot e punimeve bujqësore. Tek ne, shumica dërrmuese e fermave janë të vogla dhe me fitim minimal. Fermeri nuk ka mundësi të përballojë vetë (i) punimin e tokës me traktor, (ii) mbjelljen dhe frezimin, (iii) vaditjen me pompa, si dhe transportin e prodhimit deri në treg.
Në shumë zona, veçanërisht në Myzeqe, Fier, Lushnjë, Korçë, Berat dhe Elbasan, shpenzimet për naftë përbëjnë 20–35% të kostos totale të prodhimit. Pa subvencionin që merrte deri tani dhe që përbënte 80 përqind të aplikimeve në skemë, fermeri do të paguajë të gjithë faturën me çmimin e tregut, i cili tani në fillim të prillit 2026, është 24 përqind më i lartë sesa një muaj më parë, më 27 shkurt 2026.
Fermeri shqiptar konkurron në treg me produkte të importuara nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Greqia dhe vendet e tjera të rajonit. Në këto vende, fermerët vazhdojnë të përfitojnë (i) naftë me taksa të reduktuara, (ii) subvencione direkte për hektar, (iii) mbështetje për plehra, farëra dhe vaditje, si dhe (iv) grante për mekanizim. Si rezultat, prodhimi i importuar hyn në tregun tonë me kosto më të ulët sesa prodhimi vendas. Nëse fermeri shqiptar paguan 110–120 lekë më shumë për çdo litër naftë nga taksat që këtej e tutje nuk i hiqen, ai humbet automatikisht avantazhin konkurrues.
Kur kostot rriten dhe fitimi bie, fermeri zgjedh të mbjellë më pak. Shumë fermerë do të reduktojnë sipërfaqet me grurë, misër, perime apo foragjere, sepse nuk mund të përballojnë punimin e tokës dhe karburantin. Kjo do të sjellë më pak tokë të punuar, më shumë tokë të lënë djerrë dhe ulje të prodhimit bujqësor. Nëse një pjesë e fermerëve të vegjël heqin dorë nga kultivimi, prodhimi bujqësor i vendit mund të bjerë ndjeshëm gjatë vitit 2026, veçanërisht për drithërat dhe perimet.
Nga ana tjetër, rritja e kostove të fermerit nuk mbetet vetëm në fermë. Ajo transferohet tek çmimi i produkteve në treg. Nëse fermeri paguan më shumë për naftën, ai do të shesë më shtrenjtë qumështin, perimet, frutat, drithërat, mishin dhe vajin e ullirit. Heqja e subvencionit të naftës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe te familjet shqiptare, të cilat do të përballen me çmime më të larta ushqimore. Do të jetë një harakiri, vetëvrasje në bujqësi dhe mbarë ekonominë tonë!
Fermerët e vegjël janë ata që masakrohen të parët
Nafta e pasubvencionuar në bujqësi do të çojë në rritje të importeve të produkteve bujqësore, në mbyllje të fermave të vogla, në rënie të të ardhurave në zonat rurale dhe në shtim të emigracionit nga fshati. Fermerët e vegjël janë më të prekurit, sepse ata kanë sipërfaqe të kufizuara, pak mundësi për të përballuar kostot e shtuara, shumë më pak qasje në kredi dhe më pak mekanizim.
Fermerët e mëdhenj kanë më shumë mundësi të përballojnë rritjen e kostove. Ata kanë kapital, magazina, kredi dhe makineri më efikase. Ndërsa fermeri i vogël, që ka 1 deri 2 hektarë tokë ose disa krerë bagëti, është më i pambrojtur. Për të, disa dhjetëra mijëra lekë më shumë për naftë mund të jenë diferenca mes vazhdimit të aktivitetit dhe mbylljes së fermës.
Duke mos e patur më këtë mbështetje, sekti në qeverisje do të me efekt domino falimentim në masë të fermave të vogla, shtim të emigracionit nga zonat rurale, braktisje të mëtejshme të fshatit dhe përqendrim të prodhimit vetëm në pak fermerë të mëdhenj.
Pjesa dërrmuese e fermerëve të vegjël do të detyrohen të braktisin aktivitetin bujqësor. Ky është efekti i kësaj politike të mbrapshtë bujqësore të sektit Rama në kulmin e krizës së naftës nga lufta në Iran. Prandaj dhe blegtorët protestuan pak ditë më parë. Në zonat malore dhe të thella, ku kostot e transportit janë edhe më të larta, efekti bëhet edhe më i rëndë.
Ekonomia rurale në prag të shkatërrimit
Sekti Rama ofron mbështetje zero për naftën, duke i braktisur totalisht fermerët këtë vit, ndërsa Maqedonia e Veriut ofron 1.5 % të PBB-së për naftën në bujqësi, Kosova 0.8%, Mali i Zi 1.2% dhe Serbia 1.7%. Ky hendek i madh tregon se fermeri shqiptar hyn në treg me kushte dukshëm akoma dhe më të pafavorshme këtë vit.
Bujqësia mbetet një nga burimet kryesore të punësimit në zonat rurale. Kur fermerët prodhojnë më pak, efekti përhapet në të gjithë ekonominë lokale. Ulen të ardhurat e familjeve rurale, ulet kërkesa për punë sezonale, bien të ardhurat e pikave të grumbullimit dhe tregtarëve, si dhe dobësohen bizneset e vogla që furnizojnë fermerët.
Një ulje e aktivitetit bujqësor me vetëm 5–7% mund të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e qarqeve me bazë të fortë bujqësore si Fieri, Korça, Lushnja, Berati dhe Elbasani. Shqipëria rrezikon të mbetet vendi me mbështetjen më të ulët për bujqësinë në Ballkanin Perëndimor.
xxx
Heqja e mbështetjes së fermerëve me naftë pa taksa në Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 rrit kostot e prodhimit në bujqësi, ul sipërfaqet e mbjella, dobëson konkurrueshmërinë dhe rrit çmimet për konsumatorin. Më të prekurit janë fermerët e vegjël dhe zonat rurale, të cilat rrezikojnë të humbin një pjesë të rëndësishme të aktivitetit ekonomik.
Në një kohë kur vendet e rajonit po rrisin subvencionet për bujqësinë, Shqipëria me sektin Rama po ecën në drejtimin e kundërt si gaforrja! Pa mbështetje për karburantin dhe inputet kryesore, bujqësia jonë do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të konkurrojë dhe të sigurojë prodhim vendas me çmime të përballueshme.
Në vend që të ndihmojë sektorin më të dobët të ekonomisë, me këtë masë Rama thellon krizën në fshat, ul prodhimin bujqësor dhe blegtoral dhe rrit varësinë e vendit nga importet ushqimore. Ruajtja e subvencionit të naftës është një domosdoshmëri dhe jo privilegj, në kushtet e sotme.
Gazeta RD