Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar sistemin shëndetësor dhe mungesën e ministres së Shëndetësisë gjatë seancës në Kuvend.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi ironizoi mungesën e ministres në seancë, duke vënë në pikëpyetje edhe dijeninë e saj për detyrën që mban. Ai theksoi se institucionet nuk mund të funksionojnë me mungesa të tilla, ndërsa shtoi se “sëmundja nuk pret”, në kundërshtim me justifikimet e dhëna nga ministrja.
Deputeti solli shembuj konkretë nga terreni, duke përmendur vështirësitë në shërbimin e urgjencës, ku qytetarët përballen me vonesa dhe mungesë koordinimi mes qyteteve. Ai ngriti shqetësimin për mungesë mjekësh specialistë, duke deklaruar se ka raste kur pacientët presin për orë të tëra pa marrë ndihmën e nevojshme.
Korreshi: I nderuar kryetar, edhe unë prapë me ministren e shëndetësisë linjë në studio. Ore, e para njëherë a është mirë ajo? Se do pyes nga shëndeti, se mirë, këto interpelancat tona nuk i keni futur te tenxherja për t’i zierë. Problemi është a është mirë se e kemi bërë merak. Ore, pyetja tjetër është, e di ajo që është ministre apo s’e di?
Se nuk mund të braktiset Kuvendi i Shqipërisë kështu. E treta, nuk pret sëmundja siç thotë ministrja në fjalët e veta në fund të vitit, brenda këtij viti, brenda këtij viti, brenda këtij viti. Nuk pret. Pret ore. Dhe po qe se nuk e dini ku është, ta shpallim te njerëz të humbur, ka emisione televizive, ta kërkojnë në rrugët e Tiranës. Ilaçet s’i dinte ajo që ishin shtrenjtuar. Se çfarë ndodh nëpër spitale, as e ka idenë. Çfarë pune bën kjo ministrja e shëndetësisë?
Se duhet me e pyet çfarë pune bën ministrja e shëndetësisë. Sepse për të marrë sot urgjencën, i bie 127-ës të lidhesh me Tiranën. Pastaj kismet ai i Tiranës po t’i bjerë telefonit të Lushnjës, edhe ai i Lushnjës të merr ty të thotë ku je. E kupton çfarë ndodh? Unë nuk doja ta provoja te robt e shtëpisë për ta ditur ku ishte se e dija siç ishte, siç ishte shëndetësia. Por i thoni asaj ministres së shëndetësisë se ç’ndodh në spitalet shqiptare, se nuk e ka idenë se çfarë tragjedie gjendet përballë banorët e Shqipërisë. A ka mundësi të rrijë një orë e gjysmë një pacient duke vdekur dhe nuk ka kardiolog? Ku ka mundësi? Ku ndodh? Në cilin vend, shtet të botës ndodhi një gjë e tillë? Ku? Ku pra, ku ndodh? A e dini që s’ka as pambuk në Lushnjë? As dorashka. E di ajo? Po të vijë pra njëherë, të vijë të shikojë ç’ndodh.
Kush mban përgjegjësi që AZHT-ja nuk çon një leje ndërtimi nëntë muaj për pacientët e Lushnjës? Leje ndërtimi për spital. Mbasi ka dalë tenderi. Kush mban përgjegjësi këtu? Si ka mundësi zhvendoset spitali dhe nuk del leja e ndërtimit? A ka njeri në këtë shtet që mban përgjegjësi? Pse do t’i trajtojmë ne njerëzit si stallë derrash atje? Na thoni ose njoftojeni për rrogën të paktën që i ka kaluar. Kaq. Se edhe atë ndoshta t’i thoni që kaloi rroga, thuaju hajde bëj punën. Faleminderit!
Gazeta RD