Pprojektligji për portet turistike, Tabaku: Rrezikon konkurrencën dhe integrimin europian!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë seancës plenare u shpreh kundër propozimit ligjor për portet turistike që parashikon dhënien e tyre në kuadër të investimeve strategjike.

Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se projektligji nuk duhet parë si një nismë teknike, por si pjesë e një modeli vendimmarrjeje që, sipas saj, ka zëvendësuar konkurrencën me përjashtime dhe interesin publik me favore të përqendruara.

“Problemi nuk është tek formulimi i një neni, por tek logjika dhe modeli mbi të cilin funksionon ky sistem”, u shpreh ajo, duke shtuar se ligji është pjesë e një serie nismash që, sipas opozitës, kanë favorizuar interesa të caktuara.

Tabaku argumentoi se përmes këtij projektligji formalizohet një praktikë ku investimet strategjike përfitojnë asete publike, lehtësi fiskale dhe tashmë edhe akses në infrastrukturë strategjike, pa procedura konkurruese.

Sipas saj, kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe me angazhimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian. Ajo përmendi se projektligji prek disa kapituj të acquis communautaire, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Nuk mund të flitet për integrim europian ndërkohë që ndërtohen mekanizma që përjashtojnë konkurrencën dhe përqendrojnë vendimmarrjen”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD ngriti gjithashtu shqetësimin për procedurën e miratimit të ligjit, duke theksuar se ai është shqyrtuar dhe miratuar në një kohë shumë të shkurtër, pa një debat të gjerë parlamentar.

Në përfundim, ajo theksoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme, duke paralajmëruar se modeli aktual, sipas saj, rrezikon të dëmtojë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

About Redaksia

Check Also

Skandali-Rama në SHBA/ Paditet si pjesë e skemës së mashtrimit 8 milionë USD me Ron Yeffet

Një padi e depozituar në SHBA ndaj Ron Yeffet, e siguruar nga “Pamfleti” zbulon një …